Drogat transportohen edhe me mënyra të tjera. Sasi të vogla dërgohen me persona që luajnë rolin e korrierit, dhe udhëtojnë me avionë linjash drejt Evropës, për shembull nga aeroportet në Guayaquil, apo në Quito. Një metodë relativisht e re është marrja e avionëve me qira (charter flights), apo të ashtuquajturit “avionët e drogës” (narco-jets).
Për shembull, në prill 2018, dy shqiptarë u arrestuan pasi 1,000 kilogramë kokainë dhe më shumë se 1.5 milionë dollarë u zbuluan në një fluturim çarter nga Kolumbia në Madrid.
Në qershor 2019, Michael Dokovich, një shtetas i Malit të Zi me origjinë shqiptare, u arrestua pasi 600 kilogramë kokainë u kapën në një avion privat Gulfstream në Bazel, Zvicër që vinte nga Uruguai (me një ndalesë në Nisë). Ndihmësi i tij, Pero “Pjer” Sharac (Šarac) u arrestua pasi vajti tre herë në Amerikën e Jugut në vitin 2018, dhe mendohet se gjatë këtyre vizitave organizonte dërgimin e ngarkesave me kokainë.
Operacioni Familia, që u organizua nga DEA dhe EUROPOL, solli arrestimin e 16 personave. Është interesant fakti se pesë nga arrestimet u kryen në Azi. Mendohet se trafikantë nga Ballkani organizojnë dhe koordinojnë trafikimin në rrugë detare të ngarkesave shumë-kilogramëshe me kokainë, kryesisht në Hong Kong dhe Macao.
Disa trafikantë ballkanikë duket se preferojnë të përdorin jahte. Një grek dhe një shqiptar u arrestuan in Guayaquil në vitin 2018, ndërsa mundoheshin të trafikonin drogë në Evropë dhe Australi me një anije me vela. Darko Shariç gjithashtu përdorte jahte dhe përdorimi i këtyre mjeteve lundimi u përmend edhe në rastet e analizuara në kapitujt mbi Afrikën e Jugut dhe Turqinë. Një numër personash nga Ballkani perëndimor (veçanërisht serbë) janë arrestuar vitet e fundit duke trafikuar kokainë me jahte (që njihen edhe si narcovelero, apo narko-jahtet) nga Amerika Latine në Evropë, duke kaluar nga ishujt Azore, apo edhe nga ishujt Kanarie. Për shembull, në maj 2015, katër serbë u arrestuan në ishujt Azore pasi në anijen e tyre u gjetën 1,150 kilogramë kokainë.
Në qershor 2019, 797 kilogramë kokainë u konfiskuan pranë ishujve Azore në një anije që duket se ishte marrë me qira nga një grup kriminal serb. Po kështu, duket se, që nga viti 2018, Australia ka filluar të bëhet destinacion për trafikimin e kokainës nga Ekuadori. Një model i suksesshëm biznesi Shkurtimisht, gjatë dekadës së fundit, Amerika Latine është kthyer në një zone problematike në lidhje me përfshirjen e grupeve nga Ballkani perëndimor në trafikun e drogës.
Nga informatat e mbledhura së fundmi duket se kjo tendencë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Për shembull, sipas një burimi të afërt me strukturat antidrogë në Ekuador, 160 shqiptarë hynë në atë vend gjatë vitit 2018, dhe 20 prej tyre mund të kenë qenë trafikantë droge, ndërsa një burim nga policia kolumbiane tha se kanë vënë re një “rritje të pajustifikuar” në hyrjen e shtetasve shqiptarë në Kolumbi.
Nga ana tjetër, së shpejti mund të ndryshojnë edhe pikat e hyrjes: në janar 2020 Shqipëria dhe Guyana (në kufi me Brazilin dhe Venezuelën) nënshkruan një marrëveshje për heqjen e vizave. Kërkesa dhe oferta për kokainë mbetet e lartë, ndonëse edhe sasia e konfiskuar vazhdon të rrritet. Nuk është e qartë nëse kjo vjen nga puna më e efektshme e forcave të ruajtjes së rendit apo është thjesht një pasqyrim i rritjes së sasisë së drogës në qarkullim.
Pikat e dobëta dhe mangësitë që shfrytëzohen nga grupet kriminale nga vendet e Ballkanit perëndimor në Amerikën Latine duket se nuk do të zhduken edhe aq shpejt, dhe po kështu edhe volumi i trafikut të kontejnerëve drejt Evropës perëndimore ka shumë pak gjasa që të bjerë (edhe në kushtet e pandemisë COVID-19).
Nuk ka dyshim se grupet kriminale nga Ballkani perëndimor kanë fituar reputacion si partnerë të efektshëm dhe të besueshëm. Përveç kësaj këto grupe dinë të përballen me frikën. Të gjitha këto i kanë ndihmuar në krijimin e marrëdhënieve të mira me furnizuesit në Amerikën Latine, si dhe të fitojnë pozita më të forta në rrjetet e shpërndarjes, duke përdorur edhe porte në Evropën perëndimore, ku kanë bashkëpunëtorët e tyre. Duke qenë në gjendje që të blejnë direkt nga burimi në Amerikën Latine, dhe të shesin direkt tek blerësit në Evropën perëndimore, kanë mundësi që të kontrollojnë të gjithë zinxhirin e trafikut – thuhet në raportin e vitit 2020 të Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërshtetëror.
Kjo i ka lejuar që të rrisin pastërtinë e produktit, të ulin çmimet, dhe të kontrollojnë tregun. Për shembull, raportohet se grupet shqiptare në Britani ishin në gjendje që të blinin kokainë nga kartelet kolumbiane për 4,000 deri në 5,500 paund britanikë për kilogram, ndërsa rivalët e tyre kujtonin se po bënin pazar me leverdi kur blinin kokainë nga trafikantët holandezë për 22 mijë e 500 paundë për kilogram.
Po kështu, janë edhe oportunistë, duke kërkuar vazhdimisht për partnerë të rinj, korridore dhe tregje të reja; mënyra të reja transporti; si dhe metoda inovative për pastrimin e parave (duke përfshirë edhe kriptomonedhat). Shkurtimisht, duket se kanë gjetur një model të suksesshëm biznesi./Gazeta Shqip