Unë jam Elia dhe si unë nuk ka tjetër
Për herë të parë, Elia Shena ra në sy gjatë spektaklit të vitit të kaluar, në talent shown “Top Girls” që transmetohej gjatë spektaklit “E diell” në Top Channel. Mes dhjetëra konkurrenteve, Elia u shqua si një ndër më të mirat, për të mos thënë absolutisht më e mira por që mosha e vogël e penalizoi suksesin absolut të saj.
Elia, doli e dyta në këtë spektakël që synonte lançimin e talenteve të reja në këngë dhe kërcim. Por, gjatë këtij viti nëse emri i fitueses të “Top Girl” thuajse u harrua, emri i Elia Shenës është në gojën e të gjithëve. 15 vjeçarja ka realizuar një klip i cili shfaqet gjatë gjithë ditës në BBF televizion, është lançuar nga Arian Çani në “Zonë e lirë” dhe mbi të gjitha Elia mahniti publikun me performancën e jashtëzakonshme gjatë fazës konkurruese te “Kënga Magjike”. Por, këngëtarja nuk çuditet aspak me suksesin e saj. E ndjen që e ka të merituar, madje arrin gati në paturpësi kur thotë që nuk ndjen aspak konkurrencë me këngëtaret e tjera. E vërtetë apo jo, këtë gjë do ta vërtetojë më mirë koha, e cila sipas Elias është e gjitha në favorin e saj dhe nëse e përdor siç duhet nuk ka pse të druhet nga mosha e saj e re apo konsumizmi i parakohshëm si personazh.
Elia, ju jeni vetëm 15 vjeç dhe që tani mund të konsideroheni aktive në show biz dhe në profesionin si këngëtare performuese. Kujtoj që gjatë fundjavave shpeshherë jeni e ftuar në night club-e ku këndoni dhe kërceni. Por, nga ana tjetër keni një moshe fare të re ndaj rrezikoni të hidhni hapa të gabuar. A është një person që fshihet pas menaxhimit tënd artistik?
Sigurisht që ka njerëz që më ndihmojnë si në marrjen e vendimeve apo të çdo performance me të cilën shfaqem në publik. Ndër këta njerëz, kryesorët janë prindërit e mi të cilët më ndjekin hap pas hapi, për të mos harruar edhe motrën time të madhe e cila veç të tjerash është edhe stilistja ime personale dhe personi që merret me imazhin tim skenik.
Ti u bëre shpejt e famshme, pas pjesëmarrjes tek e “E diell” në Top Channel ku re menjëherë në sy, nise karrierën si këngëtare dhe brenda një viti realizove një klip dhe je pjesëmarrëse në një festival të rëndësishëm siç është “Kënga Magjike”. Mirëpo, sipas një filozofie të këngëtarëve profesionistë: Është më e sigurt të hedhësh hapa të ngadaltë sepse njerëzit që bëhen shpejt të famshëm rrezikojnë të bien po aq shpejt poshtë. A nuk ke frike se mund të ndodhë e njëjta gjë me ty, duke marrë parasysh moshën tënde të re?
Nuk besoj të ndodhë e njëjta gjë me mua. Nëse një këngëtare di të menaxhohet mirë, atëherë nuk ka pse të ketë frikë se mund të hedhë hapa false në karrierë. Unë nuk e përdor muzikën për tu ekspozuar apo thjesht për tu bërë e famshme. Unë këndoj se është pasioni më i madh që kam në jetë. Të dalësh në një moshë të re si këngëtare ka edhe avantazhet e veta sepse një artist ka mundësi të rritet me muzikën. Kjo e dyta besoj se po ndodh me mua.
Po, por ekspozimi i tepërt sjell edhe konsumimin e herët të personazhit? Po për këtë gjë ke menduar?
Po edhe e kam menduar. Por, unë nuk po ekspozohem më shumë se duhet. Unë jam akoma në hapat e para të karrierës dhe nëse kujdesem për imazhin si këngëtare, atëherë nuk kam pse të kem frikë nga konsumimi.
Me cilët po bashkëpunon aktualisht për të bërë muzikë?
Për momentin jam duke bashkëpunuar me producentin Ervin Gonxhi i cili është edhe producent i studios “Three dots”, gjithashtu ai është edhe bashkëpunëtor i ngushtë i Flor Mumajesit. Ndërsa tekstshkruese e këngëve të mia është Rozana Radi.
Gjatë fazës konkurruese te “Kënga Magjike” je shfaqur me një performancë dhe look mjaft të guximshëm. Të kanë kritikuar për këtë performancë?
Po, edhe më kanë kritikuar. Kritika më e papëlqyer ka qenë dikush që shkruante në FB “Ke lëvizur shumë para kamerave. Më dogji kjo kritikë sepse unë në përgjithësi dal mirë në kamera, por ndoshta atë ditë kam pasur shumë emocione.
Në një forum lexova që veshja jote nuk ishte pëlqyer…
Në përgjithësi veshja është pëlqyer por edhe nëse jo lind pyetja: “Ku e kishte gabimin ajo veshje”. Sepse ishte mëse e përshtatshme për ritmet elektronike të këngës, rimës dhe tekstit.
Në fakt veshja ishte e guximshme dhe të kujton pak nga guximi i performancave të Lady Gaga. Edhe ti dëshiron të vish me këtë lloj imazhi në skenë?
Nuk besoj se veshja ime ishte e guximshme por thjesht ishte përshtatur me këngën. Unë e adhuroj Lady Gaga-n, për performancat dhe vokalin por nuk dua që të vij në skenë si një kopje e saj. Unë dua të krijoj stilin tim “Elia”, siç e ka krijuar “Gaga “ të sajin.
Cila janë këngëtaret shqiptare dhe të huaja që të frymëzojnë më shumë?
Frymëzohem nga Beyonce, Lady Gaga e Rihanna. Këngëtarja shqiptare që më frymëzon më shumë është Aurela Gaçe.
Si ka mundësi që asnjë nga këngëtaret e reja nuk frymëzohen nga ndonjë këngëtare tjetër e re. Për shembull asnjëra nga këngëtaret e reja nuk është shprehur kurrë se frymëzohet për shembull nga Elvana Gjata. Mendon se ka xhelozi mes këngëtareve të reja?
Unë e them edhe në tekstin e këngës sime: “Unë jam Elia, ti nuk mund të bësh si unë, sepse nuk je Elia”. Kjo do të thotë që ajo që bëj unë në muzikë dhe performancë është e paimitueshme, kjo do të thotë që unë nuk e ndjej konkurrencën.
Atëherë po e formuloj pyetjen ndryshe: Kur e ke ndjerë që koleget e tua mund të jenë armiket e tua më të mëdha?
Asnjëherë, por besoj se mund të ndodhë në të ardhmen.
Për ta mbyllur këtë intervistë a mund të thuash se cila është këshilla më e vlefshme që ke mësuar nga kjo pak karrierë që ke nisur në show biz?
Në show biz gjithmonë do të ketë njerëz që të duan e njerëz që nuk të duan. Motoja ime: “Vazhdo përpara dhe tregoju të gjithëve kush je”