BotaKronika e ZezeLajmeVIDEO

Sulmi terrorist në xhami, rreth 50 të vrarë në Zelandën e Re (VIDEO)

Plot 50 të vdekur e mbi 40 të plagosur rëndë janë viktimat e të shtënave në dy xhami të Christchurchit, në Zelandën e Re. Kryeministrja neozelandeze, Jacinda Ardern i përshkroi incidentet si “sulme terroriste”, duke e cilësuar këtë si njërën prej ditëve më të errëta në historinë e vendit.

Një 28-vjeçar është akuzuar për vrasjen dhe 3 persona të tjerë, dy burra dhe një grua u ndaluan si të dyshuar për ngjarjen e rëndë, por njëri prej tyre më vonë u la i lirë. Deri tani, asnjë prej emrave nuk është bërë publik nga autoritetet, megjithatë, i dyshuari kryesor duket se është identifikuar vet.

Sulmin, ai e përcolli “live” në Facebook nëpërmjet një kamere që kishte në trup, ku dëgjohej të thoshte se ishte nga Australia dhe quhej Brenton Tarrant. Pamjet e tregonin duke qëlluar pa dallim mbi burra, gra e fëmijë brenda xhamisë “Al-Noor”.

Një dëshmitar okular rrëfeu për AFP-në momentet e panikut.

“Sa filluan të shtënat u fshehëm poshtë makinave dhe, kur e pamë që ato po vazhdonin, u përpoqëm të kapërcenim gardhin. Dukej sikur nuk do të mbaronin kurrë. Në një moment pashë një person me krahun të shpuar nga plumbat”, tha dëshmitari.

Autoritetet i bënë thirrje publikut që të mos i përhapë “online” filmimet tejet shqetësuese, siç i përshkruan ata. Facebook, ndërkohë, i ka mbyllur me shpejtësi profilet e agresorit në të dhe në Instagram, ndërsa po punon për të hequr çdo kopje të xhirimeve, që mund të jetë ende në qarkullim.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison e përshkroi Tarrantin si një terrorist tejet të dhunshëm të ekstremit të djathtë. Raportet në media tregojnë se i riu kishte lënë shënime, ku shpjegonte qëllimet e tij dhe parashtronte ideologjinë e tij antiemigracion dhe antimyslimanë.

Presidenti amerikan Donald Trump ishte ndër të parët që ofroi ngushëllimet e tij, e tha se Amerika qëndron në krah të Zelandës së Re për çdo gjë që mund të bëjë për të. Mesazhe dërguan edhe kryeministrja britanike, Theresa May, e Mbretëresha Elizabeth II. Të njëjtën gjë bënë Kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez Emmanuel Macron dhe Papa Françesku, ndërsa në Stamboll, myslimanët u mblodhën për ta dënuar sulmin me forcën e lutjes.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button