Pesë ndeshje të javës së tetë të ligës së parë të Maqedonisë në futboll do të zhvillohen të shtunën, kurse vetëm një është në program të dielën edhe ajo në Tetovë, ndërmjet Shkëndijës dhe Bregallnicës nga Shtipi, e cila do të luhet pa praninë e publikut.
Sulmuesit kuqezi, Mensur Kurtishi i vjen keq që do të mungojnë tifozët e flaktë “Ballistët”, por është optimst se edhe pa ta do të shënojnë fitore të re, e cila do t’ju dedikohet atyre.
“Nuk e njoh Bregallnicën, por pa marrë parasysh i rrespektojmë si rival, mirëpo ne dëshirojmë që të rendisim edhe një fitore të re. Shpresojmë se kjo do të jetë ndaj Bregallnicës dhe natyrisht uroj që këto tre pikë të reja të vijnë me gola të rinj nga ana ime. Ne si skuadër po luajmë mirë kështu që nuk dyshoj në fitoren tonë, sepse vërtetë po funksionojmë mirë si grup. Kuptohet do të ndihet mungesa e ‘ballistëve’, por do të mundohemi t’i gëzojmë me një fitore të re”, tha goleadori kuqezi, Mensur Kurtishi.
Renova e dobësuar do të udhëtyoj drejt Prilepit dhe përballjes me 11 Oktomvrin. Përveç mungesës së Fisnik Nuhiut, bardhekaltrit janë në seri negative të rezultateve dhe kjo ka bërë që trajneri Vllatko Kostov t’i përvesh krahët para këtij ballafaqimi. Renova e ka kohën të ndërpresë këtë episodë të keqe dhe të nisë të shënoj rezultate pozitive. Rasti është i mirë, ndonëse edhe nikoqirët nuk do të dorëzohen lehtë në terren të tyre.
Të gjitha ndeshjet e kësaj fundjave do të fillojnë prej orës 15:00.
Ndeshjet e javës së tetë
(E shtunë, ora 15:00)
Teteks – Vardar
Metalurg – Sileks
Horizont T. – Ohrid
11 Oktomvri – Renova
Rabotnicki – Napredok
E diel, ora 15:00
Shkëndija – Bregallnica