Mosnjohja e shtetit të Kosovës nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në dokumentet personale, sipas juristëve duhet të dënohet dhe të kërkohet dëmshpërblim. Juristi Mersim Pollozhani thotë MPB duhet të mbajë përgjegjësi dhe se secili qytetar të cilit në dokumente personale i shkruan vendlindja Serbi në vend se të shkruhet Kosovë, duhet të kërkojë dëmshpërblim sepse në këtë rast MPB bën shkelje të ligjit. “Duke pasur parasysh se Maqedonia e ka njohur shtetin e Kosovës, qytetarëve të cilëve vendlindja në vend të Kovës ju shkruan Serbi, mund të kërkojnë dëmshpërblim nga kjo ministri si dhe mund të padisin atë pasi që ka bërë shkelje të ligjit”, tha Pollozhani. Ky diskriminim nga ana e MPB sipas Pollozhanit po bëhet për shkak se Maqedonia ende koketon me Serbinë dhe me këtë abuzon popullin shqiptar. “E vetmja arsye se pse MPB e bën këtë shkelje të ligjit është koketimi me Serbinë dhe shprehia e vjetër e bashkëpunimit me Serbin”, theksoi Pollozhani. Për të rregulluar këtë çështje, Pollozhani thotë se së pari duhet të ankohet personi të cilit ju është bërë ky gabim. “Personi cili është diskriminuar në këtë formë nga MPB-ja duhet të bëjë ankesë në gjykatë dhe po që se gabimi nuk përmirësohet atëherë ai duhet të dërgojë ankesë edhe në gjykatën administrative dhe më pas paditja e ktij institucioni varret nga qëndrimi i gjykatës administrative”, tha Pollozhani. Ndërkaq sipas zëdhënësit të MPB-së, Ivo Kotevskit, në dokumentet e personale të cilat nxirren të reja, nëse shtetasi i Maqedonisë ka lindur në Kosovë, duhet të shënohet emir i shtetit pasi që më kemi bashkëpunim dhe kemi pranuar Kosovën si shtet, por kjo gjë nuk ndodh në realitet. “Nuk e di se pse është shënuar Serbi e jo Kosovë, në vendin e lindjes së atij personi i cili ka nxjerrë dokumentin e ri personal. Mund të ketë ndodhur se në certifikatë personi në fjalë nuk ka bërë ndryshimin nga Serbia në Kosovë”, tha Kotevski. Ndërkaq shqiptarët të cilët kanë lindur në Kosovë ankohen se edhe pse në kërkesë për dokumente personale e shkruajnë se kanë lindur në Republikën e Kosovës, atyre ju shkruhet Serbi në dokumentacion.