Vjollca dhe Sabriu gjejnë ilaçin
Pas një mungese në skenë, këngëtarja Vjollca Haxhiu është kthyer vrullshëm, duke realizuar një duet me këngëtarin e njohur Sabri Fejzullahu.
Ndonëse këtë bashkëpunim ajo e kishte menduar kohë më parë dhe ja që tani erdhi momenti për ta realizuar.
Kënga që kanë realizuar së bashku me Sabriun titullohet “Ilaçi im” dhe ka një tematikë dashurie. Me këtë këngë ata kanë dashur që adhuruesve të tyre t’u sjellin ilaçin e duhur e që sipas tyre ky ilaç është vetëm dashuria.
Sipas Vjollcës kënga po pëlqehet mjaft shumë në publik dhe deri më tani kanë marrë vetëm kritika pozitive. Për më shumë rreth këtij bashkëpunimi flet Vjollca për “Zëri-n”.
Keni realizuar një duet me Sabriun, mbase këtë duet e keni pritur kohë më parë, mendoni se tani e keni përmbushur dëshirën e kahmotshme?
Të them të vërtetën ka qenë një sukses i madh dueti me artistin më të dashur për gjithë shqiptarinë Sabri Fejzullahun dhe pas kësaj pune ndihem shumë e lumtur dhe me fat që pata rastin dhe mundësinë të kem një duet me të. Këtë duet e kam menduar shumë kohë më parë dhe ja që tani erdhi koha për ta realizuar. Kënga me të dalë në treg komentet nuk kanë munguar, flas me modesti se komentet janë nga më të bukurat dhe është shumë e natyrshme se pas gjitha këtyre është një ndjenjë e fuqishme dhe e këndshme për punë të mëtutjeshme.
Kënga “Ilaçi im” mendoni se me të vërtetë do të jetë shërues për adhuruesit tuaj?
(Qesh), në kuptimin pozitiv do të thosha që ne e dimë që shërimi vjen vetëm prej Zotit dhe ilaçi është një ndihmë për shëndetin. Mirëpo në këtë rast në këngë bëhet fjalë për ilaçin e shpirtit. Ngaqë deri më tani nuk është trajtuar një temë e tillë, prandaj kjo këngë me tematikë shëruese vërtetë ka pasur efektin e ilaçit për adhuruesit e këngës. Dhe që në start kënga është pëlqyer, prandaj jemi të kënaqur që arritëm që së bashku me Sabriun të realizojmë një këngë për adhuruesit tanë.
– Kush e ka meritën më të madhe për këtë këngë?
Natyrisht që meritën më të madhe e kanë vet autorët e këngës të cilët e realizuan një këngë ashtu siç na konvenonte edhe neve. Autorë të kësaj kënge janë, si çdoherë me tekst Fatmir Muja, i cili njihet për hitet më të mëdha të këngëve shqiptare, orkestrimin e ka bërë Alban Furtuna. Ndërsa videoklipi është realizuar në Shqipëri me produksionin “Max Production”. Kënga është edituar nga produksioni “Emra-Com”. Të gjithë kanë punuar me përkushtim të madh dhe ja që edhe rezultati nuk mungoi.
Keni planifikuar ndonjë duet të radhës?
Po duetet me Sabriun tani nuk do të mungojnë, ne sapo kemi nisur punën për një projekt tjetër të ri i cili do të lansohet gjatë muajve të ardhshëm. Bëhet fjalë edhe për një duet të radhës, një këngë verore që kam përshtypjen se do ta pëlqejnë të gjithë. Tani për tani nuk mund të flasë më shumë për këngën, por vetëm ju bëjmë me dije se sezonit veror do t’i shtojmë edhe një hit të bukur, një freski verore bashkë me Sabri Fejzullahun.