Tubimi i pajtimit të gjaqeve në Çegran të Gostivarit, 25 vite nga misioni i pajtimtarëve shqiptarë

77

Kanë kaluar 25 vite nga tubimi i shtrëngimit të duarve mes familjeve të armiqësuara shqiptare në regjionin e Gostivarit. Ishte ky misioni kombëtar i pajtimit të gjaqeve që kishte filluar në Kosovë dhe që po bartej në trojet e tjera shqiptare të ish Jugosllavisë.

Shkënditë e këtij misioni të madh kombëtar në Gostivar i solli veprimtari i çështjes kombëtare, Naser Veliu. I gjithë ky aktivitet kulmoi me tubimin madhështor në Rudinën e fshatit Çegran, ku u grumbulluan mbi 40 mijë pjesëmarrës nga të gjitha trojet. Kjo nismë ishte e jetike për shkak se në demonstratat e vitit 1981 dhe më vonë pushteti i atëhershëm jugosllav e shfrytëzonte hasmërinë me shqiptarëve për të justifikuar vrasjet e kryera me paramendim nëpër protestat popullore të Kosovës, duke gjetur alibi se shqiptarët vriteshin mes veti për hakmarrje. Nisma e pajtimit të gjaqeve ishte e domosdoshme për unifikimin e shqiptarëve drejt idealit dhe çlirimit kombëtar

cegran

Gostivar, 28 korrik – Për shqiptarët e regjionit të Gostivarit dhe më gjerë, 18 korriku i vitit 1990 simbolizon pajtimin dhe bashkimin mes tyre. Iniciativa kombëtare e pajtimit të gjaqeve që filloi në Kosovë vijoi edhe në vendbanimet e tjera shqiptare atë botë në administrim të Ish federatës jugosllave. Nismëtarët dhe udhëheqësit e tyre, më datë 28.08.1990 shndërruan Rudinën e Çegranit  në fushë të pajtimit dhe për nder të atyre emocioneve dhe lotëve, u pagëzua Rudina e Pajtimit të shqiptarëve të Maqedonisë, tubim ky që u mbajt nën rrethim të shumë forcave policore të sistemit të atëhershëm.

Nuredin Aliji, ish anëtar i Këshillit për pajtimin e Gjaqeve në regjionin e Gostivarit, kujton që shkënditë e këtij misioni të madh kombëtar në Gostivar i solli veprimtari i çështjes kombëtare, Naser Veliu i cili nuk arriti të jetë i pranishëm në manifestimin e Çegranit, për shkak se tre muaj më herët u ekzekutua nga dora e zezë e UDB-ës jugosllave.

“Këto emocione në Gostivar i përcolli veprimtari Naser Veliu. Pas vrasjes së tij, një grup nga ish të burgosurish dhe veprimtarësh, siç ishin: Nafije Zendeli, Valdeta Fejzullahu, Adnan Voka, Gëzim dhe Bukurie Selimi, Nuredin Aliji, Dashmir Osmani, Imërli Bekteshi, Izet Fejzullai dhe Fatmir Bilalli, morën përsipër përcjelljen e kësaj lëvizje në Gostivar dhe formuan këshillin nismëtar. Pa mëdyshje se u mor modeli i Kosovës edhe këtu dhe në Këshillin për pajtimin e gjaqeve u zgjodh prof. Shaip Hamiti – kryetar, me anëtarë të tjerë, si Dr. Miftar Kurti, Emine dhe Jusuf Dalipi, Sabri Ademi, Avni Elmazi, Imërgjat Islami, Jakup Rexhepi, Sulejman Reka, Luan Veliu, Jaish Ejupi, Kamber Azizi, Qani Aliu, Nazif Sinani, hoxhallarët Xhevat Mustafi, Faredin Osmani, Musa Musai, Myrtezan Ziberi, pastaj Dr. Mahir Iseini, Shaban Osmani, Rustan Ibrahimi  dhe këto radhë shtoheshin aq shumë, sa që u bë e vështirë të mbaheshin mend të gjithë, prandaj u kërkojmë ndjesë, nëse ndonjërit pa dashje nuk ia kemi përmendur emrin”, rek kujtimet Aliji, për të shtuar se tani pas 25 vitesh  një gjë është e sigurt, kishte shumë dhimbje dhe plagë, të cilat pajtimtarët, argatët e shqiptarisë i transformuan dashuri për lirinë e vendit. Kjo farë e mbjellë e dashurisë, prodhoi luftërat çlirimtare në hapësirat etnike të shqiptarëve.

Në atë kohë, thotë Nafije Zendeli Ziberi, shtëpitë e Zotit, si xhamitë ashtu edhe kisha u shndërruan në “konak” pajtimi.

“Në të gjitha fushat e qyteteve dhe fshatrave ku kishte hasmëri dëgjoheshin fjalët e heroit të gjallë Adem Demaçit se nuk është burrë ai që ngreh gishtin e krimit, por ai që shtrinë dorën e pajtimi“. Gjithkund nëpër tubimet e pajtimit dëgjoheshin fjalët: Kosovë, t’qoftë falë gjaku, kurrë më vëllavrasje – dhe natyrisht që këto tubime shndërroheshin në emocione lotësh dhe gëzimi”, vijon Zendeli Ziberi ish anëtare e Këshillit për pajtimin e Gjaqeve në regjionin e Gostivarit.

Organizimi i pajtimit të gjaqeve, ka pasur një qëllim shumë fisnik. Gzim Selimi si anëtar i këshillit organizativ, vëren se në demonstratat e vitit 1981 dhe më vonë pushteti i atëhershëm jugosllav e shfrytëzonte hasmërinë me shqiptarëve për të justifikuar vrasjet e kryera me paramendim nëpër protestat popullore të Kosovës, duke gjetur alibi se shqiptarët vriteshin mes veti për hakmarrje.

“Viti 1990 në mbarë hapësirën shqiptare në ish Jugosllavi, padyshim bën pjesë në vitet e zgjimit dhe organizimit të madh brenda shqiptarëve. Ishte viti, ku xhelati Sllobodan Milosheviç kishte instaluar aparatin terrorist shtetëror dhe pas vrasjeve, torturave, burgosjeve, mbylljes së shkollave, helmimit të nxënësve, mbylljen e universitetit, gazetave dhe mjeteve tjera të informimit, te shqiptarët u bë e qartë, se ditë më të zeza i prisnin, prandaj si përgjigje ndaj kësaj u organizuan dhe sistemuan një varg veprimesh për unifikimin dhe mbrojtje e të drejtave të tyre. Rinia shqiptare nuk vuri kujën, por përveshi krahët dhe filloi me kurimin e Plagëve të shkaktuara nga robëria dhe vetëdija e ulët”, thotë Selimi.

Për veprimtarin Luan Veliu, Rudina e Pajtimit në Çegran të Gostivarit, u shndërrua në simbol të  pajtimit dhe bashkimit të shqiptarëve në rrafsh kombëtar.

”Për fat të keq, është bërë zakon që ngjarje dhe njerëz që kanë lënë gjurmë në të kaluarën tonë, t’i mbulojë pluhuri i harresës. Është për t’u çuditur, se si 25 vjet nuk u përkujtua një vepër sa e madhe, po aq edhe madhështore në Rudinën e Çegranit. Mirënjohje për gazetën Koha që kujdeset dhe rastet e tilla siç është kjo ngjarja kaq madhështore të mos kalojnë nën hije të plotë. Sot ne jemi në 25 vjetorin e kësaj ngjarje të madhe dhe disa nga nismëtarët dhe veprimtarët nuk janë më fizikisht në mesin tonë, Lavdia për të cilët nuk do të ketë të ndalur as sot, as nesër dhe do të përcillet brez pas brezi. Verrat e Llukës së Deçanit në Kosovë dhe Rudina e Pajtimit në Çegran të Gostivarit në Maqedoni ishin frymëzim për të gjithë shqiptarët. Sot, 25 vite më vonë, me të drejtë parashtrojmë pyetjen, se çfarë e bëri bashkë këtë lëvizje? Cila ishte ajo forcë? Çfarë i shtyri Çegranin dhe Forinën që të shtronin tryezën për të gjithë pjesëmarrësit në tubim? Sigurisht që nuk kishte as të bardh e as të kuq, nuk kishte të mëdhenj e të vegjël, nuk kishte bajraktar e agallar, nuk kishte të ri dhe pleq, nuk kishte dallime të kësaj natyre”, shton Veliu.  I gjithë ky aktivitet kulmoi me tubimin madhështor në Rudinën e fshatit Çegran, ku u grumbulluan mbi 40.000 pjesëmarrës nga të gjitha trojet, përfshirë pajtimtarët nga Kosova, si Dr. Zekirija Cana, Hajrulla Gorani, Agim Muhaxheri, Mirvete Dreshaj, Ismet Beqiri, Agim Qena, etj.

Në tubim ishin edhe pajtimtarë nga Tetova, si i madhi Memet Gega, Afrim Fanda, Xhevat Ademi, e tjerë. Pastaj, ky mision u bart edhe në qytetet e tjera shqiptare në Maqedoni. Duhet theksuar se nismëtarët e parë të pajtimit të gjaqeve në Kosovë ishin një grup i vogël nga ish-të përndjekurit politik dhe veprimtar të çështjes kombëtare, si : Hava Shala, Ibrahim Dreshaj, Adem Grabovci, Lulzim Etemaj, Myrvete Dreshaj, Flamur Gashi, Nurie Zekaj, Ram Buja, Akile Dedinca, Naser Veliu, Ibish Neziri, Jashar Salihu, Bajram Kurti, Serbeze Vokshi, Seadete Zhitija e të tjerë, të cilëve u printe plaku i urtë dhe atdhedashës, Anton Çeta dhe që me nismën dhe punën e tyre bënë një jehonë të madhe në tërë hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi.

Comments are closed.