Durrës, aksidentohen katër shqiptarë nga Maqedonia (VIDEO)
Një veturë me targa të Tetovës me të cilën udhëtonin katër persona që udhëtonin nga Maqedonia nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Qafë-Thanës drejt Durrësit është aksidentuar pasditen e kësaj fundjave në dalje të qytetit të Përrenjasit, informon Balkan Web.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit aksidenti i rëndë ka ndodhur në vendin e quajtur “Kthesat e Pishkashit” pak pas orës 15:00 të së shtunës. Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, vetura me targë ‘TE 84 11 AB’, pasi ka humbur drejtimin e lëvizjes ka dalë jashtë rruge. Pasi vetura është përplasur me borduarat mbrojtëse ka dalë jashtë tyre dhe është rrokullisur në humnerë duke përfunduar në rrjedhën e përroit të Linganjcës , degë kjo e lumit Shkumbin.
Në ndihmë të aksidentuarve fillimisht kanë shkuar drejtues e pasagjerë të automjeteve që po qarkullonin në këtë segment rrugor në momentin që ndodhi ngjarja. Nga ana e tyre është sinjalizuar policia rrugore e cila ka mbërritur me urgjencë në vendin e aksidentit së bashku me një autoambulancë me të cilën janë transportuar drejt spitalit bashkiak të Përrenjasit të lënduarit.
Sipas policisë në këtë aksident ka mbetur i dëmtuar rëndë shtetasi Nasip Ramadani nga Tetova i cili drejtonte veturën me targa TE 84 11 AB.
Ndërkaq, tre të dëmtuarit e tjerë që ishin pasagjerë në automjetin e aksidentit janë djemtë e tij dhe që të katër së bashku mësohet se kishin ardhur si turistë Shqipëri ku kishin planifikuar të kaloni edhe disa ditë pushime në bregdetin e Adriatikut në Durrës. Nga ana tjetër policia po heton për të përcaktuar shkakun që solli aksidentin e rëndë.