Në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT), çdo vit e më shumë shtohet numri i studentëve të cilët transferohen nga universitetet tjera në këtë universitet.
Udhëheqësi i sektorit për informim pranë USHT-së, Selam Sulejmani thotë se numri më i madh i studentëve të cilët transferohen në USHT, janë nga universitetet private si Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) dhe të FON-i. “Kemi shumë studentë të cilët janë transferuar nga universitetet private në USHT. Numër drastik të madh shënojnë studentët e UEJL-së të cilët transferohen tek ne, dhe për këtë arsye jemi detyruar që të në muajin shtatorë të hapim konkurs special për këta studentë të cilët dëshirojnë të transferohen”, tha Sulejmani. Ai shtoi se shifra nuk mund të tregojë por thekson se numri i studentëve të cilët transferohen nga UEJL në USHT është shumë i madh, pa marrë parasysh se në cilin vit të studimeve janë. Ndërkaq nga UEJL, thonë se ka student të cilët transferohen për shkaqe të ndryshme, por ata nuk mbajnë evidencë se ku regjistrohen ata pas shpërnguljes nga UEJL. “Ka studentë të cilët transferohen nga UEJL, por pas tërheqjes së dokumenteve që e bëjnë, neve më nuk na intereson se ku regjistrohen, prandaj nuk mbajmë të dhëna të kësaj natyre”, tha Zeqiria Tahiri nga sektori për marrëdhënie me opinionin pranë UEJL-së. Gjatë vitit akademik 2009/2010 në USHT janë regjistruar gjithsej 2 mijë e 777 student, kurse gjatë vitit akademik 2010/2011, numri i studentëve të regjistruar në USHT është rritur në 3 mijë e 823 student. Kurse në UEJL gjatë vitit akademik 2009/2010 janë regjistruar gjithsej një mijë e 308 student, kurse gjatë vitit akademik 2010/2011, numri i studentëve të regjistruar ka rënë në 945 student.