Qindra demonstrues kundër qeverisë janë arrestuar gjatë dy ditëve të fundit.
Dy persona të tjerë janë vrarë gjatë demonstratave anti-qeveritare në Egjipt.
Të enjten në mbrëmje nobelisti Mohamed el Baradei do të kthehet në vendin e tij.
Trazirat shtrihen
Trazirat janë përhapur edhe në qytetet e provincave, ndërsa në Suez ka patur përplasje të mëdha.
Megjithë përpjekjet e forta nga ana e qeverisë për të parandaluar protesta të tjera, kundërshtarët janë të vendosur.
Policia ka ndërhyrë shpejt për të shpërndarë grumbullimet e njerëzve.
Megjithatë në Kajro përplasjet vazhduan edhe pas mesnate.
Në qytetin Suez, qindra protestues kanë qëndruar natën në rrugë.
Ata ishin shumë të zemëruar pasi autoritetet refuzuan të lëshonin trupin e një prej tre demonstruesve të vrarë të martën dhe i vunë zjarrin një ndërtese qeveritare.
Në internet janë bërë thirrje për demonstrata të mëdha pas faljes së të premtes.
Ministria egjiptiane e Brendshme njoftoi të mërkurën se të gjitha protestat do të ndalohen.
Teknikisht të gjitha demonstratat janë të paligjshme pa lejen e qeverisë dhe opozitës kjo leje i jepet shumë rrallë.
Ky rregull është në kontrast me një deklaratë nga ministria e Jashtme egjiptiane që pretendon që vendi është i hapur për lirinë e fjalës.