www.Zemra.Org

Ushtari i UÇK-së, mbijeton nga kanaçet

Bindjet prej një ushtari të devotshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kishin udhëhequr në një drejtim krejtësisht ndryshe nga situata në të cilën ndodhet tani.

Kishte paramenduar se një ditë, veç çlirimit të vendit nga okupimi serb, Kosova do të arrinte të ishte një shtet i ndërtuar, që garanton të drejta të barabarta e mirëqenie për secilin banor të saj.

Veli Morina, 45 vjeç, kishte shërbyer si ushtar i UÇK-së gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe ishte gjithashtu ushtar i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë Medvegjë e Bujanoc për një vit e gjysmë. Ndërkaq tani, për të mbajtur gjallë familjen, ai çdo ditë nga mëngjesi deri më mbrëmje mbledh kanaçe nga të cilat grumbullon vetëm dy deri tri euro në ditë, shkruan e përjavshmja IP Magazinë.

Ai jeton në fshatin Rixhevë të komunës së Klinës dhe çdo mëngjes me biçikletën e tij përshkon magjistralen Kijevë-Koroman dhe Kijevë-Klinë për siguruar bukën e gojës. Familja e tij nuk gëzon asnjë asistencë sociale nga shteti.

Morina gjatë kohës sa shërbeu si ushtar i UÇK-së, ishte pjesë e Brigadës 113, Mujë Krasniqi. Por, paraprakisht, kishte qenë i burgosur politik në vitin 1992 për dy vite e gjysmë për shkak se atëbotë kishte bartur armatim. Pasi u lirua nga burgu, menjëherë iu bashkua radhëve të ushtrisë .

Gjatë luftës, ai kishte qenë i vetmi nga familja që kishte qëndruar në Kosovë duke mos dashur të largohej as për edhe një moment të vetëm. Një pjesë e familjes së tij kishin qenë në Gjermani.

Sot e ka shumë të vështirë të rrëfej se në çfarë gjendje është tani, ngase as vet nuk e kishte paramenduar një gjë të tillë. Afër ka të birin Hajdarin dhe gruan Pranverën, të cilët e shohin me mërzi teksa flet.

Mundohet disa herë që të shkëpusë bisedën e të përqendrohet diku tjetër për të mos i mërzitur familjarët.

“Kam qenë disa herë i rrezikuar në luftë, pasi që kam qenë ushtar i dalluar. Por, nuk kam dashur asnjëherë të largohem nga Kosova. Vendi duhej çliruar dhe ky ishte qëllimi ynë i vetëm”, shprehet ai me entuziazëm, për IP Magazinë.

Veli Morina përshkon çdo ditë nga 14 kilometra rrugë dhe shpesh herë është i rrezikuar nga automjetet e tjera që qarkullojnë. Ai ka tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, ndërsa që të tre nga ta vijojnë mësimet në nivelin e ulët.

“Fëmijët janë në shkollë, po duan tesha, po duan veshmbathje. Ndonjëherë po më lypin pare kur po dalin në fotografi në shkollë dhe po qajnë pse nuk po kam me ju dhënë”, tregon Morina.

Fillimisht i kishte marrë 65 euro ndihmë sociale, por tani as ato nuk i merr fare, duke u varur krejtësisht nga tre eurot që grumbullon gjatë ditës. Veterani i UÇK-së tregon se shpeshherë ndodh që ata të mbeten edhe pa bukë dhe në këso raste janë miqtë ata që ndihmojnë. E në raste tjera, i duhet të kërkojë miell hua.

Ka dy vite që Morina mbledh kanaçe për të mbajtur familjen. Paraprakisht thotë se nuk ka lënë vend pa kërkuar punë:

“Kam fol edhe me kryetarin e komunës, por vetëm premtime, se nuk realizoi asgjë. S’pata zgjidhje tjetër dhe mu dasht me dalë në rrugë”.

Kushtet e vështira të jetesës e kanë shoqëruar menjëherë pas përfundimit të luftës. Fatmirësisht, ai ka arritur që të ketë një kulm mi kokë falë një donacioni të dhuruar nga Caritasi zviceran.

Gruaja e tij, Pranvera, tregon se familja e saj hallin më të madh e ka tek fëmijët. E kanë të vështirë tu sigurojnë veshmbathje dhe në të shumtën e rasteve, ato i sigurojnë vetëm në rast se dikush u fal diçka.

Ajo mundohet t’i fshijë lotët për të mos u hetuar nga i biri, Hajdari për të cilin thotë se qëndron gjatë tërë kohës i heshtur dhe nuk dëshiron të bisedojë me askënd. E ndjen veten të mbyllur dhe shumë ndryshe nga shoqëria e tij e shkollës.

Në 14 vjetorin e çlirimit të Kosovës, duket se festa nuk do të jetë njëlloj për të gjithë. Ai që ka kontribuar më së shumti, sot do të jetë si çdo ditë tjetër në rrugë për të mbledhur kanaçe.

“Do të jem rrugëve”, shprehet i mërzitur Veliu.

Exit mobile version