Tre të arratisurit nga burgu tentojnë kufirin me Greqinë
Policia e Korçës ka dhënë detaje për operacionin e kërkimit për tre të dënuarit që ndodhen ende në arrati.
Sipas policisë, dyshohet se Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj dhe Eduart Lulo ndihmohen nga persona të tjerë ndërsa shton se po mblidhet informacione se ku lëvizin dhe ku marrin ushqim të arratisurit nga burgu i Drenovës.
Gjithashtu policia e Korçës njofton se kërkimet për kapjen e 3 të arratisurve po zhvillohen në pjesën jugore të qarkut ndërsa në malin e Gramozit ku dyshohej se ishin të arratisurit ka prani edhe të forcave kufitare.
Ndërkohë, vijojnë kërkimet në malin e Gramozit për kapjen e tre të arratisurve të tjerë nga burgu i Drenovës.
Forcat e policisë ndërprenë mbrëmjen e djeshme operacionin e kërkimit për kapjen e Gëzim Tomës, Reiz Haxhirajt dhe Eduart Lulos si pasojë e motit të keq.
Policia njoftoi dje se kishte lokalizuar vendndodhjen e tre të arratisurve në malin e Gramozit, duke bërë edhe krehjen e zonës, por moti i keq, errësira dhe terreni malor e bëri të pamundur vazhdimin e operacionit, duke i detyruar forcar e policisë të ndërprisnin kërkimet në lartësinë e malit.
Në një njoftim të saj, policia e Korçës theksoi se dyshohet se Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj dhe Eduart Lulo janë së bashku dhe fshihen në pyjet e malit Gramoz.
Forcat RENEA arrestuan dje tre të burgosurit, që ishin arratisur mbrëmjen e së shtunës nga burgu i Drenovës. Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri u arrestuan dje në një magazinë në Prrenjas ku ishin strehuar gjatë natës ndërsa mësohet se gjatë operacionit ka pasur edhe shkëmbim zjarri.
Gjithashtu policia ka arrestuar sot edhe 3 organizatorët e arratisjes së 7 të dënuarve nga Burgu i Drenovës. Sipas policisë, janë arrestuar shtetasit Olsion Maçi dhe Aldi Meçini dhe Altin Lami, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar nga jashtë burgut për arratisjen e të dënuarve.