Strugë, përdhoset dhe dëmtohet busti i Dervish Himës
KUJT I PENGOJNË BUSTET E RILINDASVE???
Natën ndërmjet 29 dhe 30 marsit, person(a) vandal (ë), të papërgjegjshëm e të pandërgjegjshëm, mbase edhe me qëllim, e kanë përdhosur dhe dëmtuar bustin e Dervish Himës. Qytetarët e indinjuar pyesin: kush i përdhosë bustet e Rilindasve shqiptar dhe kush duhet të kujdeset për ata?
Natën ndërmjet 29 dhe 30 marsit, persona të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, mbase edhe me qëllim e kanë përdhosur bustin e Dervish Himës, të vendosur në anën e djathtë të rrjedhës së Drinit të Zi, së bashku me bustin e Dr.Ibrahim Temo-së.
Busti i rilindasit nga fushëgropa e Strugës e Ohrit, Dervish Hima, i vendosur me shikim nga shëtitorja, është zhvendosur nga postamenti dhe është rrotulluar e përmbysur në platonë e nivelit të parë buzë lumit Drin, duke e dëmtuar në masë të konsideruar. Gjurmët e përdhosjes janë të dukshme.
Ngjarja e shëmtuar ka ndodhur natën, gjë që edhe nuk është vërejtur nga kalimtarët e rastit, njoftojn.
Duke kaluar buzë Drinit, rreth orës dhjetë të paradites së sotme, kam vërejtur se busti i Dervish HImës nuk ndodhet në vendin e duhur, në postamentin e tij. U ndala i habitur dhe i shqetësuar për këtë akt antiqytetërues e anticivilizues duke belbëzuar zëshëm me keqardhje: “Na fal i nderuar e i respektuar…” Menjëherë aty u mblodhën edhe shumë qytetar, që shprehën indinjatën e vet, lidhur me këtë vandalizëm ta paparë.
Aty përballë bustit të përmbysur e të shëmtuar, ndodhet restoranti “Shpresa”, pronarët dhe punëtorët e të cilit, vazhdimisht janë në përkujdesje të busteve të rilindasve, për të mos i përdhosur ndokush. Kur i pyetëm mos vallë kanë vërejtur ndonjë individ apo grup, ata të habitur dhe të shqetësuar nga ajo që panë, rastin e paraqitën në organet e policisë, të cilët dolën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe bënë veprimet e duhura.
Qytetarë e Strugës dhe kalimtarët e rastit, me të drejtë shtrojnë pyetjen: “A mjafton vetëm të vendosen bustet, apo duhet edhe përkujdesje të ndaj tyre? Si mund të mbrohen këto dy buste nga vandalët e ndryshëm në këtë shetitore mjaft të frekventuar nga kalimtarët?
Lidhur me këtë, historiani, prof.Dr.Nebi Dervishi theskoi . “Është turp dhe akt poshtrues e jocivilizues përdhosja e cilit do busti, e në veçanti të kolosëve rilindas që u vendosën në shëtitoren buzë Drinit. Çmoj se përkujdesjen dhe përgjegjësinë për këto buste duhet ta mbajë institucioni që ka për detyrë mbrojtjen, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e monumenteve, në këtë rast është Muzeumi “Nikolla Nezllobinski” dhe vetë komuna e Strugës me organet përkatëse. Këto akte vandale, mund të jenë vepër e atyre që nuk duan bashkëjetesë, tolerancë dhe mirëkuptim, sepse njeriu normal dhe i ndërgjegjshëm këtë vepër nuk e bën. Këto janë akte që etimologjinë e kanë nga periudha e kryqzatave. Akte të këtilla ne, në rend të parë si qytetar dhe intelektual, i dënojmë ashpër dhe kërkojmë që kryesit e veprës të zbulohen, të dalin para organeve të drejtësisë dhe të dënohen. Poashtu, apelojmë deri tek organet e rendit, institucioneve përkatëse, të ndërmarrin masat e duhura për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare në Strugë”.
Kryetari i Këshillit organizativ për shënimin e jetës dhe veprës së Dr.Ibrahim Temos dhe Dervish Himës, dr.Shefqet Pollozhani u shpreh për INA: “Kjo që ka ndodhur mbrëmë, nuk është hera e parë me bustet e Rilindasve shqiptar. Kjo nuk është vepër e civilizimit dhe qytetërimit, por është vepër vandale, anticivilizuese dhe antiqytetëruese. Dr.Ibrahim Temo dhe Dervish Hima janë vënë aty dhe aty do të mbeten përgjithmonë. Dr.Ibrahim Temo dhe Dervish Hima aty e kanë vendin, aty do të mbeten përgjithmonë dhe këthim mbrapa nuk ka”.
Edhe më parë janë përdhosur bustet e Dr.Ibrahim Temo-së dhe Dervish Himës, që janë vendosur në shetitoren buze Drinit të Zi, duke i shkruar katër shkronjat e partisë politike në pushtet VMRO. Këto buste të këtyre rilindasve, kanë qënë vazhdimisht cak i vandalëve, të cilët asnjëherë nuk janë zbuluar, të most themi se bile edhe janë fshehur. Që nga koha kur janë vendosur këto buste, më 25 qershor të vitit 2006, ato vazhdimisht kanë qënë cak i vandalëve dhe janë përdhosur disa herë.
Që kur janë vendosur aty, nuk kaloi shumë kohë, -nga 25 qershori, i vitit 2006, kur buzë Drinit të Zi, u vendosën bustet e Rilindasve shqiptar nga Fushëgropa e Liqenit të Ohrit, Dr.Ibrahim Temo dhe Dervish Hima, për tu prehur të qetë në vendlindjen e tyre, vandalët përdhosën bustin e Dr.Ibrahim Temos, duke e hedhur bustin e tij nga postamenti në tokë, posikur që edhe sot e kanë hedhur bustin e Dervish Himës, i cili ka pësuar edhe dëmtime të konsideruara!.