KosovaLajme

KFOR-i niset drejt Jarinjes

KFOR-i sapo ka filluar një aksion të ri për të hequr barrikadat edhe në drejtim të pikës kufitare në Jarinje, në veri të Kosovës. Në drejtim të kësaj pike, të shtunën në orët e hershme, janë nisur me dhjetëra automjete të rënda dhe forca të mëdha të KFOR-it. RTK raporton se dhjetëra serbë janë vendosur mbi barrikadë për të penguar KFOR-in që ta largojë barrikadat.

Paqeruajtësit ndërkombëtarë të enjten dhe të premten hoqën disa barrikada në veri, të cilat u vendosen muajin e kaluar pas vënies nën kontroll të dy pikave doganore mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat për vite me radhë u shfrytëzuan për kontrabandim nga strukturat paralele serbe të kontrolluara nga Beogradi zyrtar dhe grupet kriminale të kësaj pjese të Kosovës.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Drews, të premten në mbrëmje kishte lënë mundësinë që të shtunën të zhvillojë një takim me përfaqësuesit serb në veri të Kosovës. Mirëpo, përgjigja e tyre ishte e shpejtë dhe në një farë mënyre refuzuese. Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet ilegale serbe në katër komuna të kësaj pjese të Kosovës u shprehen të gatshëm të bisedojnë për çështjen e barrikadave me gjeneralin Drews, por vetëm pas tërheqjes së KFOR-it.

Por Komandanti i KFOR-it sërish ua ka tërhequr vërejtjen serbëve se në rast se nuk largojnë barrikadat në veri, ushtarët e misionit do të jenë të detyruar ta përdorin forcën.
Drews ka thënë se dëshiron që barrikadat të largohen në mënyrë paqësore, por njëkohësisht ka theksuar se nëse nuk ndodh një gjë e tillë, misioni i NATO-s në Kosovë “do të jetë i detyruar” ta zbatojë mandatin e tij për të rivënë lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button