VIP

Irma Libohova: Kur dikush të kujton

Ajo zbret vrullshëm nga makina. Me flokët e kuqe e me një çantë në dorë afrohet, dhe nuk kishte se si të mos buzëqeshte, sepse është Irma Libohova.

Këngëtarja është nderuar një javë më parë me çmimin Kult për albumin “Pranga Malli”. Ka qenë një mbrëmje e veçantë për të, pasi është ndjerë e vlerësuar dhe mbi të gjitha e kujtuar.

Vite në skenë dhe duket sikur i ka thënë kohës “Stop”. Sa herë del të këndojë e tund vendin ku ngul këmbët. E mban mikrofonin në dorë, sepse në qoftë se nuk do të sillte më këtë atmosferë, siç e thotë edhe vetë ajo, do të hiqte dorë nga kënga. E gjitha kjo nuk ka një formulë për të, vjen nga shpirti. E përpos një artiste ajo është një bashkëshorte, nënë, si dhe një amvisë e mirë. Ka qenë e para në çdo stad kur ka marrë përsipër të bëjë secilën prej tyre. Kujton me nostalgji vitet e liceut e më pas ditën kur u martua dhe faktin që nuk pushonte së qari pasi kishte nusëruar 12 orë… Është e kujdesshme në daljet e saj, më shumë dëshirë ka të këndojë se sa të flas. Pas vlerësimit që i’u bë nga “Kult”, në biseduam me të për këtë çmim, e jo vetëm. Për vitet e saj në skenë, për muzikën, për Irmën si bashkëshorte e si nënë. Për nostalgjinë e mallin. Irma ka shumë për të folur.
Në mbrëmjen e 31 tetorit u vlerësuat me çmimin Kult për albumin “Pranga Malli”. Çfarë domethënie ka për ju ky vlerësim?
Mendoj që çdo vlerësim që të bëjnë për punën, të gëzon. Në ditët e sotme, ku gjithkush ka boll ngarkesa e punë plot, ajo që të gëzon më shumë është kur dikush të kujton. Do të doja të bëja falënderimet e mia për “Akademinë Kult” për presidentin e saj Z. Ylli Sula. “Faleminderit jurisë!” “Falënderoj dhe kompaninë e sigurimeve ‘Sigma’ dhe shtëpinë diskografike ‘Supersonic’”. E ndaj këtë çmim me publikun që me ndjek: me shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi…e ku do që ndodhen. Ju faleminderit të gjithëve! Prej tyre ndihem e vlerësuar duke i shtuar një puls ndjesisë “e realizuar”.
Një këngë e njohur juaja kohët e fundit e titulluar “Stop” na frymëzon t’ju bëjmë pyetjen. A ju merr malli për kohen e rinisë? Të ndalemi për pak aty. Për çfarë ju ngacmon kujtimet ajo kohë?
Unë kërkoj në atë këngë “ta ndal” kohën. Është mision i artistëve të përçojnë emocionet e tyre në shpirtin e njerëzve, ndaj dua që ata që e këndojnë të bërtasin fort: “Stop” “Ndale kohën”. A më merr malli? Mmmmm! Si jo! Janë ngjarje të vrullshme ato të rinisë! Ngjyrat janë më të shkëlqyera! …mosha, mosha! I kthej shpesh vitet e Liceut në memorie. Kujtoj konviktorët, të mëdhenj e të vegjël, kujtoj që i ndihmoja gjithmonë, kujtoj që Saranda i donte këngët e Shkodrës, dhe dibranët i këndonin këngët e vlonjatëve. Kujtoj që kishim solidaritet në të Tiranës me nxënësit e rretheve. Më merr malli për gjithë atmosferën e bukur që kam përjetuar në ato vite me gjithë hallet e veta.
Nëse do ktheheshit pas për një moment të së shkuarës, çfarë do ndaleshit për ta kujtuar me dëshirë?
Preferoj të tregojë gjëra që sot më bëjnë të qesh po në kohën kur kanë ndodhur kam qarë. Për shembull kur jam martuar, ditën që dola nga shtëpia nuk kam qarë, kur erdhën krushqit pasi kisha nusëruar 12 orë u kujtova, e s’më pushonin lotët, e kështu…
Ka ndonjë gjë për të cilën jeni penduar apo nëse do t’i riktheheshit do ta bënit ndryshe?
Nëse e lëndojë dikë për arsye të ndryshme të momentit, të gjaknxehtësisë, apo ndonjë motiv banal, pa dashje, për këtë pendohem. Për të kaluarën e largët a e afërt qoftë, vlen pendimi. Pesha e pendimit është mundimi.
Na thoni diçka për albumin? Cila është tematika që bashkon këngët? I keni shkruar vetë tekstet? Kur shkruan Irma, çfarë e frymëzon?
Në gjithë këto vite kam sjell këngë, por jo të mbledhur në album. Kanë qenë “single”, por rruazave kur u mungon fija humbin, ikin. Ndaj edhe artistët them hera-herës duhet ta përmbledhin krijimtarinë e tyre, si një buqetë për publikun që i ndjek por edhe për veten, pse jo!. Albumi “Pranga malli” ka dy krijime të mijat me tekst edhe muzikë. Tekstet kanë tema të ndryshme, fëmijëria, jeta, dashuria. Përgjithësisht më pëlqen të vë në dukje fenomene, copëza jete, ndodhi, ato që përkufizohen me fjalën “sociale”. Të jem te njerëzit. Gjithçka të bukur që ndodh ta them me këngë. Trishtimi nuk më frymëzon te kënga.
Si u ndjetë në raport me konkurrentët e tjerë Kult?
Çmimet ishin për gjini të ndryshme. Të gjithë ishin në një lartësi, të vlerësuar. Pati për të gjithë njerëzit në sallë një moment të bukur dhe prekës. Momenti kur në ekran u shfaqën artistë që nuk jetojnë më. U emocionuam.
Ju spikatni për spontanitetin tuaj, çfarë ju bën të sigurt tek rastësitë? Kur dhe si e keni fituar sigurinë në atë që thoni dhe bëni?
Spontaniteti dhe rastësia nuk me duken se rrinë bashkë me njëra-tjetrën. Të jesh spontan për mua do të thotë që çdo herë për x situatë të përdorësh mendjen dhe pa-mendjen. Të bësh një veprim të natyrshëm si të vjen, pak instinkt, pak guxim. Eksperienca të bën edhe spontan. Ndërsa rastësia është tjetër nocion…..
Artiste, grua, bashkëshorte, nënë, si iu kanë ardhur këto “role” në jetë?
Në fillim ishte “artiste” e para. Pastaj u bë “bashkëshorte” e para, pastaj u bë “nënë” e para dhe e para mbeti. Po e para e të parave, njeri.
Ka qenë e vështirë përballimi i tyre? Cili është limani ku të vjen shpesh të vraposh për t’u çlodhur, për të larguar dhembjen?
Jo! Kam një njeri të mirë në krah. E kam ndarë gjithmonë bashkë gjithçka, por Besniku në të vetmin rast nuk është zemërgjerë. Ma marrë pjesën më të madhe të shqetësimeve ne lidhje me punën, shtëpinë. Rrezaton paqe. Faleminderit Zotit!.
Çfarë ju bezdisë më shumë?
Mungesa e etikës, fodullëku, injoranca.
Si keni arritur ta mbroni identitetin tuaj në muzikën që e karakterizon origjinaliteti?
Më duket sikur do jap një provim filozofie me këtë pyetje. E në të vërtetë filozofia ime është e thjeshtë. Ti japësh jetës kuptim duke e parë gjithçka me dashuri.
Tashmë jeni një emër i njohur dhe i vlerësuar në muzikë. Si arrini të qëndroni në majë?
Është e vështirë ndonjëherë të mbrohesh edhe nga suksesi… Në majë? S’e kam shumë përzemër majën e një mali shumë të lartë, se nëse bie vdes fare. Preferojë vargmalet, që gjithmonë janë të larta dhe nëse rrëzohem nga njeri, mbetem të tjetri. Nuk e ngre kokën të shoh majat. Jam fobike, lë të më shohin majat mua.
Cili është mendimi juaj për muzikën që lëvrohet sot dhe emrat që qarkullojnë në treg?
Çdo brez përzgjedh më të bukurat e kohës së vet. I sheh filmat, i këndon këngët etj. Cilësia dhe mediokriteti ecin paralel. Në perceptimin tim ky i dyti ja ka kaluar tepër. Brezat do ta gjykojnë vetë.
Çfarë ju bën energjike dhe aktive, ka diçka që ju mban në ritëm, cila është?
Nuk kam një përgjigje klishe, se kështu se ashtu. Besoj që gjithçka vjen së brendshmi.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button