www.Zemra.Org

“SHIK-u i raportonte Thaçit”

Nazim Bllaca sërish ka akuzuar persona kyçë të Partisë Demokratike të Kosovës për përfshirje në krimet që i ka kryer Shërbimi Informativ i Kosovës.

Bllaca gjatë vazhdimit të dëshmisë së tij, të martën në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka shkuar më larg, duke e përmendur edhe kryeministrin Hashim Thaçi si person të cilit i ka raportuar SHIK-u.

Se Shërbimi Informativ i Kosovës i ka raportuar Hashim Thaçit, Bllaca e ka thënë në pyetjen e mbrojtjes së Fahredin Gashit, avokatit Tahir Rrecaj, i cili mes tjerash e ka pyetur Bllacën për organizimin e SHIK-ut, shërbim në të cilin Bllaca pretendon se ka shërbyer disa vite, njofton “Zëri”.

Për të bëmat në këtë shërbim ai tashmë është dëshmitar bashkëpunues i EULEX-it ndërsa të martën në gjykatë ai ka vazhduar dëshminë e tij kundër të akuzuarve në rastin e koduar si “Bllaca 2”. Në këtë rast të akuzuar për vrasjen e Salih Gashit e për dy vrasje në tentativë janë Sadik Abazi, Fahredin Uka, Shaban Syla, Bekim Syla, Driton Hajdari e Fahredin Gashi.

Bllaca në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues ka thënë se nuk mund të tregojë për organizimin e shërbimit për të cilin ka punuar disa vite, por ka thënë se në atë shërbim, ai vetë e ka pasur pozitën e ekzekutorit të terrenit.

“Drejtoritë dhe organizimin e SHIK-ut nuk mund ta tregoj sepse unë kam qenë ekzekutor i terrenit. Në krye e di që ka qenë Kadri Veseli, Fatmir Xhelili e Ferat Shala. Me këta dy të fundit jam takuar e me Kadriun jo”, ka thënë Bllaca, gjatë seancës së mbajtur nën masa të rrepta të sigurisë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Gjatë kësaj seance Bllaca në një moment ka drejtuar një kërkesë rreth sigurisë së tij në shtëpi, por kryetari i trupit Gjykues i ka thënë se për këtë brengë do të diskutojnë në një seancë të mbyllur.

Pa ia përfillur kërkesën, Bllaca ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e parashtruara nga mbrojtja duke ironizuar herë pas here pyetjet e bëra. Ai nuk ka dashur të përgjigjet dhe mbi rregullat konform të të cilave ka vepruar SHIK-u, derisa ka thënë se nuk ka pasur dijeni ndërsa ka shtuar se mund të flasë vetëm për grupin me të cilin ka punuar ai.

“Për grupin tonë ka qenë që të zgjohemi në mëngjes e ta përcjellim njeriun deri në vrasje”, ka thënë Bllaca.

Duke e kontestuar veprimtarinë e Bllacës në SHIK, mbrojtësi i Fahredin Gashit e ka pyetur Nazim Bllacën edhe për kodin që ai ka mbajtur “Seiko”. Bllaca gjatë kësaj seance nuk ka folur për kode të tjera.

“E di vetëm kodin tim në SHIK të tjerët jo. Unë e di që SHIK-u ka vrarë njerëz në Kosovë”, ka thënë Bllaca.

Exit mobile version