Edhe pse Shtëpia e Alfabetit në Manastir u shndërrua në Muze që në vitin 2010, ndërsa iniciativa ishte ngritur që në vitin 2009, Drejtoria për menaxhimin e hapësirave banesore, ish “SIZI”, kishte shpallur konkurs për të dhënë me qira objektin e Shtëpisë së Alfabetit.
Me arsyetimin se nuk ka qenë e informuar nga Qeveria ky institucion shpalli konkurs për të dhënë me qira objektin e Shtëpisë së Alfabetit, objekt me të cilin ajo ka menaxhuar për vite me radhë.
Drejtori i Muzeut të Alfabetit, Gazmend Hoxhaj thotë për “Lajm” se tashmë e kanë anuluar konkursin dhe janë duke e rregulluar çështjen e pronësinë. “I mblodhëm të gjitha dokumentet e nevojshme dhe elaboratin e kemi dorëzuar në kadastër. Ka mbet kadastra që ta kalojë Shtëpinë e Alfabeti mbi pronarin e ri, Muzeun e alfabetit”, thotë Hoxhaj. Ai sqaron se kanë pas pak probleme me çështjen e pronësisë, pasi Drejtoria për menaxhimin e hapësirave banesore nuk ka qenë e informuar që Shtëpia e Alfabetit është bërë muze dhe ka pas shpall konkurs për ta dhënë atë me qira objektin. “Konkursi tashmë u anulua dhe jemi duke pritur vetëm përgjigjen e kadastrës”, thotë ai.
Hoxhaj sqaron se pasi të rregullohet çështja e pronësisë gjithçka do të jetë më lehtë, pasi pa qenë muzeu pronarë i atij objekti, ata nuk kanë mundur dot të konkurrojnë nëpër projekte të ndryshme. Edhe shoqata “Miqtë e muzeut” nuk ka mundur dot të mbledhë mjete, pasi donatorët nuk kanë dash që të rrezikojnë. “Besoj se shumë shpejt do të kemi përgjigje pozitive nga kadastra dhe se nuk do të hasim më në probleme”, thotë ai, i bindur se më në fund gjithçka do të rregullohet.
Ndërkaq, dy dhoma të shtëpisë së muzeut vazhdojnë të jenë pronë e kryetarit të Komunës së Manastirit, Vladimir Talevski, i cili i ka blerë ato gjatë mandatit të tij të parë. Momentalisht edhe oborri i muzeut është pronë e Talevskit, pasi ai në vitin 1996 me anë të një marrëveshje që ka bërë me Ministrinë e Kulturës e ka marrë në përdorim oborrin. Hoxhaj thotë se Ministria e Kulturës i ka premtime se çështje e oborrit do të zgjidhet shumë shpejt. “Nga ministria na premtuan se marrëveshjen me Talevskin do ta prishin dhe oborri do ti kalojë muzeut”, thotë drejtori i Muzeut të Alfabetit. Ndërsa procedura për dy dhomat e shtëpisë në katin e parë, të cilat kryetari Talevski i ka lënë me qira, procedura është pak më e gjatë. “Meqë ai figuron si pronar këtë çështje mund ta zgjidhë vetëm shteti, ose duke e ç’dëmtuar atë, ose duke i dhënë një lokacion tjetër”, thotë Hoxhaj.
Meqë këtë vit, ministria e Kulturës nuk e ka mbështetur në asnjë projekt muzeun, pasi ai u themelua pasi kishte përfunduar konkursi, drejtori Hoxhaj shpreson se tani do ti miratohen më shumë projekte për vitin e ardhshëm. “Kemi konkurruar me shtatë projekte për vitin e ardhshëm dhe shpresojmë se do të marrim përgjigje pozitive. Disa nga projekte për të cilin kërkon mbështetje Muzeu i Alfabetit janë: Investime në muze, shënimi i ditëve të kulturës shqiptare në Maqedoni (22 -28 nëntor) me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, hulumtimi Manastiri në vitet e Kongresit të Manastirit, përkthimin nga shqip në Maqedonisht i librit të Kongresit të Manastirit, etj
Momentalisht muzeu ka 5 të punësuar ndërkaq që udhëheqësia e Muzeut ka kërkuar edhe punësimin e 10 të tjerëve.