Shqiptari me koeficientin e inteligjencës së Leonardo da Vinçit
Kur shohim një dokumentar për Da Vinçin, Ajnshtajnin apo Njutnin, a mendojmë ndonjëherë edhe për jetën e tyre jashtë studios, laboratorit apo punëtorisë së tyre?
A mendojmë ndonjëherë se për fqinjin apo të njohurin e tyre kanë qenë thjesht Leonardo, Alberti apo Ajzeku? Ose, më thjeshtë, a mendojmë se njeriu i kohës së sotme që shohim çdo ditë në rrugë deri sa ngutet me një gazetë në dorë, tek pi makiato në një kafeteri që ka zënë trotuarin, ose deri sa shtypë sirenën e automjetit i nervozuar me tollovinë e trafikut në një qytet të vogël të Kosovës është pikërisht njëri prej tyre, gjegjësisht ekuivalenti i një Da Vinçi? Këtë e mendon kur njeh Aziz Mustafën, shqiptarin e parë anëtar i “Mensa International”, organizatës botërore të njerëzve me koeficient shumë të lartë të inteligjencës, I.Q. (Intelligence coefficient).
Sipas të dhënave në Wikipedia (shqip), Azizi njihet si mjek specialist otorinolaringolog, kirurg i veshit, hundës dhe fytit, asistent i lëndës ORL në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, doktor i shkencave mjekësore, anëtar i Shoqatës Botërore të Otologëve-Politzer, anëtar i Shoqatës Mesdhatare të Otologëve dhe Audiologëve, anëtar i Shoqatës së ORL të Kosovës dhe asaj ballkanike.
Autor i 32 publikime shkencore dhe profesionale në revistat vendore dhe ato botërore, redaktor në “International Journal of Case Reports and Images-IJCRI” dhe recensent i disa prej revistave më prestigjioze shkencore, emri i tij nuk është i panjohur edhe në qarqet botërore të kirurgjisë së veshit dhe ORL-së ne përgjithësi. Bota letrare shqipfolëse e njeh si poet me vokacion të veçantë, si zërin fshikullues të veseve dhe zvetënimit të njeriut modern, me një lirikë metaforike autentike, autor i tre përmbledhjeve poetike dhe i prezantuar në të gjitha forumet elektronike të letërsisë shqipe dhe fitues i shumë konkurseve dhe çmimeve letrare.
Dr. Azizi flet për rrugën drejt njohjes së I.Q. së tij:
“Në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar, si nxënës gjimnazi, lexoja rregullisht çdo ekzemplar të përmujshmes beogradase për popullarizimin e shkencës “Galaksia”. Me vite të tëra i kam grumbulluar, lexuar e ri-lexuar të gjitha numrat e saj. Në një nga numrat e vitit 1988, atëherë student i vitit të parë të Fakultetit të Mjekësisë ne Prishtinë, lexova se në shtator 1988, në Beograd do të mbahej testimi për matjen e I.Q., organizuar nga kjo revistë, por nën mbikëqyrjen e “Mensa International”.
Po ashtu aty mësova se “Mensa”, që në shqip do të thotë sofër, apo tavolinë e rrumbullakët, forum i të barabartëve, ishte themeluar në vitin 1945 nga dy anglezë dhe se asokohe kishte afërsisht nja 100.000 anëtar anekënd globit, se shumica e vendeve kishin degët kombëtare të “Mensa”-s dhe se në testimin e parë në ish-Jugosllavi do të ishte prezent Ed Winsent, drejtor ekzekutiv I “Mensa International”.
Udhëtova me tren, me një djalin e dajës, që u helmua me ushqim dhe nuk mundi të hynte në test, kurse unë kreva testin. Ai ishte një test me pyetje jo verbale, jo i varur nga gjuha dhe kultura; ishte i njejti test që bëhej në të gjitha vendet e botës. Ishin 36 pyetje për 40 minuta. Në test kishte njerëz të të gjitha moshave, profesioneve, nacionaliteteve. Nëse përgjigjeshe saktë në 21 pyetje, a ishe 21 vjeçar, kjo do të thoshte se koeficienti yt ishte 100, nëse përgjigjeshe saktë në 25 pyetje e ishe 21 vjeçar, koeficienti yt ishte 119, e kështu me radhë. Kusht për tu pranuar në “Mensa” ishte që koeficienti të ishte më i lartë se 148. Pas një jave, kur mora rezultatin, nuk u besoja syve.
Letra konfidenciale e nënshtruar nga z. Winsent, që më ndryshoi jetën, më ndryshoi pikëvështrimin tim ndaj jetës dhe vetes, tregonte I.Q time, më të lartë se 148 (është sekret sa është saktë, por është shumë afër me të Leonardo da Vinçit dhe të aktores së famshme Sheron Stone). Pos vetëbesimit, fitova një lloj përgjegjësie më të madhe, një vetëdijësim se njerëzit, familja, të afërmit presin nga unë dhe unë nuk duhej në asnjë mënyrë ti zhgënjej ata.
Po ashtu, kur u themelua “Mensa Jugosllavia me 1991, pas 4 testimeve në qendrat më të mëdha jugosllave, kuptova se isha shqiptaro-kosovari i vetëm në mesin e 701 anëtarëve” Po pastaj, si rrodhi aventura e anëtarësimit në “Mensa International”? “Në vitet 90-ta ndodhi prishja e ish-Jugosllavisë, luftërat në Ballkan dhe me prishjen e ish-Jugosllavisë, u prish edhe “Mensa Jugoslavija”. U formuan degët nacionale sllovene, kroate, serbe, boshnjake dhe maqedone. Unë nuk doja të hyja në asnjërën, prandaj kërkova dosjen time që ishte në “Mensa Serbia”.
Mu dashtë të anëtarësohem një muaj, për të pasur të drejtë të tërheq dokumentacionin dhe ta dërgoj në “Mensa International”, në Londër, ku më pranuan me kënaqësi. Më njoftonin, se për shkak se Kosova ende nuk kishte degën nacionale, e nuk doja të isha në “Mensa Serbia”, mund të anëtarësohesha në “Mensa International” dhe të kyçesha i. barabartë në të gjitha aktivitetet e tyre. Ato aktivitete janë aktivitete të ndryshme, janë grupe special të interesi: dikush do të takohet të bisedojnë për gjenetikën, fenë, lulet, kuzhinën, vendet atraktive, peshkimin, letërsinë, gjithçka. Ka nga ata që duan thjesht të mblidhen për të pirë birra e për të lëshuar qyfyre”.
Ndërsa kur flet projektet e tij, Mustafa thotë:
Unë punoj. Nuk ndalem. Ndjek kurse profesionale, konferenca, zhvillime. Përcjell punimet shkencore dhe profesionale, bëj operacione, lexoj. Tash jam duke lexuar “Inferno” të Dan Brown-it. Lexoj në 3 gjuhë, shqip, anglisht dhe kroatisht. Fëmijët po më akuzojnë që nuk po kam kohë të merrem me ta, dhe pres që kur unë të pensionohem, ata të mos kenë kohë të merren me mua. Por e lus Allahun të më falë shëndet dhe forcë për të mos e ndalë kurrë angazhimin tim profesional, intelektual dhe kombëtar.