www.Zemra.Org

Sigurimi i PDK’së i kërcënoi me armë aktivistët e shoqërisë civile para se t’i grushtonte

Partia Demokratike e Kosovës ka penguar gjatë ditës së djeshme shoqërinë civile të afrohet pranë zyrave të partisë të cilët po e kundërshtonin Projektligjin për Financimin e Subjekteve Politike. E njëri nga zyrtarët i cili besohet të jetë sigurim në partinë e Kadri Veselit, ka kërcënuar me armë aktivistët që të mos i afrohen zyrave të partisë.

Fotoja e momentit kur personi në fjalë vë dorën tek arma, është kapur prej njërit nga protestuesit e djeshëm.

Më pas përfaqësuesit e OJQ-ve janë larguar me dhunë nga sigurimi i PDK-së.

Dje, Ismet Kryeziu në emër të organizatave tha se të gjitha partitë politike kanë qenë të njoftuara për aksionin e tyre, ndërsa i ka bërë thirrje kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, që të sigurojë të gjithë për të protestuar lirshëm.

Ndryshe, gjatë ditës së hënë organizatat e shoqërisë civile kanë marshuar në kundërshtim të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Marshi ka nisur nga sheshi “Skënderbeu”, dhe ka vazhduar me ndalje të shkurtra në selitë e gjashtë partive më të mëdha parlamentare.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të fushatës së 100 organizatave të shoqërisë civile, për kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Ato vlerësojnë se Projektligji është në kundërshtim me frymën kushtetuese, cenon standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike, e në veçanti rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

Exit mobile version