Unitedi e fitoi betejën e parë në Ishull, Barca me pesëshe sfidon Mourinhon
Celsi ka humbur ndeshjen e parë cerekfinale në derbin britanik me Mancester Junajted.
Larg kreut për kampionatin dhe jashtë kupës, blutë e Londrës kanë të vetmin synim avancimin në Ligën e Kampioneve.
Në përballjen e parë me Mancesterin në Stamford Bridge, Celsi është mundur minimalisht 1-0. Uejn Runi finalizon mjaft mirë një aksion të Rajan Gigs në pjesën e parë, duke zhvilluar pjesën e mbetur të lojës në mbrojtje.
Nga ana tjetër skuadra e Ancelotit ka provuar në disa raste për të barazpeshuar rezultatin por e ka pasur të pamundur, pasi shtylla dhe Van Der Sar nuk lejuan që porta e Mancesterit të prekej, duke siguruar një fitore mjaft të rëndësishme për ndeshjen e kthimit në Old Traford.
Ndërkohë në takimin tjetër Barcelona si gjithmonë nuk zhgënjen me spektaklin dhe numrin e madh të golave. Katalanasit kanë fituar 5-1 ndaj Shakhtarit në Kamp Nou, duke siguruar kualifikimin për më tej, pasi vetëm një mrekulli mund të përmbysë këtë rezultat në ndeshjen e kthimit.
Lionel Mesi edhe pse nuk shënon është protagonist thuajse në të gjitha aksionet e golave. Iniesta hap serinë e tyre dhe Dani Alvesh brenda pjesës së parë dyfishon rezultatin duke e mbyllur atë 2-0.
Me fillimin e së dytës Pike con në tre me 1 shifrat, ndërkohë që Shaktjori përpiqet të reagojë me Rakitskim, por ende pa përfunduar festimet e këtij goli të parë Keita shënon të katërtin për Barcelonën, për t’i lënë radhën Ksavit për golin e pestë 2 minuta përpara përfundimit.