Deklaratë e drejtë dhe në moment të duhur. Kështu e vlerësojnë analistët e shqiptarë, por edhe ata maqedonas deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha i cili tha se Qeveria e Maqedonisë shqiptarët duhet t’i trajtojë si qytetarë me të drejtat e tyre të plota.
Analisti Kim Mehmeti thotë se zyrtarët e Tiranë tentojnë që ti nxisin partitë politike shqiptare në Maqedoni që të jenë më aktive dhe të mos jenë vetëm vasal të kryeministrit Nikolla Gruevskit. “Zyrtarët në Tiranë gjithnjë e më shumë e vërejnë se shqiptarët e Maqedonisë nuk ia dalin që t’i realizojnë qëllimet e veta, andaj duan t’i nxisin partitë e këtushme shqiptare që të jenë më aktive që të prodhojnë politikë, të mos jenë vetëm vasal të Gruevskit. Mendoj që këto deklarata të Berishës janë të qëlluara”, tha Mehmeti.
Analisti Branko Gerovski, tha se pajtohet me deklaratën e Berishës dhe se në Maqedoni nuk bëhet diskriminim vetëm në bazat etnike por edhe në bazë sociale.
“Tërësisht pajtohem me deklaratën e Berishës, dhe them se shqiptarët duhet të trajtohen si qytetarë të Maqedonisë me të drejtat e tyre të plota. Është e vërtetë që shqiptarët në Maqedoni janë të diskriminuar por gjithashtu edhe maqedonasit e Shqipërisë janë në njëfarë mënyre të diskriminuar”, tha Gerovski. Sipas tij shtyllë kryesore e stabilitetit në vend është që të respektohen të drejtat e shqiptarëve andaj kjo gjë është thënë mu në kohën e duhur sepse partitë politike në vend mendojnë vetëm për interesat e tyre. “Të drejtat e shqiptarëve janë shtyllë e stabilitetit në vend, por më e keqja është se partitë politike shqiptarë nuk lodhen shumë për t’i fituar këto të drejta pasi që interesimi i tyre është vetëm që të arrijnë në pushtet dhe t’i shohin interesat e tyre personale dhe jot ë popullit shqiptarë” theksoi Gerovski. Ndërkaq zëdhënësja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ermira Mehemti, përshëndet deklaratën e Berishës dhe thotë se kjo dëshmon interes të shtetit shqiptarë për popullin shqiptar të Maqedonisë. “Ne e përshëndesim dhe e mirëpresim deklaratën e kryeministrit Berisha. Kjo deklaratë flet për interesimin, përkushtimin dhe mbështetjen që i jep shteti shqiptarë klasës politike në Maqedoni, për të avancuar procesin politik në drejtim të arritjes së barazisë së plotë”, tha Mehmeti. Kurse nga partia opozitare, thonë se në Maqedoni ka lloj lloj diskriminimi të popullit shqiptarë. Zëdhënësi i Demokracisë së Re (DR), Arjanit Hoxha, këtë deklaratë e vlerëson si të qëlluar dhe thotë se kjo është hera e parë që Berisha në mënyrë direkte apelon që Qeveria të kujdeset për popullin shqiptarë. “Absolutisht pajtohemi me atë që e tha Berisha, se Qeveria bën shumë diskriminime ndaj popullit shqiptarë. Duke filluar nga enciklopedia, projekti ‘Shkupi 2014’, mos investimet në zonat e banuara me shqiptarë dhe së fundi regjistrimi i popullatës, janë veprimet më diskriminuese për popullin shqiptarë që janë bërë ndonjëherë. Andaj mendojmë se kjo Qeveri duhet të tërhiqet dhe të mbahet mend si një Qeveri më antishqiptare, anti NATO dhe anti BE”, tha Hoxha.