Zanfina së shpejti me këngë prekëse
Zanfina Ismajli ka thënë se ajo së shpejti do të vijë me një këngë të re e cila do ta ´prekë secilën vajzë në atë pjesën e saj emotive´.Duke qenë pranë festave të fundvitit, këngëtarët kanë filluar me përgatitjet e tyre për incizimet festive. Dhe aty nuk do të mungojë as Zanfina Ismaili, e cila kësaj here ka zgjedhur një këngë më prekëse për ditët e ftohta të dimrit.
“Kam realizuar një këngë. Çekiçi e ka realizuar atë, ndërsa tekstin e ka bërë Blero. Është një tekst i cili më pëlqen shumë dhe jam e bindur që do të prekë secilën vajzë në atë pjesën e saj emotive. Me këtë këngë do të prezantohem për festat e vitit të ri”, është shprehur Zanfina.
“Zhanri është R&B dhe house. Fillon më me ritëm, ndërsa teksti është më melankolik. Kjo është ajo që më ka dalluar në estradë, sepse gjithnjë i kam pasur tekstet e prekshme e muzikën më ritmike. Kështu është përzieje e disa stileve”, ka pohuar ajo.
Por Zanfina ka thënë se ajo nuk është duke menduar të realizojë edhe klip për këngën, për shkak se kjo do të promovohet në video-programet festive.