Fotoja e momentit kur personi në fjalë vë dorën tek arma, është kapur prej njërit nga protestuesit e djeshëm.
Më pas përfaqësuesit e OJQ-ve janë larguar me dhunë nga sigurimi i PDK-së.
Dje, Ismet Kryeziu në emër të organizatave tha se të gjitha partitë politike kanë qenë të njoftuara për aksionin e tyre, ndërsa i ka bërë thirrje kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, që të sigurojë të gjithë për të protestuar lirshëm.
Ndryshe, gjatë ditës së hënë organizatat e shoqërisë civile kanë marshuar në kundërshtim të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.
Marshi ka nisur nga sheshi “Skënderbeu”, dhe ka vazhduar me ndalje të shkurtra në selitë e gjashtë partive më të mëdha parlamentare.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të fushatës së 100 organizatave të shoqërisë civile, për kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.
Ato vlerësojnë se Projektligji është në kundërshtim me frymën kushtetuese, cenon standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike, e në veçanti rekomandimet e Komisionit të Venedikut.