Kuvendi i Kosovës pritet sot të miratojë Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë, dje kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se në këtë funksion është takuar me liderët politikë të Kosovës dhe kanë rënë dakord që të ratifikohet kjo marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo marrëveshje sipas kryeministrit Thaçi ndërlidhet drejtpërdrejt me perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës, me perspektivën evropiane të rajonit, me reflektime pozitive për të gjitha vendet e rajonit dhe shoqërinë, me mesazhe të qarta për perspektivë euroatlantike për Kosovën dhe vendet tjera të rajonit.
“Ratifikimi do të jetë tanimë edhe më i lehtë, edhe për deputetët, sepse ajo marrëveshje, ai vendim i drejtë, tani reflektohet drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve kudo në Kosovë, në veçanti në veri. Tani kur kjo marrëveshje ka filluar së implementuari, Kosova dhe institucionet e saj do t’i kryejnë obligimet që i kanë karshi kësaj marrëveshje”, ka thënë ai.
Sipas tij, Policia dhe doganierët e Kosovës kanë filluar të lëvizin pa probleme në pikën kufitare Nr.1, kurse shumë shpejt pritet që kjo të ndodhë edhe në pikën kufitare Nr.31.
Ai shtoi se ka filluar funksionimi i sistemit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit dhe është zgjedhur edhe komandanti regjional i policisë për veri.