Vrasja brutale e tinejxherit (Video, +18)
Policia kanadeze vrau brutalisht në Toronto të Kanadasë, adoleshentin Sam Yatim (18), me nëntë të shtëna në 13 sekonda. Ata e vranë të riun sepse në tramvaj mbajti thikën në dorë.
Vrasjen brutale e xhiroi një kalimtar, i cili e postoi këtë xhirim në YouTube. Ky postim ishte nxitja për protesta të mëdha në qytetin e dytë më të madh kanadez.
Në video shihet se si policët tentojnë të bisedojnë me djaloshin që brenda në tramvaj mbante një thikë. Dëgjohet një polic që thotë ta hedh thikën. Pas disa minutash, policët futen brenda. Pastaj, dëgjohen tri të shtëna, e disa çaste më vonë gjashtë të tjera. I riu vdiq nga plagët e shkaktuara nga plumbat.
Vrasja e Yatimit ngjalli zemërim në publik për shkak të përdorimit të tepruar dhe të panevojshëm të forcës. Ish agjenti Mark Mendelson thotë se nuk është vështirë të konkludohet kjo dhe se për këtë policët duhet të përgjigjen.
“Videoja nuk gënjen. Pos kësaj, vrasja regjistrohet edhe nga kamerat e sigurisë, ndërsa ishin edhe shumë dëshmitarë të këtij brutaliteti policor”, tha ai.
Për këtë vrasje qindra persona protestuan, duke kërkuar dhënien fund të dhunës policore dhe drejtësi për Yatimin.
Në anën tjetër, shefi i policisë në Toronto tha se hetimi ka filluar, porse nuk e ka parë xhirimin. Zëdhënësi i policisë tha se është pezulluar polici që ka shtënë i pari.