Ushtari francez theret me thikë në qafë
Një person i panjohur ka therë me thikë në qafë një ushtar francez, 23 vjeçar, derisa ai patrullonte në kuartin afarist La Defens, në pjesën perëndimore të Parisit, vetëm katër ditë pasi në Londër në mënyrë brutale ishte vrarë ushtari britanik, Li Rigbi.
Ushtari i uniformuar po patrullonte së bashku me dy persona të tjerë, në kuadër të zbatimit të një plani antiterrorist të mbikëqyrjes, kur rreth orës 18.00 një person i paidentifikuar e kishte sulmuar prapa shpinës duke e therur me thikë ose me sqepar në qafë, transmeton Reuters.
Ai është transportuar në gjendje kritike në spitalin më të afërt ushtarak. Shefi i Policisë, Pjer – Andre Pejvel tha se ushtari kishte humbur sasi të madhe të gjakut, por është jashtë rrezikut për jetën.
Sulmuesi kishte ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes, kurse policia ka filluar kërkimin, shkruan “Telegraf”, duke potencuar se ky rast shihet si një llooj kopje e sulmit në Londër.
Burime të policisë i kanë thënë “La Parisien” se i dyshuari për slum është një person me prejardhje veriafrikane me mjekërr, i moshës rreth 30 vjeçar, kurse nën xhaketë kishte të veshur garderobë “të stilit arab”.
Presidenti francez Franso Hollande, i cili gjendet në Samitin e Unionit Afrikan në Etiopi, tha se ende nuk është verifikuar lidhja në mes vrasjes së ushtarit në Londër dhe sulmit në Paris, por se të gjitha opsionet duhet të merren në konsiderim.