Skandaloze: “Agimi i Artë” shkakton incidente në Himarë (Video)
Në trevjetorin e vdekjes së Aristotel Gumës, të riut himariot i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor, por që më pas kjo ngjarje u interpretua si vrasje për shkak se ishte minoritar, eksponentë të “Agimit të Artë” u kthyen sërish në Himarë, ku kanë kryer homazhe pranë varrit të tij.
Fillimisht, ceremonia përkujtimore ka nisur me një meshë në Kishën e Shën Spiridhonit, ku mësohet se eksponentët e “Agimit të Artë”, të drejtuar nga shqiptari nga Lukova, Robert Haidhi, kanë nxjerrë jashtë kishës priftin, i cili nuk ka pranuar të zhvilloheshin ritet e kërkuara nga anëtarët e partisë neonaziste greke, raporton Top Channel.
Më pas, pjesëmarrësit janë drejtuar për në varrezat e Himarës, ku veç familjarëve të Gumës binin në sy dhjetëra të rinj që mbanin veshur bluza të zeza me simbolet e “Agimit të Artë” dhe me flamurin e “Epirit të Veriut”.
Kanë qenë pikërisht eksponentët e “Agimit të Artë” ata që kanë sulmuar grupin e xhirimit të Top Channel, duke mos e lejuar atë për të filmuar.
Ekstremistët grekë, siç shihet edhe nga pamjet, kanë vijuar të krijojnë incidente dhe tensione në tokën shqiptare, duke ofruar të tilla skena, që shpesh herë janë parë në Greqi, e deri edhe në sallën e Parlamentit, duke e konsideruar ndoshta veten mbi ligjet, jo vetëm aty ku janë krijuar si lëvizje politike, por edhe në territorin shqiptar.
Gjatë ceremonisë përkujtimore, përveç fjalimeve të mbajtura nga familjarët dhe anëtarët e “Agimit të Artë”, është kënduar dhe himni grek.
Vdekja e Aristotel Gumës, më 12 gusht 2010, solli reagime të shumta në Himarë, aq sa për disa ditë u bllokua edhe rruga nacionale. Qarqet ekstremiste greke e përdorën këtë ngjarje duke i dhënë asaj ngjyresat e një vrasjeje për shkak të etnisë së Gumës, dhe kjo gjë vijon edhe në ditët e sotme, me praninë e eksponetëve të “Agimit të Artë” në çdo përkujtimore të kësaj ngjarjeje.
Sot ra në sy mungesa e kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, dhe kreut të organizatës Omonia, Vasil Bollano, ndërsa i pranishëm ishte kryetari i partisë së minoritetit Mega, Kristaq Kiço.