VIP

Anita Bitri

Anita Bitri u lind në Sarandë, më 8 Janar 1968 në një familje intelektuale. Të gjithë admironin tiparet e ëmbla dhe të bukura të kësaj fëmije ëngjëllor. Edhe pse ishte në kopësht, ajo këndonte me fëmijët e tjerë dhe imitonte në ambjentet e shtëpisë, recitonte pa pushim; që në atë moshë dinte shumë poezi të njohura dhe imitonte shumë këngë të festivaleve. Vlen për të përmendur pjesëmarrja e Anitës në Festivalin e Fatosave të rrethit të Vlorës, që u zhvillua në kopshtin Nr. 10, ku Anita u paraqit si valltare në rolin e “bletës punëtore”. Interpretimi i talentuar i Anitës tërhoqi vëmëndjen e pjestarëve të jurisë, të cilët e vlerësuan si valltaren më të mirë të këtij Festivali. Ishte vetëm 6 vjeçe dhe Anita ishte pjesmarrëse e rregullt e Festivaleve të Fatosave dhe të Pionerëve të rrethit të Vlorës, duke u vlerësuar edhe me çmime nderi. Për t’u përmendur janë këngët e kënduara prej saj “Kukulla ime” dhe ”Agimi dhe fshesa”. Fare e vogël, Anita kishte një pasion shumë të madh për muzikën. Dhe kjo është e lidhur dhe me trashëgimin kulturore të familjes së mamasë, të cilët kanë pasur në fisin e tyre shumë muzikantë dhe këngëtarë, ku spikat sidomos gjyshi i mamasë, Rauf Ngraçani, që ishte një talent i lindur në të kënduar. Në Berat ai ishte i kërkuar në dasma për zërin e tij të bukur. Vajza e tezes së Anitës, Majlinda ishte këngëtare profesioniste me grupin muzikor të Ersekës, vajza e dajës Mira (e Tafil Ngraçanit) bënte pjesë në trupën e valleve dhe të baletit në Tiranë. Pa përmendur që gjithë fisi i mamasë mbartnin talent natyror në fushën e artit, dasmat e fisit Ngraçani ktheheshin në një konkurs të vërtetë zërash dhe valltarësh. Talenti i saj i veçantë për muzikën tërhoqi vëmendjen e profesorit të violinës, zotit Robert Papavrami, i cili u mahnit nga veshi muzikor i Anitës në konkursin që u zhvillua për pranimin e elementëve të vegjël për klasën e parë të Shkollës së Muzikës “Naim Frashëri” në Vlorë. Për të parën herë profesori i madh u ndesh me një talent të tillë të dhuruar nga natyra. Anita, sipas profesorit, ishte një nga rastet e rralla që kishte 99 % talent të dhuruar nga Zoti dhe i duhej vetëm 1 % punë për t’u bërë gjeni në violinë. Intuita e profesorit nuk gaboi; do të duhej vetëm një vit pune që Robert Papavrami dhe Anita të dilnin para spektatorit vlonjat në një duet me violin, duke mahnitur sallën me interpretimin e tyre virtuoz. Vitet e shkollës fillore dhe tetëvjeçare u karakterizuan nga një pjekuri e lartë artistike e Anitës në drejtim të violinës. Por Anita ishte edhe një nxënëse e mirë në disiplinat e tjera, përveç solfexhit ajo ishte e pasionuar edhe për sportin, veçanërisht i pëlqenin ushtrimet gjimnastikore dhe lojrat e topit me dorë (basketbolli dhe voleibolli) dhe në këtë fushë shfaqej si një sportiste e lindur.Anita ishte një fëmijë ëndërrimtar dhe shumë e apasionuar pas muzikës dhe këngës. Këngëtarja Vaçe Zela ishte hidhulli i saj, Anita ëndëronte të bëhej si ajo, një këngëtare e famshme.Në vitet e shkollës së mesme Anita filloi të studionte fshehurazi dhe të besonte në eksistencën e Zotit dhe t’i bindej verbërisht Atij. Të gjithë habiteshin me bindjet e saj fetare, të ndaluara për atë kohë. Anita pa asnjë druajtje shprehej që dhuntitë e saj ishin dhuratë e zotit dhe çdo gjë e shikonte në këndvështrimin e tij. Në shkollën e mesme të muzikës “Naim Frashëri”, ku Anita vazhdoi nga viti i parë deri në vitin e katërt, karakterizohej si një nxënëse shembullore, veçanërisht në violinë, që ishte edhe instrumenti për të cilën vazhdonte shkollën. Pasioni i fëmijërisë, kënga, ia kishte lënë vëndin violinës dhe solfexhit.Në vitet 1980-1986 Anita prezantohet para publikut vlonjat si violiniste në orkestrinën e shkollës së muzikës “Naim Frashëri”, mirëpo duke u rritur po e thërriste paisoni për këngën, të cilin ajo filloi ta demostronte te shokët e klasës dhe profesorët e kantos. Të gjithë kuptuan se përveçse një violiniste e talentuar, Anita kishte edhe një zë të jashtëzakonshëm. “Një zë i ëmbël e njëkohësisht i rrallë”, e cilësuan profesorët e saj. Prezantimi i Anitës si këngëtare ishte thjesht një rastësi e përgatitur nga Zoti. Gjatë një koncerti ku Anita merrte pjesë si violiniste, një nga këngëtaret u sëmur dhe kështu, lindi domosdoshmëria të zvëndësohej. Shokët e orkestrës, që e kishin dëgjuar Anitën të këndonte, propozuan atë dhe efekti ishte i mahnitshëm. Prezantimi i parë u prit me duartrokitje pa fund nga publiku i sallës i elektrizuar nga zëri i bukur i saj. Ky ishte fillimi i një karriere të gjatë dhe të lavdishme, që ka vetëm një protagoniste: të madhen dhe të paharruarën ANITA BITRI Kënga e parë e saj në shkallë kombëtare titullohet “Hartimi dhe Dëbora”. Në anketën muzikore të Radio Tiranës për këtë këngë, Anita vlerësohet për interpretimin e saj brilant. Më pas, sukseset e saj vazhduan me këngën shumë të njohur, “Mos u nxito, mos u gabo” të Alqi Boshnjakut në Koncertin e Pranverës 1988, ku u vlerësua me çmim të parë. Talenti i saj nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kompozitorëve të njohur të asaj kohe. Flamur Shehu është i pari që do të besonte tek Anita dhe do të fillonte të bashkëpunonte me të në disa festivale me radhë të Radio Televizionit Shqiptar. Vlen për t’u përmendur interpretimi i këngëve “Lulet e majit i çel në janar”, “S’ka formulë në Dashuri”, “Abrakadabra” etj. Në këto vite triumfi pranohet si këngëtare profesioniste në trupën e Teatrit të Estradës Vlorë. Më pas korr një sukses të jashtëzakonshëm me koncertin e saj recital “Anita” në shkallë kombëtare.Në çdo vit që kalonte, Anita shihej si një rrezik i madh për marrjen e çmimeve, sepse nga kënga në këngë, nga viti në vit, konfirmohej si një këngëtare pa të cilën festivali nuk kishte kuptim. E gjitha kjo nuk u arrit veçse nga talenti i saj i padiskutueshëm, mënyra se si e interpretonte këngën, luku plot shije dhe mbi të gjitha, për faktin se ajo pati guximin të fusë elementët e rinj bashkëkohorë dhe shumë modernë për kohën. Te këngëtarja Anita Bitri gjendet gjithçka që Zoti i ka dhuruar një artisti. Krahas këngës Anita nuk la pas dore dhe studimet, ishte vullneti dhe dëshira e saj që bën të mundur vazhdimin e studimeve për kanto dhe violinë në Shkollën Pedagogjike “Dhaskal Todri” në Elbasan, ku në vitin 1982 diplomohet si mësuese kantoje. Drejtori i kësaj shkolle, Sul Dedej do të shprehej për Anitën: “Nuk është vetëm një këngëtare e talentuar, por dhe një nxënëse e shkëlqyer”. Profesionin e mësueses, Anita e ushtroi vetëm për pak muaj, pasi ajo që e thërriste ishte kënga. Zoti i kishte caktuar një mision, të lumturonte popullin e vet me zërin e saj magjik.Koncerti i dytë recital “Anita”, që u zhvillua me një sukses të jashtëzakonshëm në çdo cep të Atdheut, bëri që ajo të fitonte një popullaritet të jashtzakonshëm në çdo qytet të Shqipërisë. Pas një shfaqjeje të suksesshme në Tropojë, iu bë ftesa për të shkuar në SHBA. Në mars 1996 Anita mbërrin në “tokën e premtuar”. Gjatë qëndrimit në Amerikë aktiviteti artistik i Anitës ka qënë i pandalshëm dhe gjithmonë në rritje. Anita ka qënë përherë e lidhur me problemet e Diasporës Shqiptare dhe ka ndihmuar shumë në rritjen e prestigjit të artit shqiptar. Ajo nuk ishte vetëm një artiste e thjeshtë, por edhe një patriote e flaktë. Vlen për t’u përmendur koncertet e bamirësisë dhe pjesëmarrja e saj në aktivitetet për mbledhjen e ndihmave për luftën në Kosovë si dhe koncerti i bamirësisë që u zhvillua në 10 prill 2000 për mbledhjen e ndihmave për fëmijët e varfër të Shqipërisë. Për këtë koncert ajo meritoi lavdërimet dhe respektin e Presidentit të Shqipërisë, zotit Meidani dhe gjatë interpretimit të disa këngëve u shoqërua nga vetë gruaja e Presidentit. Anita ishte njëkosisht dhe një anëtare aktive e Organizatës së Gruas Shqiptare në Amerikë “Motrat Qiriazi”. Ajo e shikonte pjesëmarrjen në koncertet e ndryshme të komunitetit si dhe ato bamirëse si vazhdimësi të rrugës së saj artistike. Në këtë mënyrë, talentin dhe zërin ia dedikoi tërësisht çështjes shqiptare. Për ta ilustruar aktivitetin e saj artistik po japim disa fakte: Realizimi i albumit të parë me këngë “Malli” në vitin 1999 dhe respekti që tregoi Misioni Shqiptar në New York, duke bërë promovimin e këtij albumi në ambjentet e veta. 5 prilli i vitit 1999 solli dhe daljen në skenat e Brodoway të Anitës jo vetëm si këngëtare por edhe si violiniste në koncertin e përgatitur nga Organizata “Madre”, mjaft e njohur në Amerikë. 12 gusht 1999, Anita shpalosi vlerat e jashtëzakonshme të muzikës së bukur shqiptare para të gjithë ambasadorëve të botës, në mbrëmjen e organizuar nga Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara. Dhjetori i vitit 1999 solli fitimin e konkursit të zhvilluar nga kompania amerikane C.P.V. për të kënduar dy këngë në programet e tyre televizive. Vera e vitit 2000 ishte e shoqëruar me koncertet recital të Anitës bashkë me aktorin dhe regjizorin e njohur Koço Devole në shumë shtete të Amerikës. 26 nëntor 2000, në 9-vjetorin e gazetës “Illyria”, Anita e bëri më tërheqës këtë koncert, duke kombinuar zërin e saj magjik me lojën me violinë. 12 nëntori 2000 sjell prezantimin e Anitës si këngëtare dhe violiniste, në koncertin e madh në New York, së bashku me Ivna Mulën, Piro Çakon dhe Silvana Braçen. Viti 2001 filloi me një tjetër sukses në jetën artistike të Anitës, ftohet për të prezantuar muzikën shqiptare në një koncert të përbashkët amerikano-shqiptaro-turk, ku shpaloseshin vlerat artistike të këtyre 3 vendeve. Në këtë koncert ajo prezantohet me një nga kompozitoret me famë në Amerikë, Tina Shaffer (kompozitore e Sellin Dionit, Dona Sammer, Betty Midler etj). Tina e vlerësoi zërin e Anitës si “një zë engjëllor që zbret nga qielli”. Viti 2002 ishte një vit pune intensive për gërshetimin e muzikës moderne shqiptare me atë amerikane. 24 janari 2003 nisi me pjesëmarrjen e Anitës në një nga koncertet më të mëdha të komunitetit shqipëtar, ku Anita prezantoi muzikën e lehtë shqiptare përkrah këngëtarëve kosovarë dhe maqedonas. Vitet 2003-2004 ishin vite tepër të rëndësishme për rritjen artistike të Anitës. Gjatë kësaj periudhe ajo shpalosi vlerat e artit dhe të muzikës shqiptare në kufijtë e Amerikës.  Viti 2004 shënoi edhe fillimin e punës si kantautore, që u materializua me albumin “Çdo gjë është e mundur”. Në këtë album do të gjeni të gjithë frutin e eksperiencës dhe të pjekurisë artistike të kësaj artisteje të madhe. Anita ndërkohësisht po punonte dhe po hapte një rrugë të re në artin e Diasporës Shqiptare, ajo po bënte gërshetimin e muzikës sonë të bukur me Pop-in amerikan. Por të gjitha këto suksese në jetën artistike nuk do të bëheshin të mundura pa përkrahjen dhe respektin që tregoi publiku i dashur shqiptar, të cilin Anita e adhuronte dhe i dhuronte çaste të gëzuara me zërin e saj magjik. Gjithashtu një rol të rëndësishëm dhe vendimtar në këtë drejtim luajti dhe lindja e Siborës. Lindja e vajzës ishte një nga dhuratat më të mëdha, që Zoti i fali. Engjëllushen e vogël e rrethoi me një dashuri dhe përkujdesje të papërshkrueshme. Anita e edukonte me respektin për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, përkujdesej në mënyrë të veçantë për ecurinë e saj shkollore, ishte një nënë e përsosur dhe një  edukatore e mirë. Por kënaqësin Zoti ia shtoi me ardhjen e nënës në Amerikë, sepse Hazbija jo vetëm që ishte shumë e lidhur me Anitën, por njëkosisht ishte një nxitje në jetën e saj artistike , duke flijuar çdo gjë me qëllim që t’i linte hapësirë krijmtarisë artistike të vajzës dhe këngëtares së saj të adhuruar. Anita ka qënë për të gjithë familjen Bitri, nderi dhe krenaria e saj. Me ikjen e Anitës arti dhe publiku shqiptar humbi një zë të mrekullueshëm, Shqipëria një patriote të flaktë, diaspora një aktiviste dhe personalitet muzikor, familja dhe miqtë, një artiste dhe shoqe të mrekullueshme. Për Anitën (Elisabeta Ilnica) Një zhurmë gjigande çau qiellin e nxirë. Ishte rrufe, a ndoshta apokalips?! E gjithë njerëzia u përul. Kudo lutej për shpëtim…Më në fund, dëgjohet një zë. Oh, nuk është zë i zakonshëm, por një e qarë fëmije. Zemërimi i kohës, stepet. Ngjyra e zezë zbehet kudo, duke u shndërruar në agim. Drejt detit rikthehen pulëbardhat. Toka dhe qielli bëjnë paqe. Zoti solli në këtë botë përgjigjien e lutjeve, Anita Bitri. Sarandë, 8 janar 1968. Një vogëlushe do të ndryshonte jetën e shumë njerëzve. Mbase, mbase edhe të një kombi. Ajo nuk dinte të ecte, por vetëm të vraponte bashkë me erën. Kërkonte të gjente misionin, për të cilin ishte bekuar. Ngre kokën lart. Një rreze hyjnore i sjell lajmin: Anita ka lindur për të bërë art. Ka ardhur në këtë botë për të shenjtëruar muzikën. Do të triumfojë përjetësisht për këngën. Vrapimi ndalon përkohësisht në Vlorë. Sërish në bregdet, sërish pranë valëve. Ajo që e thërriste ishte kënga. Tashmë nuk mund të kuptonte veten dot pa të. Ishte e destinuar që zëri i saj të mrekullonte. Përpara Anitës qëndronte pasqyra. Mori krehërin dhe e afroi afër flokëve. I preku pakëz dhe e ndaloi te baluket e shkurtëra. Dalëngadalë e uli poshte e më poshtë. Pa dashje, ceku paksa dhe hundën. Stop! Tani ishte momenti. Duhej vetëm të provonte zërin. Kurajua nuk i mungonte. Po ashtu dhe mikrofoni prej krehëri. E vetmja gjë që i kishte mbetur, ishte të përpiqej. Pasqyra e madhe i tregonte spektatorët që prisnin me padurim vogëlushen të këndonte. Mbylli sytë fort dhe shtrëngoi “mikrofonin”. Tashmë nuk kishte mbetur gjë tjetër veçse të bindte zërin. Më në fund guxoi. Ishte vetëm një refren i këngëtares së madhe Vaçe Zela. Një refren, që e bëri të mos ndalonte kurrë më së kënduari. Asgjë nuk mund ta pengonte më tani. Krehëri dhe pasqyra do të ishin dy kritikët më të aftë, por edhe dy miqtë e saj më të mirë, të cilët nuk do t”i  ndante dot nga vetja. Provat sekrete në dhomën e gjumit do t’i vazhdonte, derisa një ditë gjeti një njeri, me të cilin i bashkonte diçka e përbashkët; etja për të bërë art! Quhej Robert Papavrami. Nuk ishte më tepër se 7 vjeç, kur mjeshtri i violinës kërkoi të bindte gishtat e vogëlushes mbi telat e violinës. E çuditshme…Profesor Berti që kishte bredhur botën, nuk kishte parë kurrë fëmijë tjetër që të “skllavëronte” në atë mënyrë violinën. Gjithnjë kishte dashur që të ushtronte njerëz me 1 përqind talent dhe 99 përqind punë. Por kësaj here, ai kishte gjetur dikë që kishte 99 përqind talent. Ajo quhej Anita Bitri. Tashmë, nuk i duhej veçse 1 përqind punë. Ata dolën para spektatorëve në një duet tepër special, duke u prezantuar si mjeshtra të violinës. Një sukses për t’u patur zili. Tashmë violina kishte gjetur duart e merituara, por…Anita donte që zëri i saj të dilte jashtë dhomës së gjumit. Donte që ta dëgjonin që dinte të këndonte, po aq bukur, sa ç’dinte të nënshtronte violinën. Vendosi të kujdesej për zërin në fshehtësi. Ngadalë u mësua me sekretin e saj. Kur prekte telat e violinës, në mendjen e saj ishin vargjet. Këndonte nën zë. Dashje pa dashje, por me një dëshirë të madhe, Anita fillon të mësojë rreth zotit dhe të besojë në të. Që nga ai moment, nisi ta ndjejë veten e privilegjuara e Tij. Ishte DESTINI që e kishte kompletuar lidhjen mes Anitës dhe Zotit. Ishin detaje të vogla, por që do të ndryshonin “kursin e lundrimit”. Festivali i Interpretuesve të Klasës Punëtore në Elbasan fton Anitën të konkurrojë. Ishte veçse një maturante për nga mosha, por jo për nga zëri. Osman Mula i kishte besuar këngën “Eja”. Por nuk mjaftonte kaq. Anita nuk kishte mbushur moshën që të merrte pjesë në këtë festival. I duheshin dhe pak muaj që të bënte 18 vjeç. Lufta filloi, për të mbaruar shumë shpejt me fitoren e Anitës. Ishte publiku elbasanas, që jo vetëm e ndihmoi që të marrë pjesë në festival, por edhe u bë aleat i fuqishëm, duke ndikuar në juri, që ajo të merrte çmimin e tretë. Ky ishte Destini, që aq shumë e lidhte jetën e saj, Anita. Hapat filluan të shtoheshin drejt këngës. Tani kishte vetëm ngjitje. Sekretet morën fund. Anita dinte të këndonte po aq bukur sa ç’i binte violinës. Qershor 1986, ajo bëhet fituesja e çmimit të parë në festivalin e Interpretuesve në Vlorë, me një kompozim të Arben Zhezhës. Rrugët ishin të hapura. Destini kishte bërë punën e tij, tashmë ishte radha e Anitës për t’ia shpërblyer atij. Vetëm 6 muaj më pas, Anita rrëmben një tjetër çmim të parë po në Vlorë, por kësaj here në festivalin e Këngës, edhe pse më të njëjtin kompozitor. Dimri trokiti sërish. Anita më në fund mbushi 18 vjeç. Ajo mund të çante në mes të të rriturve në moshë, por edhe mes të të rriturve të këngës. Ajo ëndërronte që zëri i saj të depërtonte në çdo shtëpi të Shqipërisë. Ishte qershori 1987, që do t’i plotësonte asaj këtë dëshirë. “Hartimi dhe dëbora”, që u krijua nga shoqja e klasës Laureta Çuku, i dha ngadhënjimin e dytë në Tiranë. Ky ishte veçse fillimi, pasi fundin kishte vendosur mos ta mendonte kurrë. Do të përmbushte misionin. Destini dhe talenti i saj do ta ndihmonin. Viti 1988. “E vogla mes shoqesh”, e kompozitorit David Tukiqi i dha çmimin e tretë të jurisë, por të parin për spektatorin. Ndërrimi i viteve shpalos një tjetër sukses me duetin Bitri-Ndoci, “Shikomë në sy”. Ndërsa “Mos u nxito, mos u gabo” në Koncertin e Pranverës 1988, në bashkëpunim me Alqi Boshnjakun dhe Aleksandër Vezulin, nuk ishte më një këngë që i dha çmimin e parë Anitës, por një perlë për gjithë muzikën e lehtë shqiptare. Pranverë 1989, Anita shpërthen sërish teksa këndonte “Lulet e majit, i çel në janar”.  3 muaj më pas, rrëmben çmimin e dytë në koncertin e Këngës me “Era përcjell fjalën të dua”, të kompozitorit Gjergj Leka, e cila mori çmimin e dytë. Recitali “Anita” bën që këngëtarja vlonjate të kalojë kufijtë e Shqipërisë. Turqia i dhuron vendin e dytë në Festivalit Ballkanik në mars 1990. Anita rikthehet në Shqipëri gjithnjë e më ngadhënjyese. Flamur Shehu dhe Jorgo Papingji nuhasin te vajza vlonjate madhështinë e të interpretuarit. Në dhjetor 1990, ata i besojnë asaj dhe shpërblehen me çmimin e parë. Bashkëpunimi Bitri-Shehu-Papingji vazhdon të sfidojë. “S’ka formulë në dashuri” vlerësohet e dyta. Treshja e muzikës rishfaqet prapë bujshëm me këngën “Fat dhe dashuri”. Kjo bën që Anita të prezantojë zërin e saj edhe nëpër Evropë. Rikthehet me çmimin e tretë në dhjetor 1993, në festivalin e Këngës me anë të kompozitorit vlonjat Artur Dhamo. Megjithatë, Anita kishte shumë etje që zëri i saj të dilte nga kilometrat që përbëjnë Shqipërinë. Edhe pse kishte bërë disa tentativa, ishte kthyer gjithmonë për festivale. I druhej mungesës në skenën shqiptare. Pas shumë lëkundjesh vendosi që të paktën për një vit të shfaqte zërin e saj nëpër Evropë. Nuk u zhgënjye, ashtu siç nuk u zhgënjye edhe publiku jashtë kufijve shqiptarë. Por festivali ishte pika e dobët e Anitës. Në vitin 1995 ajo zotëron sërish skenën jo si konkurrente, por si e ftuara e nderit të festivalit. Kërkesat e shumta të publikut bënë që vetëm pak muaj më pas, ajo të zhvillonte koncertin e dytë recital në Vlorë. Për dy ditë me radhë ajo e ndjeu veten e privilegjuara e Zotit dhe e publikut. Duartrokitjet e vlonjatëve arritën nga jugu në veri. Pasi këndoi për shumë qytetete të vendit, në Tropojë merr ftesë që zëri i saj të dëgjohej dhe në Amerikë. Destini ishte sërish me të. Po ashtu edhe Zoti. Viti 1996.Shqipëria po vuante nga arti gjithnjë e më i dobët. Kritikët mungonin, ndërsa Anita kërkonte majën e ajzbergut të muzikës. E dinte që Amerika përkthehej si vendi i realizimit të ëndrrave. E dinte që fama e priste edhe në perëndim. Më në fund arrin në “tokën e premtuar”. Dielli shqiptar filloi t’i mungojë menjëherë. E kishte ditur që nga fillimi që do ta kishte të vështirë, por jo kaq. Ishtehera e parë që lutej për Destinin. Duke qenë se për momentin, ai nuk u përgjigj, atëherë Anita vendosi që ta kërkonte vetë. E vetmja gjë që duhet të bënte, ishte të këndonte. I vuri detyrë vetes që të mos harronte kurrë misionin e saj që nga lindja. Për tri vite me radhë, harroi së qeni Anita, por vajza e këngës. Më në fund, Destini u kthye. Në mars 1999 ajo nxjerr albumin e parë më SHBA, me titull “Malli”. Këngët e saj promovohen në ambjentet e Misionit të Ambasadës Shqiptare në Nju- Jork. Miss Albania, U.S.A. e bërë sërish që të ishte e ftuara speciale. Agjensia amerikane C.P.V, e cilëson si këngëtare profesioniste gjatë një konkursi mes dhjetra këngëtarëve shqiptarë. Emri Anita nisi të marrë shumë kuptim edhe në anglisht. Më 7 dhjetor 1999, ajo ftohet nga organizata ndërkombëtare “Madre” , si përfaqësuesja më e denjë e këngëtarëve shqiptarë. Pas shumë vitesh, Anita pregatit edhe një surprizë. Loja me violinë kishte nisur ta tërhiqte sërish. Duke ndërthurur këngën me violinën, ajo arriti që brenda 3 minutash të tërhiqte vëmendjen e yjeve të Hollivudit, si Tom Robbins, Susan Sarandoë, Vanesa Redgrave, Danny Shechtler, Eve Essler, Nenad Bach, etj. Kjo ishte “mirëseardhja” amerikane për Anitën. Ata e ftuan në botën perëndimore të muzikës, duke e vlerësuar si pop-singer. Sa mirë që Perëndia ishte sërish me të. Anita u bë emri që bashkonte të gjithë shqiptarët e Amerikës. Anita u bë vajza që mblodhi rreth një tryeze gjithë ambasadorët e botës në gusht 1999. Ata nuk dinin shqip, por arritën të ndjejnë shqip vetëm nëpërmjet zërit magjepsës të këngëtares vlonjate. Vetëm 24 orë më pas, ambasadori i U.N. i drejtoi Misionit Shqiptar një letër falenderimi për ambjentin e krijuar dhe muzikën e bukur shqiptare të interpretuar nga Anita Bitri. Viti 2000 nxjerr sërish atë si të privilegjuarën e këngës. Një koncert me përmasa tejet të mëdha, ku merrnin pjesë, Inva Mula, Pirro Çako, Pali dhe Zerina Kuke, apo i famshmi Fadil Berisha, nuk mund të ishte kurrë i plotë pa Anitën. Ajo sfidon me një serial koncertesh recitale, duke çuar gjithnjë publikun në këmbë. Tashmë Anita kishte bërë një pakt me dashamirësit e saj. Ajo do të këndonte për to dhe publiku do ta deshte për këtë. Të adhuroje muzikën e Anitës u kthye në një ëndërr, nga e cila nuk dëshironte të zgjohej asnjeri. Përkundrazi, po u pëlqente bota e re me emrin “Anita”. Kështu, ndodhi. Ajo vazhdoi udhëtimin e saj me koncerte në shumë qytetete të SHBA-së.Ditë pas dite, ajo lartohej gjithnjë e më shumë. Sa më shumë këndonte, aq më shumë ngrihej. Në këto ditë triumfi, ajo takoi edhe kompozitoren e famshme botërore të Celin Dionit, Tina Shaffer. “Zëri i Anitës është shumë i kompletuar dhe ëngjëllor që zbret nga qielli”, do të thoshte e mahnitur Tina amerikane. Viti 2002 sjell një Anitë këngëtare gjysmë shqiptaro-amerikane. Këndonte, shkruante dhe kompozonte. Tashmë ajo shfaqet si një kantautore e mahnitshme. Në janar të vitit 2003, prezanton një koncert me këngëtarë shqiptarë, kosovarë dhe maqedonas, ku nderohet nga ambasadori Uilliam Ualker dhe drejtori i projektit të Evropës Lindore në CSIS, zoti Janusz Bugajski. Një muaj më vonë Anita nënshkruan një kontratë për një album të ri me një kompani amerikane “An’Km records@Enterteiment”. Tashmë “Toka e premtuar” i dha gjithçka kishte ëndërruar, por jo atë për të cilën e kishte caktuar destini. Kishte ardhur finalja. Anita duhej të ndryshonte fatin e një kombi. Do të kthehej në Shqipëri. “Anita, kjo është Anita Bitri. Është kthyer Anita!”.Nuk e kishte dashur kurrë emrin e saj aq shumë sa atë ditë të nxehtë korriku. Ngado që lëvizte kokën, kishte njerëz që e vështronin me admirim. Luku dhe veshja “made in USA”, vetëm sa e zbukuronte, pasi ajo ishte e gjitha shqiptare në tokë shqiptare. “Çdo gjë është e mundur”. Bashkëpunimi me producentin amerikan, James Avatar në 14 këngët e këtij albumi befasuan menjëherë publikun shqiptar. Ata e adhuronin Anitën. Planet ishin të mëdha. Megjithatë, duhej të kthehej edhe njëherë drejt Amerikës, për të ardhur më vonë përgjithmonë në Shqipëri……… Avioni ndërroi qiell. Tetori sa vinte dhe bëhej më i egër, duke i shpallur luftë brishtësisë. Donte të sfidonte dimrin. Orë pas ore ditët vjeshtake bëheshin gjithnjë e më të plogështa. Ah, po bien disa këmbana. Dikush po pregatitet për udhëtim të largët. Perëndia po e thërret. Njerëzit kureshtarë dalin të shohin. 19 tetor. Nënë Tereza po shenjtërohet. Të gjithë përkulen para saj. Të gjithë e lusin Nënën e Madhe që ta shoqërojnë në “aventurat” e saj qiellore. Dhe ajo nuk di kë të zgjedhë. I duhet dikush tepër e veçantë dhe tepër e pastër. Dikush që të ketë diçka hyjnore. Vështron fytyrat me radhë. Anita i përgjërohet që të jetë ajo e zgjedhura e saj. Nënë Tereza e kuptoi se atë e kishte caktuar destini. I zgjat dorën dhe e fton në udhëtim. Por Anita nuk mund të nisej pa të dashurat e saj. I lutet që të marrë me vete Siborën e vogël dhe nënën. Shenjtorja u bind. Tashmë suita qiellore po i priste me të gjitha nderimet. Nënë Tereza i caktoi misionin e ri Anitës: Të këndonte përjetësisht për engjëjt …

Shkarko Anita Bitri Mp3

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button