Truri i njeriut, ky organ i sofistikuar ende i panjohur plotësisht
Mjekët dhe shkencëtarët amerikanë vazhdojnë të zbulojnë misteret e panjohura trurit të njeriut, me shpresën për ta kuptuar më mirë këtë organ pak të njohur.
Puna e tyre do t’u vijë në ndihmë personave që kanë pësuar dëmtime serioze të trurit, si p.sh., ligjvënësja amerikane Gabriella Gifford, e cila u plagos rëndë gjatë sulmit me armë zjarri në Tusson të Arizonës, raporton Zëri i Amerikës.
E krahasuar me një kompjuter të sofistikuar, kjo masë rreth një kilogramë e gjysmë, që quhet tru, mund të mos duket si ndonjë gjë e madhe. Por kur dëmtohet, truri reagon, duke ju përshtatur situatës së re që kalon njeriu.
Sa kompjuterë të prishur, pasi kanë rënë në tokë mund ta bëjnë një gjë të tillë? Pikërisht këtë fleksibilietet dhe aftësi rigjenerimi shpresojnë të inkurajojnë mjekët tek ligjvënësja demokrate Gabrille Gifford, e cila u qëllua me armë zjarri në kokë më 8 janar. Ajo u plagos gjatë një takimi me zgjedhësit e saj në Tusson, të Arizonës.
Rikuperimi nga një dëmtim i rëndë i trurit është një proces i gjatë dhe i dhimbshëm dhe edhe pse pacientët mund të përmirësohen dukshëm, ekspertët paralajmërojnë se pritshmëria nuk është që ata të bëhen pikërisht ashtu siç ishin më parë.
Steven Flanagan, Shef i Katedrës së Mjekësisë Rehabilituese në Universitetin e New Yorkut, thotë: “Në rastin e ligjvënëses Gifford jemi duke studiuar ato pjesë të trurit që janë dëmtuar, problemet që lidhen me të folurën, ekuilibrin, lëvizjen e krahëve, apo këmbëve, të menduarit, apo ndoshta në kontrollin e emocioneve.”
Shkencëtarët vazhdojnë të zbulojnë se si truri rimëkëmbet nga dëmtimet traumatike dhe si mund të nxitet ky proces. Truri përmban ndoshta 100 miliardë qeliza nervore, ku secila prej tyre është e lidhur me rreth njëmijë qeliza të tjera, të quajtura neurone. Këto lidhje formojnë qarqe, të cilat janë themeli i aktivitetit të trurit. Dëmtimet në tru mund ta çrregullojnë këtë aktivitet në forma të ndryshme. P.sh., kur e përplas kokën gjatë një aksidenti me makinë, cipa e trurit mund të tendoset e të çahet. Ndërsa një dëmtim depërtues thellë në tru si p.sh., nga një plumb, shkakton dëme më të lokalizuara; por forca e goditjes mund të dëmtojë lidhjet edhe të atyre neuroneve që nuk janë pranë rrugës ku ka kaluar plumbi. Pra gjendja e pacientit varet nga ajo pjesë e trurit që është dëmtuar. Pacienti mund të ketë problem me gjetjen e fjalëve për të folur, me kujtesën, organizimin e përparësive, njohjen e fytyrave, të kuptuarit, apo edhe për të bërë disa gjëra njëkohësisht.
Nganjëherë pacienti mund të ketë probleme me ecjen, me lëvizjen për të kapur diçka, për t’u veshur, ose për t’u ushqyer. “Në përgjithësi, dëmtimi i trurit shfaqet si një sëmundje kronike. Shpesh njerëzit mbeten me dëmtime që nuk rikuperohen plotësisht sa i përket aftësisë për të menduar, lëvizjeve motorike, apo edhe aftësisë për të folur dhe kjo ndryshon nga një person tek tjetri, dikush përmirësohet më shumë, dikush më pak”, thotë mjeku.
Si përmirësohet gjendja e trurit?
Doktori Flanagan shpjegon se fillimisht, truri dhe trupi kanë procesin e tyre të riparimit, enjtja kalon, gjaku absorbohet dhe kjo sjell një përmirësim të gjendjes së të sëmurit. Por kur dëmtimi ka qenë i madh, atëherë fillon procesi i rehabilitimit dhe mjekët i nxisin pacientët të bëjnë aktivitete të ndryshme për t’u ushtruar.
Në disa raste, qelizat e trurit që janë goditur, nuk kanë vdekur, pra ato mund të riaktivizohen. Një e veçantë tjetër është se lidhjet e neuroneve në tru nuk janë të pandryshueshme. Për shembull, nëse pjesa e dëmtuar e trurit është një zonë e vogël, mund të aktivizohen neurone të reja, të cilat zëvendësojnë ato të shkatërruarat. Lidhjet ekzistuese mund të fuqizohen, duke i lejuar neuronet të bashkëveprojnë më mirë se më parë. Qarqet e reja të krijuara në tru, mund të sjellin ndryshime në të folurit, apo shprehjen e fytyrës së një personi. Kur aftësia e të folurit është dëmtuar atëherë njeriu përdor më tepër mimikën. Shpesh, qarqet e reja të krijuara në tru, nxiten nga veprimet e pacientit.
Kjo është arsyeja përse mjekët rekomandojnë që pacientët me dëmtime në tru ta fillojnë fazën e rehabilitimit sa më shpejt që të jetë e mundur. Periudha e rikuperimit mund të jetë e gjatë. Megjithatë, vitin e parë ndodh rikuperimi më i madh. … dhe shumica e pacientëve me dëmtime në tru shfaqin përmirësim në 12 muajt e parë pas goditjes.
Gabriella Gifford vazhdon të rikuperohet. Ajo tani ka filluar të flasë. Fjala e saj e parë ishte bukë e thekur, që e pa ndërsa po hante mëngjes. Shkencëtarët vazhdojnë kërkimet për të zbuluar sekretet e trurit njerëzor, për t’i ndihmuar personat që vuajnë nga dëmtime të rënda në tru, si ligjvënësja Gifford, që të rikuperohen, për të pasur një jetë më mirë.