www.Zemra.Org

Veç Shqipëria e Portugalia i dalin në krah Kosovës në FIFA

Komiteti i Asociacioneve të FIFA-s ka diskutuar të mërkurën lidhur me kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës, që përfaqësueses së Kosovës t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Në mbledhjen e këtij organi të FIFA-s kanë diskutuar kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Portugalisë, Gilberto Madail. Të dy kanë përkrahur kërkesën e Federatës kosovare, ka bërë të ditur për “Kohën Ditore” kryetari i FSHF-së, Armand Duka.

“Kërkesa e Federatës së Kosovës që t’i lejohet zhvillimi i ndeshjeve miqësore, është diskutuar sot për herë të dytë nga Komiteti i Asociacioneve të FIFA-s. Për këtë kërkesë patëm diskutuar edhe muaj më parë dhe më pas kërkuam mendimin e UEFA-s.  UEFA ktheu përgjigje negative, por me insistimin tim, kërkesa e Federatës së Kosovës u fut sërish në rend dite për mbledhjen e Komitetit të Asociacioneve. Unë dhe presidenti i Federatës portugeze diskutuam në lidhje me kërkesën e FFK-së dhe të dy ofruam përkrahje. Komiteti i Asociacioneve rekomandoi që kërkesa e FFK-së të futet në rend të ditës për mbledhjen Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s që mbahet të enjten e të premten”, ka thënë Duka për gazetën nëpërmjet telefonit. Ai megjithatë nuk e di nëse kërkesa e FFK-së do të jetë në rend të ditës në mbledhjen e KE të FIFA-s.

“Për këtë çështje mbeti që të vendosë një lloj Bordi që cakton rendin e ditës për mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Këtë lloj Bordi e përbëjnë kryetarët e konfederatave. Ata kanë pasur takim të mërkurën në mbrëmje dhe nuk e di se çfarë vendimi kanë marrë”, ka shtuar Duka.

Ndalesat e FIFA-s 

FIFA në tetor të vitit 2008 ia kishte ndaluar Kosovës zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Nga ajo kohë, Kosova ka luajtur ndeshje miqësore vetëm me klube. Në vitin e fundit ka pasur probleme për zhvillim të miqësoreve edhe me skuadra evropiane. Së fundi kishte luajtur në pranverë me Renovën e Maqedonisë. FFK-ja kishte kërkuar që t’i lejohen miqësoret, si zgjidhje kalimtare deri në pranim të plotë në FIFA e UEFA.

Komiteti i Asociacioneve të FIFA-s merret me raportet mes FIFA-s e federatave kombëtare, anëtare të shtëpisë botërore të futbollit. Ky komitet përbëhet nga 18 anëtarë, ndërsa kryetar është turku Senes Erzik. Komiteti i Asociacioneve është njëri prej 36 komiteteve të FIFA-s.

UEFA nuk përkrah kërkesën e FFK-së

Në mars të këtij viti, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s kishte vendosur që kërkesa e FFK-së për lejimin e miqësoreve të dërgohet në konfederatën evropiane, UEFA. KE i FIFA-s kërkoi mendimin e UEFA-s para se të vendoste për kërkesën e Federatës kosovare. Vendimi i UEFA-s nuk është bërë i ditur asnjëherë, ndonëse ai i kishte shkuar KE të FIFA-s.

“UEFA ka dhënë përgjigje negative për kërkesën e Kosovës. Një vendim të tillë, UEFA e ka marrë duke u mbështetur në precedentin e Gjibraltarit”, ka njoftuar kryetari i FSHF-së, Armand Duka.

Exit mobile version