Autoritetet amerikane deklarojnë se kanë shkatërruar një rrjet masiv droge të drejtuar nga një kartel meksikan në Arizona.
Në total 76 të dyshuar janë arrestuar dhe sasi të mëdha droge e armësh janë sekuestruar në një seri bastisjesh.
Zinxhiri i trafikut përdorte udhëtarë me canta si dhe automjete për të trafikuar marijuanë, kokainë dhe heroinë përmes shkretëtirës perëndimore të Arizonës.
Rrjeti ishte i lidhur me kartelin meksikan të Sinaloas dhe në pesë vitet e fundit vlerësohet të ketë fituar rreth 2 miliardë dollarë.
“Sot i kemi dhënë një goditje të rëndë ndërmarrjes kriminale meksikane që ka qenë përgjegjëse për helmimin e komunitetit tonë”, deklaroi prokurori i përgjithshëm i Arizonës, Tom Horne.
“Më duket tërësisht e papranueshme që lagjet e Arizonës të përdoren si sheshe për shpërndarjen e drogës”, ka shtuar ai.
Aksioni i policisë, i koduar me emrin “Transporti Ekspres”, u krye pas 17 muajsh hetime nga agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit.
Një numër i madh shtetasish amerikanë dhe meksikanë u arrestuan në tre aksione të ndryshme javën e kaluar.
Mbi 30 tonelata marijuanë, 90 kilogramë kokainë dhe 72 kilogramë heroinë u sekuestruan, si dhe 100 armë zjarri.