LajmeMaqedonia

E vërteta e raportit famëkeq për ngjarjet e Gostivarit

Aksioni i policisë ishte obligim ligjor për zbatimin e vendimit të Gjykatës kushtetuese. Ky është konstatimi i Komisionit parlamentar për ndriçimin e aksionit policor me 9 korrik në Gostivar, në krye të të cilit qëndronte deputeti i atëhershëm i PPD-së, sot profesor, kolumnist dhe analist politik, Mersel Bilalli.

Pas shumë viteve nga kjo tragjedi e shqiptarëve, e gazeta KOHA në Maqedoni,  ka siguruar dokumentin origjinal të këtij raporti prej 5 faqeve, i cili u mundua të minimizojë terrorin shtetëror të qeverisë së Branko Cërvenkovskit ndaj banorëve të këtij qyteti, të cilët tentimin për të mbrojtur flamurin kombëtar e paguan me tri viktima, disa të plagosur dhe qindra të keqtrajtuar.

Raporti botohet i plotë me qëllimin që t’i ofrojë lexuesve  mundësinë për të gjykuar drejtë mbi punën e analistit në fjalë dhe të kaluarës së tij politike. Ky raport është përpiluar më 10 mars të vitit 1998, kryetar i të cilit ishte pikërisht, tani profesori dhe analisti Mersel Bilalli.

Raporti

Në bazë të nenit 4 të Vendimit për formimin e Komisionit Anketues për shqyrtimin e tejkalimeve eventuale të kompetencave gjatë intervenimit policor më 9 korrik 1997, në vazhdim ua dorëzojmë Raportin e Komisionit Anketues për shqyrtimin e tejkalimeve eventuale të kompetencave gjatë intervenimit të policisë në Gostivar më 9 korrik 1997.
Propozojmë që Raporti të vihet në Rendin e ditës gjatë seancës së ardhshme të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

(nënshkrimi i Mersel Bilallit, kryetar i Komisionit Anketues)
Raporti i Komisionit Anketues të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë për shqyrtimin e tejkalimeve eventuale të kompetencave gjatë intervenimit të policisë në Gostivar më 9 korrik 1997.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, në seancën e mbajtur më 24 shtator të vitit 1997, miratoi Vendimin për formimin e Komisionit Anketues, me qëllim të shqyrtimit të tejkalimeve eventuale të kompetencave gjatë intervenimit policor në Gostivar, më 9 korrik 1997, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë të 11 qershorit 1997 , me çka u anulua neni 140 i Statutit të Kuvendit të Komunës së Gostivarit i miratuar më 13 mars të vitit 1997, i cili parashihte përdorim të përhershëm të flamurit shtetëror dhe flamujve të nacionaliteteve para ndërtesës komunale, si dhe me raste tjera, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

Aksioni është ndërmarrë për shkak të refuzimit të organeve kompetente të njësisë për vetëqeverisje lokale të Gostivarit që vullnetarisht ta realizojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse për këtë ishte dhënë afat i mjaftueshëm kohor.
Detyra e Komisionit Anketues ishte t’i shqyrtojë rrethanat që janë me rëndësi për konstatimin e situatës faktike lidhur me intervenimin policor në Gostivar. Me këtë rast të bashkëpunojë me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, ministritë përkatëse dhe organet e vetëqeverisjes lokale, të cilët mund të kontribuojnë për konstatimin real të situatës. Në bazë të kësaj, Komisioni përpiloi dhe i dorëzoi Kuvendit raportin dhe propozim masat.


Rufi Osmani shpallet fajtor

Në përputhje me këto detyra, Komisioni gjatë punës së tij realizoi më shumë mbledhje, takime dhe biseda me qytetarë, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Këshillit të Kuvendit të Gostivarit, të Prokurorisë Themelore në Gostivar dhe Forumit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Gostivar.
Komisioni insistoi të realizohet takim me kryetarin e Komunës së Gostivarit, mirëpo i njëjti nuk u realizua, për shkak të refuzimit të tij, për çka Komisioni këtë e cilësoi si sjellje jokorrekte.

Duke tentuar që deri në maksimum të mos ndërhyjë në kompetencat e organeve përkatëse hetuese dhe gjyqësore, gjegjësisht të mos shndërrohet në organ hetues, Komisioni i kushtoi rëndësi të veçantë: bazës ligjore të aksionit policor dhe tejkalimet eventuale të kompetencave në atë plan; urdhrave konkrete të organeve përkatëse dhe personave udhëheqës të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me qëllim të konstatimit, nëse në bazë të kësaj janë të mundura tejkalime eventuale të kompetencave; nëse në nivel të realizimit të aksionit ka raste të tejkalimit të kompetencave nga pjesëtarë të policisë; rrethanat që sollën deri te viktimat dhe lëndimin e disa qytetarëve; ankesat e qytetarëve për gjoja tejkalimin e kompetencave të policisë gjatë dhe pas aksionit.

Policia mbronte kushtetutën

Komisioni konstatoi se aksioni i policisë ishte obligim ligjor për zbatimin e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nga përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Komisioni është informuar se gjatë ndërmarrjes së aksioneve të këtilla, Ministria e Punëve të Brendshme, kryesisht niset nga rregullat e parapara me Ligjin për Punë të Brendshme, Ligjit për tubime publike, Kodit Penal dhe Ligjit për procedurë penale dhe akteve ndërkombëtare, siç janë: Parimet themelore të përdorimit të forcës fizike dhe armëve të zjarrit nga ana e personave të autorizuar me ligj, Deklaratës Evropiane Policore, Kodeksin e sjelljes së personave përgjegjës për zbatimin e Ligjit, etj. Mirëpo, Komisioni ka konstatuar, se disa akte nënligjore nuk kanë qenë të harmonizuara me aktet pozitive të Republikës së Maqedonisë.
Komisioni, duke bërë analizë të dokumenteve që ishin dorëzuar, nuk ka konstatuar akte të tilla që do të implikonin dhënien e urdhrave për tejkalimin e autorizimeve nga pjesëtarët e Punëve të Brendshme, ndërsa sa i përket urdhrave gojore, Komisioni objektivisht nuk ishte në gjendje të arrijë në kurrfarë të dhëna.
Në nivel të realizimit konkret, Komisioni konsideron, se ka raste të tejkalimit të kompetencave nga individë dhe grupe, por nuk mundet konkretisht të konstatojë për cilët individë dhe grupe bëhet fjalë.
Konstatimi se për cilët individë dhe grupe bëhet fjalë është detyrë e strukturave përkatëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe organeve shtetërore.

Vrasësit e panjohur

Gjithashtu, është evidente se edhe gjatë arrestimit të qytetarëve të caktuar gjatë aksionit policor si dhe pas saj, janë vërejtur raste të tejkalimit të kompetencave nga pjesëtarë të caktuar të policisë dhe mosfunksionimit në bazë të rregullave ligjore. Rastet e këtilla do të duhet të ndriçohen në bazë të përvojës dhe procedurës ekzistuese për konstatimin e përgjegjësisë, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, veçanërisht ndaj konstatimeve të më shumë qytetarëve për hyrje të paautorizuar në shtëpitë e tyre.
Në ditën e ngjarjes, kishte dy viktima, prej tyre njëri ishte në turmë dhe më këtë rast është ngritur procedurë e rregullt kundër autorit të panjohur. Te njëri prej viktimave, sipas obduksionit, vdekja është shkaktuar si pasojë e lëndimeve nga armë zjarri, ndërsa ndaj të dytit nuk është kryer obduksioni, për shkak të refuzimit të familjarëve të tij. Sipas dokumentacionit mjekësor, viktima e tretë ka vdekur disa ditë pas ngjarjeve, si pasojë e përdorimit të mjeteve të dhunshme.

Propozimet e Komisionit

Në bazë të kësaj, Komisioni rekomandon këto propozim-masa.
1.Intensifikimi dhe përfundimi sa më i shpejtë i reformave organizative, funksionale dhe kadrovike në Ministrinë e Punëve të Brendshme në tërësi dhe në strukturat e saj, me ç’rast duhet të kihet parasysh për përfaqësimin e nacionaliteteve, që është kusht kryesor për adaptimin e saj të tërësishëm dhe funksionimin e suksesshëm në kushte të sistemit politik me demokraci parlamentare, si një parim bazë i rregullimit tanë kushtetues.

2.Harmonizimin e akteve nënligjore dhe rregullores tjetër juridike për veprimin e plotë të Ministrisë së Punëve të Brendshme me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, si dhe me aktet dhe standardet ndërkombëtare, me çka mes tjerash, do të rregullohet në mënyrë precize reagimi i këtij organi në raste të tilla dhe të ngjashme, dhe do të evitohet rreziku nga veprimet eventuale kokë më vete nga individë dhe tejkalimi i kompetencave të tyre zyrtare.

3.Inicimin e aktiviteteve për edukimin e kuadrove profesionale udhëheqëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme e sidomos të pjesëtarëve të policisë në përputhje me standardet, normat dhe përvojën evropiane.

4.Sektorët përgjegjës t’i vazhdojnë dhe t’i intensifikojnë aktivitetet për identifikimin e shkaqeve të vërteta dhe bartësve të ngjarjeve të pahijshme lidhur me ngjarjet në Gostivar më 9 korrik 1997, me ndërmarrjen e masave ligjore të përgjegjësisë, sidomos rrethanave që sollën deri te viktimat e paduhura.

5.Komisioni thekson nevojën e respektimit të përpiktë të Ligjit për tubime publike dhe rregullave tjera nga kjo sferë nga ana e qytetarëve dhe organizatorëve të tubimeve masive me qëllim të shprehjes së protestave të qeta dhe pakënaqësive ndaj dukurive të caktuara në shoqëri.

Anëtarët e Komisionit:

Kryetar:
Mersel Billali

Anëtarë:
Tushe Goshev
Alil Xhaferovski
Llazar Dimov
Zvonko Karov
Mirko Tripunovski
Gazmend Ajdaraga

Vlerësimet e Mersel Bilallit për punën e të tjerëve

Bilalli për kthimin e Cërvenkovskit
Në një deklaratë të datës 25 maj të vitit 2009 për gazetën “Dnevnik”, lidhur me rikthimin e Branko Cërvenkovskit në krye të LSDM-së, analisti Mersel Bilalli do të thotë, se përveç Cërvenkovskit në LSDM nuk ka njeri tjetër që do ta merrte drejtimin e partisë.
“Problemi qëndron se te partitë tona nuk punohet në krijimin e kuadrove të reja që do të zëvendësonin ato të vjetrat. Megjithatë, kthimi i Cërvenkovskit në një mënyrë do të thotë forcim i opozitës, e cila mundësoi të kemi një qeverisje të papërgjegjshme”, ka deklaruar mes tjerash Mersel Bilalli për këtë të përditshme maqedonase.

Të tjerët janë fajtorë

Në një deklaratë për TV A1 të dhënë më 22 gusht të vitit 2010, Mersel Bilalli është lavdëruar me Raportin e tij për ngjarjet e Gostivarit, duke thënë se ishte konstatuar tejkalimi i kompetencave nga ana e policisë dhe të cilat, sipas tij ishin votuar njëzëri nga anëtarët tjerë të komisionit. Kur duhet të zbatohet ajo që është konstatuar nga ana e Komisionit, ata që janë në pushtet nuk janë shumë të interesuar për këtë. Madje në ngjarjet e Gostivarit, partia që më së shumti kritikonte intervenimin policor, kur erdhën në pushtet, as që donin të dëgjojnë për zbatimin e konkluzioneve të Komisionit Anketues”, ka thënë Mersel Bilalli.

Merseli dhe hipokrizia

Në një intervistë për TV A1, më 27 dhjetor të vitit 2010, Mersel Bilalli pohonte se ka ndërprerë së shkruari kolumna për gazetën “Dnevnik”, për shkak të sjelljes së tyre ndaj aferës me 750 mijë eurot e gjetura në një shishe. “Mendoj se “Dnevniku” gjatë muajve të fundit, veçanërisht pas gjetjes së parave në shishe, që sipas të gjitha indikacioneve paraqet larje parash, veçanërisht kryeredaktori i saj, i cili shkruante kolumna interesante dhe me dozë të lartë të moralit, tani heshtë, thuajse asgjë nuk ka ndodhur, madje sulmon medium tjetër siç është TV A1. Unë nuk doja dhe nuk mundja të mbledhë forcë për të mos kundërshtuar këtë dozë të lartë të hipokrizisë”, ka thënë shumë i shqetësuar Mersel Bilalli.

zemraorg

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button