Tre shtetas të Maqedonisë kanë humbur jetë në Kroaci
Tre shtetas të Maqedonisë kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku, që ka ndodhur herët në mëngjes në orën 4 e 30 minuta në autostradën Zagreb-Lipovac afër vendit Nova Gradishka.
Personat e vdekur, njoftuan mediat kroate, janë të moshës 32, 35 dhe 49 vjeçare. Lëndime të rrezikshme për jetën mori edhe shoferi 40-vjeç, i cili është shtetas kroat me origjinë nga Maqedonia. Ai është mbajtur për kurim në Sllavonski Brod. Është lënduar edhe bashkëudhëtari 27-vjeçar, shtetas i Maqedonisë.
Supozohet se fatkeqësia ka ndodhur për shkak të lodhjes së shoferit sepse automobili i tipit “Tojota” me targa të Sllovenisë, të cilin e ka drejtuar ka dalë nga rruga. Policia kumtoi se shtetasit e Maqedonesë kanë qenë me punë të përkohshme në Slloveni, ndërsa kanë udhëtuar për në Maqedoni që të jenë të pranishëm në një varrim.