Çmimet në kryeqytet janë gati dyfish më të larta sesa në qytetet e tjera. Ka disa shërbime si për shembull, shërbimet e lokaleve të cilat në kryeqytet paguhen 120 për qind më shtrenjtë. Një makiato në Shkup është rreth 70 denarë, ndërsa në qytetet e tjera, Tetovë, Gostivar e Kumanovë është rreth 30 denarë.
Sipas ekspertëve është më se normale që kryeqyteti të ketë çmime më të larta, pasi edhe standardi në Shkup është më i lartë. “Është normale që kryeqytetet të kenë çmime më të larta dhe rasti i Shkupit është një situatë tipike. Kjo ndodh meqë në kryeqytet jeton një pjesë e përqendruar e popullatës me aftësi blerëse më të madhe, gjegjësisht me të ardhura potenciale më të larta dhe po të shikoni në të gjitha aspektet standardi në Shkup është shumë më i lartë”, thotë për “Lajm” eksperti i çështjeve ekonomike, Abdulmenaf Bexheti. Ai sqaron se niveli i pagave mesatare, niveli i të ardhurave që realizohen, aktivitetet jashtë punës së rregullt, kapitali i tregut, kapitali blerës, fitimet në bursë dhe në të gjitha aspektet e tjera, popullata realizon të ardhura shumë më të larta sesa në periferi. “Nëse i referohemi indeksit të zhvillimit njerëzor që është një nga indikatorët më sintetik, i cili përfshin edhe bazën materiale, edhe nivelin e shëndetësisë, edhe të arsimit, pra është një kombinim me tre indekse, Shkupi është diku 0, 8 77, në krahasim me një mesatare që është 0, 72”, thotë Bexheti, duke shtuar se indeksi i zhvillimit njerëzor më së miri dëshmon edhe nivelin e standardit më të lartë dhe për pasojë edhe çmimet janë më të larta në kryeqytetet. Çmimet e shërbimeve janë ato që në kryeqytet janë shumë më të larta se në periferi. “Ato që sigurojnë ofertë më të madhe, janë çmimet e shërbimeve që ballafaqojnë ofertë dhe konkurrencë më të madhe, në krahasim me çmimet që nuk gjenden në periferi”, sqaron Bexheti.
Ndërsa ekonomisti Gadaf Rexhepi thotë se qiratë e larta janë një nga arsyet që diktojnë çmime të larta të shërbimeve në kryeqytet.
Maqedonia me çmime me të larta se BE-ja
Çmimet në Maqedoni janë shumë më të larta se në shtetet evropiane. “Arsyeja kryesore e çmimeve të larta është se ne nuk jemi pjesë e Unionit Evropian. Çmimet në Greqi janë dyfish më lirë, ndërsa mallrat kanë cilësi shumë më të mirë. Ne nuk jemi pjesë e Globalizimit dhe nuk kemi asnjë brend”, thotë ekonomisti Gadaf Rexhepi, duke shtuar se në Maqedoni edhe lirimet nuk janë reale.