BotaLajme

Unë, shqiptari në vendin e Cunamit

Flet për MAPO studenti Enian Çela, i cili përjetoi tërmetin e fundit dhe dallgën shkatërruese në Japoni, nga qyteti i Hiroshimës, ku ndodhet prej vitesh.

“Shqetësimi i të afërmve në Tiranë në orët e tragjedisë”
Enian, pse ndodheni në Japoni?

Në Japoni kam mbërritur në vitin 2007 rreth 6 muaj pasi u diplomova në Fakultetin Ekonomik në Tiranë. Fillimisht erdha për studimet master, por pasi përfundova programin (në shtator 2009), më propozuan në universitet që të vazhdoja për doktoraturën. Që prej tetorit 2010, ndjek studimet e doktoraturës në fushën Ekonomi Mjedisi në Universitetin e Hiroshimës.

Cili është impakti i një vendi kaq të ndryshëm si Japonia, mbi një të ri shqiptar?

Ajo që bën më tepër përshtypje është fakti që kam mundur të ambientohem pothuaj menjëherë me jetën në Japoni. Kjo për arsye sepse aktiviteti njerëzor është tepër i strukturuar dhe të huajt që vijnë trajtohen me respekt dhe mirësjellje. Ka një angazhim të madh të vendasve për t`u mundësuar të huajve (veçanërisht studentëve) të përshtaten sa më shpejt që të jetë e mundur me jetën e re. faktorë që ndikojnë në këtë drejtim janë siguria e lartë, qetësia, mungesa e problemeve (në rast se ka zgjidhen pothuaj menjëherë) dhe mikpritja.

Si e kujtoni momentin kur ra tërmeti i fundit? Sa u ndje në qytetin ku banoni dhe cili ishte reagimi juaj?

Lajmin për tërmetin e dëgjova rastësisht në televizion pasi në zonën ku unë banoj nuk u ndie. Mendova menjëherë për miqtë e mi që jetojnë në zonën e goditur (përfshirë kryeqytetin) dhe u përpoqa të lidhem menjëherë me ta. Nuk qe e mundur për shkak të ndërprerjes së linjave telefonike. Deri në momentin që mora njoftime prej tyre, kam ndenjur para televizionit duke vëzhguar zhvillimet.

Po cunamin që pasoi, kur e morët vesh? Cili qe mbulimi nga mediat e atjeshme?

Cunami ndodhi disa orë pas rënies së tërmetit. Fillimisht preku vetëm bregun verilindor, por më vonë problemi u shfaq edhe në pjesën tjetër të bregdetin deri në ishullin Kjushu në jug të vendit. Në televizion, paraqitej një hartë e vendit me ngjyra të ndryshme për dëshmuar shkallën e rrezikshmërisë nga cunami në çdo rajon. Valët më të larta gjendeshin në verilindje (deri në 10 metra), ndërsa në pjesën jugore arrinin deri në 3-4 metra. Televizioni raportonte edhe për shkatërrimet masive, ndërkohë që shifra në lidhje me të vdekurit, të humburit dhe të lënduarit sa vinte e rritej. Kjo ishte vërtetë tronditëse.

Si qe reagimi i të afërmve tuaj në Shqipëri? Sa të shqetësuar ishin ata për atë që po ndodhte?

Të afërmit e mi nuk ishin të sigurt nëse ishte goditur qyteti im (Hiroshima) nga tërmeti apo jo dhe kanë qenë tepër të shqetësuar. Megjithatë, pasi komunikova me ta dhe i sigurova se isha shëndoshë e mirë dhe në vend të sigurt (si nga tërmeti si nga cunami) u qetësuan. Megjithatë, në ditët në vazhdim, për shkak të lajmeve që dëgjojnë, më pyesin vazhdimisht në lidhje me gjendjen dhe rrezikun dhe unë u përsëris të njëjtat fjalë për t`i qetësuar.

Ju banoni në Hiroshima. Si e përjeton qyteti dramën e centraleve nukleare që po konsumohet këto orë?

Në qytet jeta vazhdon normalisht si të mos kishte ndodhur gjë. Japonezët janë persona të cilët nuk i shprehin hapur ndjenjat e tyre dhe mbi të gjitha nuk lejojnë që këto ndjenja të ndikojnë në aktivitetin e tyre të përditshëm. Fakti që ka problem me centralet bërthamore nuk perceptohet si problem, pasi banorët kanë besim të plotë në autoritetet vendase dhe e dinë mirë se në rastin e rrezikut minimal, masat e nevojshme do të ndërmerren për të garantuar sigurinë e tyre.

Ka bërë përshtypje në opinionin botëror qëndrimi i qetë dhe dinjitoz i japonezëve në këto orë. Ju si e shihni këtë element?

Dy karakteristika të sjelljes së popullsisë vendase më kanë bërë shumë përshtypje në këto momente. Së pari, njerëzit nuk i ka kapur paniku (as në zonat më të prekura). Ata janë të vetëdijshme për atë që ka ndodhur dhe e dinë që paniku nuk do të zgjidhte, por do të përkeqësonte më tej situatën. Ndër të tjera, njerëzit janë të përgatitur për të tilla raste. Menjëherë, në zonat e prekura, banorët janë organizuar me njëri-tjetrin për të siguruar strehë, ushqim dhe ujë në pritje të ndihmave nga ana e forcave të vendosura në dispozicion nga qeveria.
Karakteristika e dytë ka të bëjë me gjakftohtësinë dhe vendosmërinë e njerëzve. Në këtë moment, me gjithë dhimbjen dhe tronditjen (veçanërisht për të dashurit e humbur), njerëzit janë njëkohësisht të lumtur që i mbijetuan kësaj katastrofe dhe kanë shumëfishuar përpjekjet për të rikthyer sa më shpejt gjërat në normalitet. Situata mbetet kritike, por njerëzit po qëndrojnë me guxim.

A keni menduar ndonjë çast këto ditë që të ikni nga Japonia?

Nuk kam menduar për asnjë çast të largohem për shkak të gjendjen së krijuar. Kjo së pasi, sepse unë jam i bindur se asnjë rrezik nuk më kanoset. Hiroshima është vend i sigurt dhe i mbrojtur. Së dyti, nuk shqetësohem pasi jam i sigurt se administrata lokale në rast rreziku do të më lajmëronte dhe do të garantonte kthimin tim shëndoshë e mirë në Shqipëri. Për këto arsye, ashtu sikurse banorët vendas, unë vazhdoj punën time (studimin) i pandikuar nga ato që ndodhën gjatë kësaj jave.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button