Lajme

Shkupi larg Prishtinës dhe Tiranës

Në Tiranë dhe në Prishtinë kanë nisur me kohë përgatitjet për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë, ndërsa në Shkup, edhe pse u shënuan ngjarjet më të rëndësishme që i paraprin pavarësisë akoma nuk është ndërmarr asnjë iniciativë.

Që në fillim të vitit 2011 institucionet shtetërore të Tiranës dhe Prishtinës, duke nisur nga Parlamenti dhe institucionet e tjera të shtetit kanë nis me përgatitjet për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë.

Historianët janë të mendimit që Shkupi duhet të jetë epiqendra e gjithë veprimtarive. “Shkupi patjetër duhet të jetë epiqendra e gjithë manifestimeve që  ndodhin në trojet etnike shqiptare, sepse këtu gjatë vitit 1912 ndodhën ngjarjet më të rëndësishme që I paraprin shpalljes së pavarësisë”, thotë historiani Skënder Hasani. Ai sqaron se më 12 gusht është çliruar Shkupi, nga mijëra kryengritës,  më 18 gusht të vitit 1912 është arrit marrëveshja shqiptare – osmane për njohjen e të drejtave autonome të shqiptarëve në perandorinë osmane, pastaj më 14 tetor të  vitit 1912 është mbajt Kuvendi i Shkupit ku u soll vendim që nga kërkesa e deri atëhershme për autonomi të shkohet në pavarësinë e Shqipërisë. “Kryengritësit ishin të mendimit se aty ku ishte derdhur gjaku, aty ku ishte bërë sakrifica, aty dhe të shpallej pavarësia.

Pasi delegatët u shpërndanë nëpër vendet e tyre dhe të ktheheshin në Shkup, plasi lufta Ballkanike dhe Shpallja e pavarësisë nuk u bë dot në kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, në Shkup, por më vonë, më 28 nëntor pavarësia u shpall në Vlorë për shkaqe sigurie”, thotë Hasani, duke shtuar se Shkupi e ka për obligim që të organizojë manifestime të ndryshme kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë.
Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë planifikon që 12 -18 gushtin ta shpallin si javë të kulturës shqiptare, ndërkaq që do të kërkojnë nga Parlamenti që 12 gushti të hyjë në datat historike. “Ne si shoqatë e shqiptarëve të Maqedonisë kemi nisur që të formojmë një grup për shënimin e këtyre datave të rëndësishme, por sa do të kemi sukses varret nga mbështetja institucionale që do të marrim”, thotë Hasani.

AMSHA shënon 100 vjetorin e luftërave ballkanike

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) ka formuar një grup iniciues për shënimin e 100 vjetorit të luftërave ballkanike. Sipas historianëve shqiptar shënimi i këtij përvjetori për shqiptarët është një skandal i vërtetë, ndaj dhe u apelojnë shqiptarëve që janë pjesë e këshillit të heqin dorë sa më shpejt. “Dihet fort mirë se me luftën e parë Ballkanike nisi edhe tmerri për shqiptarët, duke filluar me masakrimin, pastaj me shpërnguljen dhe me ndarjen e tërësisë etnike. I kisha apeluar shqiptarëve që janë pjesë e këtij Këshilli të distancohen që aty”, tha kryetari i historianëve Skënder Hasani.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button