www.Zemra.Org

Si u ndërtua politika ndaj Shqipërisë në Kosovë më 1990

Maturimi i Shqipërisë, prej një vendi të mbyllur stalinist në pozicionin e anëtarit fuqiplotë të NATO-s ka kaluar nëpër krizat shqiptare, dhe këtë e dimë më së miri ne, aktorët shqiptarë jashtë Shqipërisë, të përfshirë në krizat e dy dhjetëvjetëshave të kaluar.
Në fakt, e tëra filloi me të kuptuarit e realitetit pas rënies së Murit të Berlinit. Në Kosovë, në fillim të vitit 1990 isha pjesë e udhëheqjes të asaj që quhej Alternativa kosovare. Milosheviqi kishte përshkallëzuar represionin ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në të, ndërsa në ditët dramatike të atij dimri po vdiste sistemi komunist, e njëkohësisht po vriteshin njerëzit që dilnin të protestonin kundër këtij represioni. Ne, si Alternativë, duhej të jepnim përgjigjen prej udhëheqjeje të re të këtij populli, dhe në debatet tona Shqipëria ndihmoi përnjëherë që të qartësohen dy pika strategjike të veprimit të Kosovës për një kohë të gjatë. Ndihma e Shqipërisë qe me një të kuptuar të thjeshtë se ky vend ishte aq i dobët sa nuk mund t’i ndihmonte vetes, e lëre më Kosovës. Dhe ky kuptim solli, në formë të natyrshme, fitoren e opsionit të rezistencës paqësore, nga njëra anë, dhe zhvillimin e nocionit të policentrizmit shqiptar, nga ana tjetër. Kosova dhe çështja shqiptare në ish-Jugosllavi nuk do ta kërkonin “qendrën etnike”, siç ishte rasti me serbët dhe Beogradin e kroatët dhe Zagrebin. Në vend të një qendre unifikuese shqiptare, e pamundur me dobësinë e Shqipërisë, u ndërtua politika e tri qendrave, përkatësisht katër, nëse merret parasysh edhe Mali i Zi.

2.
Më 1990 ekzistonte një diskrepancë ideologjike. Kosova tashmë ishte identifikuar si vend që, ndonëse në kushte të okupimit, avanconte në adoptimin e nocioneve bazike të demokracisë, ndërsa Shqipëria ende mbetej e mbyllur brenda diktaturës njëpartiake. Për projektin tonë të demokracisë e lirisë në Kosovë ishte fondamentale që të krijohet përkrahja perëndimore, e për ta gjetur këtë, ishte e nevojshme që identiteti shqiptar në Ballkan të ishte i qartë dhe eksplicit demokratik e properëndimor. Për ne në Kosovë, po ashtu, ishte me rëndësi fondamentale që transicioni, një herë i filluar në Shqipëri, të ishte i padhunshëm. Kjo duhej të ishte një fitore e madhe për një shtet të vrazhdësisë së diktaturës çfarë e kishte pasur vendi.
Disa javë pas ngjarjeve të dhjetorit 1990, tashmë në fillim të vitit 1991, në një takim sekret të partive shqiptare të ish-Jugosllavisë të mbajtur në Kroaci, u ngarkova me detyrën që të shkoja në Shqipëri dhe të përcillja brengën e partive politike shqiptare të ish- Jugosllavisë lidhur me zhvillimet në Shqipëri, inkurajimin e proceseve demokratike dhe në veçanti nevojën e transicionit të padhunshëm.
Në shkurt të atij viti, do të bisedoja me presidentin Alia dhe këshilltarin e tij Sofo Lazri, nga njëra anë, dhe me liderët e opozitës: Berisha, Mustafaj, Pashko e Hajdari për brengat e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, në fakt për nevojën jetike të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë që në situatën e pasigurisë së plotë për ardhmërinë tonë, të vendoset një proces i stabilizuar i forcimit demokratik të Shqipërisë. Mesazhi bazik ishte se nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e Shqipërisë si shtet demokratik, por për ndërtimin e mbështetjes për aspiratat e shqiptarëve në trojet e veta.

3.
Asokohe, Shqipërinë e shihnim si investim afatmesëm e afatgjatë; sa më e forcuar dhe e integruar në struktura euroatlantike, mendonim, aq më e fortë do të bëhej kauza shqiptare, posaçërisht e kundërvënë imazhit negativ, antiperëndimor të Serbisë së Milosheviqit.
Pas vitit 1992 politika e Kosovës duhej të ndiqte dy postulate. I pari është të tregonim se nuk ishim të dirigjuar nga Tirana, se nuk ekzistonte një projekt sekret i “Shqipërisë së Madhe” , porse me Shqipërinë po bisedonim si mes dy shtetesh, natyrisht, dy shtetesh që nuk janë fqinj të rëndomtë. Për këtë shërbenin vizitat e përhershme të presidentit Rugova dhe shfaqjet e tij në televizion së bashku me presidentin Berisha.
Postulati i dytë do të duhej të ishte mosanimi në luftën e brendshme politike në Shqipëri. Ky nuk u mbajt me aq disiplinë, dhe në fakt gjatë një periudhe u krijuan paralele ndasish në Shqipëri e Kosovë, ku LDK-ja lidhej me PD-në, ndërsa organizatat klandestine marksiste-leniniste të Kosovës (që do të themelonin UÇK-në) do të lidheshin më afër me PS-në.
Ndonëse tashmë e tejkaluar, kjo ndasi krijoi një çrregullim në marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri pas vitit 1997.
E, 1997 ishte viti kur përtej postulateve dhe pozicioneve politike, gjëja më e rëndësishme për të shënuar në marrëdhëniet mes dy vendeve ishte shtrenjtimi i çmimit të gomarëve dhe mushkave. Shteti i Shqipërisë u shkri, depot e armëve u hapën, çmimi i tyre ra në mënyrë drastike, Kosova kishte nevojë për to dhe para për t’i blerë – e vetmja gjë që nuk u lirua, por përkundrazi ishte çmimi i mushkave dhe i gomarëve që duhej të shërbenin tregtinë e porsazbuluar.

4.
Viti 1999 ishte viti i pjekurisë për Shqipërinë. E ballafaquar me luftën e hapur në Kosovë, arriti të bindte çdokënd se nuk është e përfshirë në nxitjen e saj. Nga ana tjetër, ndonëse e varfër, si në ekonomi ashtu edhe në qeverisje, hapi dyert për refugjatët kosovarë, një numër që do ta fuste në kolaps organizativ e ekonomik edhe ndonjë shtet më të madh, të avancuar e më të pasur se Shqipëria.
Këtë imazh të ri, të një aktori të përgjegjshëm të regjionit, e ruajti edhe gjatë konfliktit në Maqedoni, ku u përpoq me aq sa mundte, të shtynte faktorin politik dhe ushtarak shqiptar në Maqedoni drejt një procesi paqësor ku do të mund të fitoheshin të drejtat legjitime të shqiptarëve.
Nuk ishte andaj e befasueshme kjo ecje e Shqipërisë, me gjithë problemet e veta të brendshme, drejt strukturave euroatlantike. Ishte investim i përbashkët i të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh shtetësinë./ Veton Suroi/ www.Zemra.Org /

Exit mobile version