Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që kanë Kosovën një vend mik, ka thënë në Prishtinë, ambasadorja e re amerikane, Tracey Jacobson.
Këto komente ajo i bëri në gjuhën shqipe dhe atë serbe, pas dorëzimit të letrave kredenciale te presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Jacobson me këtë rast vlerësoi se Kosova ka arritur përparime të jashtëzakonshme që nga shpallja e pavarësisë së saj.
“Jam e bindur që duke punuar së bashku në partneritet, udhëheqësit e Kosovës mund të çojnë përpara sundimin e ligjit dhe të ndërtojnë një themel të fuqishëm për një të ardhme të begatshme, stabile e demokratike”, ka theksuar Jacobson, njofton Rel.
Gjatë kohës së shkurtër në Kosovë, ajo tha se ka vërejtur shumë përparime pozitive.
Para se të vijë në Kosovë, Jacobson ka qenë ambasadore në Turkmenistan dhe në Taxhikistan.
Ajo është një diplomate karriere nga Shërbimi i Lartë Diplomatik dhe se së fundmi ka shërbyer si zëvendësdrejtoreshë e Institutit për Shërbim të Jashtëm (FSI).
Jacobson ka shërbyer gjithashtu si zëvendëssekretare ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ndërsa ka punuar si diplomate në Seul të Koresë Jugore, Moskë të Rusisë, e të tjera.
Ajo ka mësuar gjuhët shqipe, serbe, franceze, ruse, spanjolle, koreane, dhe taxhike. Është e martuar me David Bau, pjesëtar i shërbimit diplomatik britanik.
Jacobson zëvendëson ambasadorin e deritashëm, Christopher Dell.