Shqiptari i Kosovës dhe i Kumanovës, që u angazhuan ta vrasin Hitlerin
Abdullah Musliu (Petrovci) nga Ferizaj, kishte mbaruar Medresenë e Shkupit. Kishte bërë shkollë edhe në Rusi, ndërsa fliste shqip, italisht, turqisht, gjermanisht e serbisht.
Ishte komunist idealist, por më vonë i zhgënjyer për shkak të politikave antishqiptare të regjimit të ish-Jugosllavisë. Për këtë, dhe mos gjunjëzimit të tij ndaj padrejtësive, do të vuajë shumë vite burg. Prokuror i rastit të tij ishte Ali Shukriu. Por, është edhe një detaj tjetër intrigues që e bën veçantë Musliun?
Në Teatrin “Adriana Abdullahu” të Ferizajt, së shpejti do të jepet drama “Atentatorët” e Ramadan Hazirit, historian, po ashtu i persekutuar dhe i burgosur nga regjimi serb. Si shumë romane të tij, me karakter historik, e tillë është edhe drama “Atentatorët”, e shkruar pas shumë hulumtimeve, përfshirë edhe arkivat, për jetën e Abdullah Musliut.
Telegrafi ka pasë rastin ta sigurojë këtë dramë. Në të për herë të parë përmenden disa fakte interesante: Musliu ishte komunist, antifashist, bashkëpunëtor me figurat e NDSH-së (si Gjon Serreçi), 33 herë i arrestuar… dhe i angazhuar nga Kominterni sovjetik që ta vras Hitlerin. Bashkëpunëtor në këtë atentat ishte edhe një shqiptar nga Kumanova!
Për më shumë, ua sjellim disa fragmente të tablosë së pestë të kësaj drame, në burg, të dialogut mes Musliut dhe një nacionalisti tjetër shqiptar. Dialogu, natyrisht letrar, bazohet në të dhënat tek të cilat ka arritur shkrimtari dhe historiani Ramadan Haziri, i cili e ka njohur po ashtu personalisht Abdullah Musliun.:
“Abdullahu: Është mashtrim i tillë, çfarë nuk e merr me mend njeriu më i djallëzuar i botës. Na ishte mbushur mendja se ne mund ta shpëtonim botën nga Hitleri. Nga fashizmi vrasës.
Donim ta shpëtonim atë botën e cila prej se dihet ishte njerkë për ne, derisa për fqinjët, për armiqtë tanë ishte nënë e më tepër se nënë. Kështu, Kominterni na mbushi mendjen se ne duhej ta bënim atë akt. Unë isha njëri ndër tre trutharët që iu rreka asaj ideje. Unë e kisha përgjegjësinë më të madhe se ata. Unë e ndjej atë, sepse e udhëhiqja grupin. Kurrë nuk më ndodhi të mendoja për pasojat. Çfarë ishte jeta ime në krahasim me përfitimin e botës që po vritej e copëtohej nga Hitleri. Na dhanë udhëzimet. Spiunazhi i Aleancës po kujtonte se Hitleri do ta vizitonte Stambollin…
Një femër me të cilën mbaja lidhje, më takoi në kafenenë ‘Merkez’. Ajo më tha: ‘Nuk më njeh e as nuk të njoh. Shtyje derën e futu. Çdo gjë e ke në rregull. Mos fol asgjë. Pos biletave e parave, ke një letër të cilën do ta lexosh në nevojtore të trenit. Lamtumir mik’!
E ngrita dorën me përtesë. Pas atyre veprimeve i hipa trenit. Fjeta nga Shkupi e deri në Ferizaj…
Ajo porosia dinake që ma dhanë… ‘Ai studenti do të pret në hyrje të hotelit. Në kokë ka një fes turk dhe në të një kokardë’… ‘Pas dy ditësh do të shkoni për Moskë. Me boshnjakun të sillesh si me vëllain e vogël. Sa më pak njohje reciproke. Atje, në Leningrad, do të merrni udhëzimet e reja. Mos e harro hotelin, dukjen e mikut, pastaj grise letrën, lëshoje në kanal dhe lëshoje ujin’!…
Nacionalisti: Edhe në gjumë bisedon me boshnjakun, mbase është ai Hasimi që i drejtohesh?
Abdullahu: Është i njëjti njeri e mik imi. Atë e gjeta në Beograd. Rrugën për në Moskë e bëmë bashkë. Ai asnjëherë nuk kishte qenë në Stamboll. Bisedonim tanë kohën për lepurin. Kështu i pëlqente atij ta quante Hitletin. I shpjegova planin e veprimit. Ai, ekzekutori, kumanovasi, ishte në Turqi. Atë do ta takonim diëtn kritike. Do t’i jepnim revole e bombë…
Nacionalisti: Hitleri nuk ishte armik i yti?…
Abdullahu: Ishte armik i njerëzimit.
Nacionalisti: Armik i atyre që na lan nën Serbinë?
Abdullahu: E njeh ti propagandën komuniste?… Si krishterimi dikur, fliste për paqe e barazi midis njerëzish, e cila nuk u bë kurrë. Unë e pata besuar atë përrallë të bukur… Madhështia e idealit të verbuaka! Nuk të lë kohë të mendosh, as të gjykosh, ajo të deh e të jep vrull të tillë, sa mezi pret ta zbatosh një veprim. Qoftë ai edhe akt i krimit!…
Na thanë se do të shkonte në Turqi vetë Fyreri. Edhe NKGB-ja ishte e mashtruar në këtë rast. Ndoshta e dinin se zëvendësi i tij Gebelsi do të vinte. Mirëpo, për të na nxitur më tepër e thanë për Hitlerin. Mikut tim nuk i ishte dridhur dora. Porse rojat e kujdesi që kishin fashistët ishte e tillë sa nuk e veçoje figurën nga gardhi i dy palë rojave gjermane e turke. Pozicioni ishte i tillë, sa nuk i afroheshe më tepër se dhjetë metra. Revolveri nuk e kishte atë forcë sa ta shponte adjutantin e ta godiste Gebelsin. As eksplodimi nuk e arriti, sepse ciflat i ndali gardhi i rojave.
Pastaj na ishte thënë se ajo ishte bombë që prodhonte tym e mjegull. Miku im nuk e hodhi atë mbi eskortën e Gebelsit. S’kishte nga ta dinte se ishte bombë vrastare e nuk ishte bombë tymi, çfarë e kishin thënë.
Nacionalisti: Ky bir i Kumanovës, dinte ai për masakrat serbëve më 1913 apo nuk kishte njohuri për to?
Abdullahu: Si nuk dinte! Mirëpo, ne nuk kishim forcë të dilnim më vete, të dilnim si komb, pos t’i mbështeteshim njërit rreshtim: aleatët o fashistët. Pastaj kishim bindje të thellë se fashistët do ta humbnin luftën. Dashuria jonë për atdheun ishte më e fortë se mëria që kishim për sllavët…
Nacionalisti: Internacionalja komuniste të gjitha porositë e shpjegimet ua bënte nëpërmes të serbëve. Si nuk kishit fare pak urrejtje ndaj serbëve, ndaj përkitjes me ta edhe për gjëra kaq të ndjeshme?
Abdullahu: Ne ishim shqiptarë. Shqiptari gjërat i merr si të vërteta edhe po ia tha armiku…
Kominternin e besonte gjysma e botes me ideologji komuniste. Edhe pothuaj gjysma tjetër ishte në aleancë me të. Kush ishim ne të mos e besonim? Kush na kishte ofruar miqësi e bashkëpunim tjetër për lirinë tonë? Kush tjetër i llogariste shqiptarët për aleatë? Mos kishim ne farë pasurie, farë force e armatimi të na konsideronin për aleatë? Ne na kishin për ndonjë shërbim të tillë si kamikazë e asgjë tjetër. Sot është lehtë ta bësh dallimin. Por, atëherë nuk ishte e lehtë, madje as e mundshme…
Nacionalisti: Kujtoj se do ta vazhdosh rrëfimin?
Abdullahu: Atë ditë, tanë natën u solla rrugicave të Stambollit. Boshnjaku u nda e shkoi te një farefis i veti. Unë s’desha të vizitoja të njohurit me një barrë emocione tepër të forta. Isha pothuaj si një njeri i çmendur.
Në mëngjes takova ca fakirë që po zgjoheshin nga gjumi. Ata kishin fjetur nën qiell të hapur. I ngjatjetova. Njëri më i moshuari ndër ta më ftoi për kuvend. Nuk munda pa e përfillur arë grishje të përzemërt. Ai pa fjalë më zgjati një shishe nga e cila pinte raki. I thash se nuk e kam përdorur kurrë. ‘Do një kafe’, më tha. ‘Po atë e pi’. Nxori nga thesi që e mbante pranë xhezven e kafen. Nxori ca letra. U vuri flakë dhe ashtu ma bëri kafen, pa ndërruar asnjë fjalë. Nisa ta pija kafen me rrufitje të gjata. Ai mi kishte ngulur sytë. Pasi e luajti kokën, mbase në shenjë habie, më tha: ‘Biro paske hall të madh’?
– ‘Dje kam humbur shtëpinë në kumar’, i thash.
– ‘Ahu djalë, po luajnë kumar perandoritë e botës. Po vrasin për t’i lënë tjetrit kopilin në derë’!
– ‘Për këtë nuk paskam dëgjuar’!
– ‘Ta them unë. Desh e vranë atë gjermanin e madh në urën e Gallatës’!
– ‘Mos more! Po kush e bëri’?
– “Ingilizi e Miskovi. Vranë tridhjetë e sa plagosën po aq njerëz, a më tepër’!
‘Po shteti, çfarë thotë’?
‘Gishtin e drejtoi nga Miskovi… Më mirë që ke luajtur kumar se të ndodheshe në urën e Gallatës. Shko me nderë’, kështu më ndodhi në mëngjesin e turpit për mua.
Nacionalisti: Po shtypi i Turqisë?
Abdullahu: Zhurmë, shumë zhurmë. Kush thumbit e kush patkoit. Ne nuk kishim lënë farë gjurme.
Nacionalisti: Po komunistët ta përmendën atë gjest në gjykim apo nuk e dinin?
Abdullahu: Si nuk e dinin! E dinin fort mirë. Por, nuk duan t’i zbulojnë këmbët. Ne fatkëqijtë ishim vetëm doras të mashtruar deri në palcë. Pastaj as në hetuesi nuk më munduan. Vetëm sa e zunë në gojë atë akt të çmendurisë time. Shokët e mi i dënuan me vdekje. I vetmi unë u dënova me 10 vite burg. Kjo më rëndon edhe më tepër. Ec e tregoju shqiptarëve pse nuk më dënuan si shokët e mi me pushkatim.
Nacionalisti: Ndoshta dikush nga shokët e di këtë trimëri prej komunisti. Do të flas në popull?
Abdullahu: Jo askush nuk di asgjë për këtë rast”!