Vrasja e shqiptarit paralizon Brukselin
Qeveria belge ka njoftuar punonjësit e transportit publik, të hedhur në grevë, se 400 policë shtesë do të vendosen në Bruksel pasi një inspektor transporti u rrah për vdekje me grushte.
Viktima, quhej Iliaz Tahiraj, 56 vjeç me origjinë shqiptare, që punonte prej 29 vitesh në rrjetin e transportit, STIB.
Agresioni i ndodhur ditën e shtunë shkaktoi mbylljen e metrosë dhe rrjetit të autobusëve, të cilët kanë mbetur të paralizuar edhe gjatë së martës.
Inspektori shqiptar u sulmua në vendin ku ishte përplasur një makinë dhe një autobus dhe humbi jetën nga goditjet e marra në kokë. Personi i dyshuar si agresor u arrestua.
Agresori, 28 vjeç, ishte një pasagjer në makinën që u përplas dhe e goditi inspektorin në fytyrë duke e përplasur në tokë. Ai vdiq më vonë në spital.
Zyra e prokurorit të Brukselit, duke iu referuar deklaratave të dëshmitarëve dhe vetë agresorit, njofton se inspektori u godit nga një grusht i vetëm.
Qindra kolegë të tij marshuan të irrituar në qendrën e Brukselit ditën e hënë në shenjë proteste ndaj vdekjes së Tahirajt, njofton TCH.
Njoftimi për masa shtesë sigurie erdhi pas bisedimeve të së hënës mes autoriteteve federale, menaxherëve të rrjetit STIB dhe përfaqësuesve.