Teuta Arifi, zëvendës kryeministre për çështje evropiane, Vlora Çitaku, ministre e Ministrisë së Integrimeve Evropiane të Kosovës dhe Majlinda Bregu, ministre e Ministrisë së Integrimit të Shqipërisë janë tre zonjat shqiptare që “kanë marrë në dorë” integrimin e këtyre tre shteteve në familjen e madhe evropiane.
Analistët, me pak dilema janë të mendimit se ky është një hap pozitiv.
Albert Musliu nuk dëshiron ta definojë si përparësi apo mangësi gjininë e përgjegjësve për proceset euro-integruese, gjithsesi, thotë ai, ato janë persona që kanë kapacitet, kanë eksperiencë në atë problematikë, kanë karizëm që ta promovojnë çështjen.
“Për shqiptarët është një moment pozitiv, pasi i hedh poshtë gjithë mendimet e keqdashësve, ndërsa sa i përket punës, ato janë adekuate, pasi janë persona me potencial që më së miri dinë ta realizojnë këtë çështje”, tha analisti Musliu për “Lajm”. Sipas tij në Maqedoni vite me radhë nuk ka pas person më adekuat se Teuta Arifi në këtë post.
Eksperti i çështjeve juridike, Osman Kadriu thotë se zgjedhja e këtyre tre femrave në këto poste është një rastësi që do t’i avancojë integrimet në këto tre shtete. “Është mirë që këto postë të kryesohen nga gjinia femërore dhe duke marrë parasysh aftësitë që posedojnë ato, mendoj se do të ketë një avancim në këtë çështje”, thotë Kadriu, duke shtuar se ato do të japin një kontribut të veçantë në integrimin e këtyre tre shteteve.
Ndërkaq, për analistin Imer Ismaili, aspekti gjinor është pozitiv, mirëpo ai ka dilema në efikasitetin e punës. “Duke njohur burokracinë evropiane nuk jam i sigurt se sharmi i këtyre tre zonjave do të japë ndonjë rezultat pozitiv. Fakti që ato janë femra nuk do të thotë se mund të arrihen qëllimet e planifikuara politike juridike drejt vlerave integruese evropiane”, thotë Ismaili, duke shtuar se nuk mjafton vetëm vullneti politik.