Viber i shkakton miliona euro humbje PTK-së
Është ndërmarrja më fitimprurëse në vend. Por tani, Postë-Telekomit të Kosovës nuk po i shkon asgjë mirë, si në aspektin e privatizimit ashtu edhe në realizimin e planit biznesor. PTK-së tashmë i ka dalë një problem i ri që po i kushton me humbje të fitimeve.
Aplikacionet e ndryshme në ‘telefonat e mençur’ siç është Viber, kanë ndikuar në mosrealizimin e të hyrave sipas planit në këtë ndërmarrje. Viber është program i njohur për përdoruesit e ‘telefonave të mençur’, përmes të cilit mund të realizohen thirrjet falas.
Ekspert të ekonomisë thonë se kjo është si pasojë e ndaljes së investimeve në këtë ndërmarrje përderisa ishte në procesin e privatizimit.
Burime të gazetës kanë bërë të ditur se ky aplikacion është një nga arsyet që ka ndikuar që operatori Vala të ngecë në realizimin e të hyrave për rreth 12 milionë euro.