www.Zemra.Org

Shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit

Mësuesit, ata që ndërtojnë të ardhmen e një vendi festojnë Ditën e Mësuesit, në përkujtim të 7 Marsit 1887, ku në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë shqipe.

Veç të tjerash, kjo ngjarje ishte një fitore për popullin shqiptar pasi deri atëherë mësimi mbahej privatisht në fshehtësi. Aspak e lehtë për atë epokë, Mësonjëtorja qëndroi e hapur për 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami dhe shumë të tjerë. Në vitin e parë dhe të dytë shkollën e ndoqën rreth 200 nxënës të besimeve të ndryshme, ndërsa tekstet e shkollës u siguruan nga “Shoqëria e shkronjave shqipe” të hartuar nga Naim dhe Sami Frashëri e shumë të tjerë. Në përpjekjet që bënin patriotët shqiptarë për hapjen e shkollave, një vend me rëndësi për lëvizjen patriotike si dhe për emancipimin e gruas shqiptare zë çelja e shkollës së parë shqipe të vajzave në 22 tetor 1891, ku e para mësuese dhe drejtoreshë e saj, ishte vajza 20 Sevasti Qirjazi që kishte mbaruar studimet në Stamboll. Kjo festë tradicionale përcillet në çdo institucion të arsimit shqiptar, por simbolika e saj kulmon në arsimin para-universitar, ku nxënësit dhurojnë lule për mësuesit e tyre. Në Shkup u shënuan aktivitete të ndryshme të organizuara nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë. Me këtë rast, kryetari i saj Nuhi Dardhishta tha se gjendja në arsimin shqip në Maqedoni ka ndryshuar por akoma nuk janë arritur cilësitë e duhura.“Vazhdimisht bëhen edhe ndryshime te ligjit, ja edhe tash kishte nje ndryshim te ligjit për arsim sipëror, sidomos për aktivitetet shtuese dhe plotësuese që ne e përshëndesim, por jemi shumë, nuk jemi aq optimist në atë se ne vazhdimisht kemi kërkuar që të zvogëlohet numri i orëve mësimore. Klasa e shtatë dhe klasa e tetë kanë çdo ditë nga 7 orë mësimore, ku do ta mbajnë at orë shtuese e plotësuese, ora e 8 të mbahet orë plotësuese e shtuese është ngarkesë shumë shumë e madhe, kështu që ende nuk po bëhet ai shkarkimi i programeve mësimore” tha Nuhi Dardhishta, kryetar i Lidhjes së arsimtarëve shqiptarë. Me rastin e Ditës së mësuesit, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë do të ndajë mirënjohje për veteranët e arsimit, ndërsa në bashkëpunim me Komunën e Çairit do të mbajnë akademi solemne dhe ekspozitë nga disa piktorë shqiptarë.

Exit mobile version