Organizata “Lëvizja Shqipëria e Re” të hënën do të organizojë një protestë paqësore në Tiranë, me moton “Në mbrojtje të vëllezërve, motrave dhe nënave tona shqiptare në Maqedoni dhe Preshevë”.
Protesta do të jetë në formë marshimi dhe do të mbahet përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të vijuar para Ambasadës së Serbisë në Tiranë si dhe më pas përballë ambasadës së Maqedonisë, njofton Noa.
“Ju ftojmë në aktivizimin e secilit prej jush për t`i treguar të gjithë botës se ne shqiptarët jemi gjallë dhe nuk e mbulojmë të vërtetën me heshtje, mosreagim dhe papërgjegjshmëri!”, thuhet në njoftimin e kësaj lëvizje, duke bërë të ditur se përmes protestës do të shprehet revolta dhe reagimi qytetar ndaj dhunës dhe arrestimeve të fundit të shqiptarëve në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës.
Delegacioni i kësaj organizate më pas do të drejtohet tek Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, dhe te Selia e Delegacionit të Këshillit të Evropës për të përcjellë denoncimet kundër ministres së Brendshme maqedonase, Gordana Jankullovska dhe ministrit të Brendshëm serb, Ivica Dacic.