LajmeMaqedonia

Funksionarët e lartë, super-hajdutët e shtetit

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë të Punëve të Brendshme (MPB), rastet e korrupsionit klasik për gjashtë mujorin e parë të vitit 2009 në krahasim me një vit më parë kanë qenë në rritje. Numri i veprave të zbuluara për vitin 2009 paraqet gjithsej njëzet e pesë, ndërsa për periudhën e njëjtë kohore, një vit më parë njëzet vepra penale, të klasifikuara si korrupsion klasik. Sipas strukturës së këtyre veprave bëhet fjalë për pesëmbëdhjetë vepra të zbuluara, ndërsa një vit më parë ishin dhjetë vepra, “dhënie ryshfet”. Shtatë vepra “marrja e ryshfetit”, kurse një vit më parë gjashtë vepra të tilla. Për vepër “ndërmjetësim joligjor” janë zbuluar tri vepra në gjysmën e vitit 2009, kurse një vit më parë, për të njëjtën periudhë kohore katër prej tyre.
Krimi i organizuar në gjysmën e vitit 2009 është rritur për 33 për qind, në krahasim me një vit më parë, për periudhën e njëjtë kohore, për vepër penale “larje parash dhe të ardhura të tjera për krim ndëshkues”. Në gjysmën e vitit 2009 janë zbuluar katër vepra të këtilla, ndërsa një vit më parë, tri prej tyre.
Kryerës të këtyre veprave vitin e kaluar janë njëzet e dy, ndërsa në vitin 2008, tetë kryerës. Krahas këtyre, në vitin 2009 janë zbuluar 43 rraste të korrupsionit me anë të keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Një vit më parë, ky numër shënon rritje dhe paraqet gjithsej 51 raste. Numri më i madh i kryerësve të këtyre veprave janë personat përgjegjës të detyrave zyrtare, funksionar të lartë, të cilët e kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit për 599 milionë denarë.
Numri më i madh i këtyre veprave janë zbuluar në rajonin e Shkupit, Gjevgjelisë, Kriva Pallankës, Sveti Nikollës, Kumanovës, Manastirit, Resnjës dhe Dellçevës. Drejtorë të shoqërive aksionare, menaxherë në shoqëri aksionare, shtatë prej tyre ish kryetarë të komunave, anëtarë të Bordeve drejtuese të shoqërive aksionare, gjykatës, avokat, përmbarues, kryetarë të komisioneve për pajisje publike, kirurgë, janë kryerës të këtyre veprave.
Krahas këtyre ka pasur raste edhe të nëpunësve shtetëror të punësuar në ndërmarrje publike, fonde, vetadministrimi lokal, institucionet shëndetësore publike, drejtoria e të hyrave publike, të cilët në cilësi të ndihmësve, apo kryerës të përbashkët, kanë marrë pjesë në kryerjen e këtyre veprave penale.
“Është pasqyrë e shëmtuar e njerëzve, njerëz të cilët duhet të jenë shembull se si duhet të sillen ndaj pasurisë shoqërore, ndërsa më e keqja e gjithë kësaj është se kryerësit e krimit të organizuar, janë të lidhur me organet shtetërore dhe si pasojë e kësaj ose dënohen lehtë, ose mbyllen sytë përpara këtyre veprave”, thotë për “Lajm”, ekonomisti Nasir Selimi.
Ai po ashtu thekson nevojën e ndërmarrjes së masave për të ardhmen, sepse e gjithë kjo paraqet një metastazë të keqe për gjithë shoqërinë.
“Gjykatat duhet të jenë efikase, ligji të respektohet drejtë dhe të implementohet drejtë, të jetë i barabartë për të gjithë, si dhe njerëzit të mos i harrojnë këto vepra dhe të mendohen mirë se kujt ia besojnë votën e tyre”, thotë ai.

Show More

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button