Duke dënuar ksenofobinë serbe të shfaqur nëpërmjet djegies së flamurit shqiptar, Lëvizja Qytetare Zgjohu planifikon që të protestojë para ambasadës së Serbisë në Shkup. “Lëvizja Zgjohu! fton organizatat brenda forumit tonë të shoqërisë civile që bashkërisht të shqyrtojmë mundësinë e organizimit të protestës para ambasadës së Serbisë në Shkup, kundër kësaj shprehjeje të urrejtjes ndaj popullit autokton shqiptar dhe fton të gjitha partitë politike shqiptare, intelektualët dhe mediat që të bashkëngjiten në ngritjen e zërit kundër ksenofobisë serbe”, tha kryetari i Zgjohu-t, Artan Grubi. Lëvizja Qytetare Zgjohu dënon ashpër ksenofobinë serbe të shfaqur nëpërmjet djegies së flamurit kombëtar shqiptar nga huliganët serb në shkallët e stadiumit “Marassi” në Genoa të Italisë ku po luhej ndeshja midis kombëtarëve të Italisë dhe Serbisë. “Shprehjet fashizoide kundër shqiptarëve, Kosovës dhe djegia e flamurit kombëtar të shqiptarëve shfaq barbarinë serbe që akoma nuk ka evoluar në hap me civilizimin botëror dhe rikthehet në sjelljet shtazarake të paraardhësve të tyre nga shekulli i VII gjatë dyndjes së popujve sllav në Ballkan dhe shkatërrimit të civilizimit ilir në këto troje”, thuhet në reagimin e Zgjohu-t.
Një ditë pas revoltës të tipit gueril të tifozëve serbë në stadiumin e Xhenovas, ku është djegur në sytë e gjithë botës flamuri shqiptar, policia ka vënë në pranga 17 ultras, mes tyre dhe kapon, njeriun i cili dogji flamurin mbi kangjellat. Ndërkaq, Ambasadorja e Beogradit në Romë i kërkon ndjesë Italisë: “Na vjen turp. Këta bandite nuk përfaqësojnë ndjenjat dhe sjelljen e popullit serb. Na vjen turp dhe ju kërkojmë ndjesë”. Kjo është ç’ka ka deklaruar ambasadorja serbe në Romë, zonja Sanda Raskocvic- Ivic.