LajmeSport

Ka ardhur koha për të mundur Teteksin

“Sigurisht se do të shkojmë në tri pikë, të cilat do të jenë shumë të vlefshme për ne dhe për vazhdimin e kampionatit. Mendoj se me këto tre pikë ne mund të sigurojmë vendin e parë”, deklaroi Elmedin Rexhepi.

Kur kanë mbetur vetëm katër ditë deri në zhvillimin e ndeshjes së javës së 23 mes Shkëndisë dhe Teteksit, atmosfera në qytet është duke u nxehur. Tifozët paralajmërojnë spektakël, fansat e Shkëndijës presin fitore, ndërsa futbollistët anash çdo presioni janë duke zhvilluar seancat stërvitore në kërkim të arritjes së formës maksimale para këtij dueli të rëndësishëm. ‘Kuqezinjtë’ rrethin e tretë dhe të fundit të garave në Ligën e parë e nisin me katër pikë para ndjekësit më të afërt Metalurgut dhe për të ruajtur këtë epërsi kanë nevojë të radhisin fitore deri në fund të kampionatit, ndërsa pengesë e parë në këtë drejtim është rivali i qytetit Teteksi. “Unë mendoj se jemi maksimalisht të përgatitur për të kaluar me sukses këtë sfidë. Besoj se për dallim nga dy herët paraprake kësaj radhe mund të fitojmë, për t`i dhënë vetes një siguri dhe për të kënaqur tifozët tanë, të cilët vlerësojnë shumë këtë duel. Nëse mundëm që Metalurgut, Rabotniçkit dhe Renovës t`u shënojmë nga 3-4 gola, përse të mos mundemi t’i bëjmë një ose më shumë gola Teteksit? Besoj te forca e ekipit dhe pres fitore kundër rivalit lokal”, u shpreh gardiani i Shkëndisë, Suat Zendeli, fjalëve të të cilit iu ndërlidh Elmedin Rexhepi. “Sigurisht se do të shkojmë në tri pikë, të cilat do të jenë shumë të vlefshme për ne dhe për vazhdimin e kampionatit, sepse me ato tri pikë ne mund të sigurojmë vendin e parë. Mendoj se ka ardhur koha ta mundim Teteksin”, tha Rexhepi, i cili në ndeshjen e fundit shënoi golin debutues në fanellën e Shkëndisë, duke u sjellë ‘kuqezinjve’ tri pikë nga transferta me Pelisterin. Ai tani shpreson që të vazhdojë këtë rritëm edhe përballë ish-skuadrës së tij. “Do jem përballë ish-skuadrës time, mirëpo kjo nuk do të thotë asgjë. Kam kaluar periudhë të mirë atje, por tani mendoj vetëm për Shkëndinë. Kjo është skuadra ime dhe përkundër faktit se përballë do të kem Teteksin, kjo nuk do të thotë se nuk mund të shënoj kundër tyre. Unë shpresoj se këtë ndeshje do të shënoj, por më e rëndësishme është që të fitojmë”, përfundoi Rexhepi. Shkëndija dominon këtë vit kampionatin e Maqedonisë dhe në dy raundet paraprake ka fituar të paktën nga një ndeshje përballë 10 skuadrave në Ligë. Ekipi i vetëm që në dy takime nuk është mundur nga ‘kuqezinjtë’ është Teteksi, që për momentin mund të krenohen se nuk kanë pranuar gol në 180 minuta përballë sulmit më të mirë në Ligë. “Sigurisht që kemi kapacitet për t’i bërë gol Teteksit. Ata kishin shumë fat në dy ndeshjet paraprake dhe nuk besoj të shpëtojnë edhe tani. Unë edhe më parë e kam cekur se nuk është me rëndësi se kush do të shënojë gol, por kryesorja është që Shkëndija të fitojë. Si kolektiv jemi ekip shumë i mirë dhe edhe pak më parë e ceka se mendojmë se kësaj radhe patjetër e kemi të mposhtim Teteksin, pasi na duhen pikët dhe mendjen e kemi të orientuar vetëm në fitore”, u shpreh sulmuesi ‘kuqezi’, Ersen Sali.  Ndeshjet mes Shkëndisë dhe Teteksit gjithnjë bartin me vete tension, nxitje dhe emocione shtesë, ndërsa këta takime vazhdimisht sjellin numër të madh shikuesve. Shkëndija është dominuese sa i përket publikut dhe ndoshta në këtë takim do të thyhet rekordi i shikueshmërisë. Një fitore eventuale e ‘kuqezinjve’ në këtë duel, do të ishte një hap tjetër drejt titullit të kampionit. Atmosfera e derbit lokal në Tetovë ka ditë që ka filluar të ndjehet, teksa nga grupi i tifozëve ‘Ballistët’ paralajmërohet spektakli i radhës në tribuna. E rëndësishme është që të mos përsëriten skenat nga dy ndeshjet paraprake ndërmjet këtyre dy skuadrave, kur me së shumti pësuan nga tabori ‘kuqezi’. Herën e parë si pasojë e trazirave në tribuna, Shkëndija u desh të luajë dy ndeshje pa publik, derisa në ndeshjen e dytë pas konfrontimit me policinë disa tifozë shqiptar u morën në pyetje. Tani duket se mësimi është mësuar dhe ‘Ballistët’ nuk kanë ndërmend të përsërisin gabimet dhe të japin shkas për të dënuar klubin. Ata kësaj here si kurrë më parë do të jenë në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës për të arritur një fitore që do t’i ofronte drejt cakut përfundimtar, titulli i kampionit shtetëror.

Hasani me pak gjasa për të luajtur

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button