Prej një muaji politika dhe opinioni publik maqedonas po zien nga skandali i përgjimeve qeveritare e të publikuara nga kryetari i partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev…
Por kush ka përgjuar kë? Çfarë është folur? Vetë Zoran Zaev erdhi në një intervistë ekskluzive për emisionin “Shqip” me Rudina Xhungën këtë të hënë. Lideri LSDM, Zoran Zaev tregon për emisionin “Shqip” në Top Channel përgjimet e politikanëve të lartë shqiptarë të Tiranës dhe Shkupit.
Intervista e Zaev
TCH: Ju thoni se janë përgjuar më shumë e se 20 mijë; qytetare, përfshi ministra, gjyqtarë, gazetarë… Media te huaja, këto përgjime i kane krahasuar me ato te STASIT gjermanolindor të kohës së komunizmit! Do te thotë kjo se Maqedonia është një shtet policor?
Zoran Zaev, kryetar i LSDM në Maqedoni: Mendoj se ashtu siç prezantohen këto dëshmi që i posedojmë, e të cilat populli i quan ‘bomba të opozitës’, bëhet gjithnjë e më e qartë se Maqedonia është prej kohesh një shtet policor. Sistemi tërësisht është i kontrolluar. Të përgjuar kanë qenë të gjithë ata që nuk mendojnë si pushteti. Por, me kalimin e kohës, ky regjim ka filluar ta humbë besimin, veçanërisht tek disa nga bashkëpunëtorët më të afërt. Kështu që, përveç atyre që nuk mendojnë si pushteti, regjimi ka nisur të kontrollojë edhe ministrat më të rëndësishëm, përfaqësuesit e sistemit gjyqësor, përfaqësues e mediave, shoqërinë civile dhe një pjesë të botës akademike. Fillimisht thamë se janë përgjuar rreth 20 mijë njerëz, por duke i përpunuar materialet dhe bisedat e përgjuara që posedojmë, po vërejmë se numri i atyre që janë përgjuar është shumë më i madh, ndoshta mbi 30 mijë, pasi secili që ka qenë objekt i përgjimit, ka pas një rreth të bashkëbiseduesve që janë përgjuar dhe kjo e rrit numrin e personave të përgjuar. Vërtetë nuk e di në kohën e ‘Stasit’ sa ka qenë numri i të përgjuarve në Gjermani, por për Maqedoninë tonë të vogël, ky numër është vërtet i madh.
TCH: Ju thoni se Gruevski ka përgjuar, ndërsa ai thotë se ju i keni siguruar këto materiale nga shërbimet e huaja sekrete dhe po tentoni të vini në pushtet përmes tyre.
Zoran Zaev: Prandaj ne themi se ky proces duhet të ketë zgjidhje politike. Sistemi gjyqësor është i kontrolluar dhe këtë e dëshmojnë jo vetëm materialet që publikova unë, por këtë e thonë të gjitha raportet ndërkombëtare, siç është raporti i departamentit të shtetit amerikan dhe misioneve tjera vëzhguese, që dëshmojnë se në Maqedoni nuk ka drejtësi dhe nuk funksionon shteti ligjor. Këtu është kyçur gjithë sistemi gjyqësor, përfshirë edhe Prokurorinë dhe gjykatësit, kuptohet me disa përjashtime të vogla. Vendimet sillen me presion të madh të pushtetit ekzekutiv ndaj gjykatës. Prandaj, zgjidhja e krizës duhet të jetë vetëm politike, që do të dëshmojë se kush i ka kryer përgjimet. Opozita i posedon të gjitha dëshmitë për këto akuza të rënda që i bën. Aktualisht është e rëndësishme përmbajtja e asaj që po publikojmë, sepse përmes saj do të kuptohet gjithë krimi që është bërë në Maqedoni dhe do të kuptohet kush ka përgjuar. Nëse do të ishin shërbimet sekrete ato që kanë përgjuar, pse nuk u dëbua asnjë ambasador?
TCH: A prisni zgjidhje të shpejtë të krizës?
Zoran Zaev: Unë nuk mund të them se pres zgjidhje të shpejt, apo të ngadalshme. Mund të them se pres që zgjidhja të vijë brenda një kohe optimale, sepse gjithë ky proces nuk është për të keqen e Maqedonisë, por e ndihmon vendin, ngaqë do të hapë shumë çështje që kanë qenë sekret i qeverisë një kohë të gjatë. Do t’i forcojë raportet ndëretnike. Aktualisht, të gjitha bashkësitë etnike, janë të bashkuara në betejën për kthimin e lirisë, demokracisë dhe vlerave evropiane. Asnjëherë më parë gjatë karrierës sime politike, qytetarët nuk i kam parë më të bashkuar se sot. Kjo betejë nuk ka të bëjë me etni, religjion, nuk ka ndarje, fshat-qytet, të gjithë janë kyçur në këtë betejë për kthimin e lirisë në Maqedoni, të vetëdijshëm se jeta është luftë dhe se e njëjta do të vazhdojë, por do të jetojnë të qetë, në demokraci dhe do të mund të kemi atë që na takon. Çështja e dytë është se pas kësaj beteje, askush më në Maqedoni në 100, apo 200 vitet e ardhshme, nuk do të marrë guximin të përgjojë qytetarët. Askush nuk do të guxojë të bëjë krime të këtilla, si këto që shpalosen nëpërmjet bisedave të përgjuara telefonike mes zyrtarëve të qeverisë. Biseda që dëshmojnë si është shkatërruar ekonomia dhe buxheti i shtetit, si kontrollohet sistemi gjyqësor, si janë shkatërruar mediet, çfarë ka ndodhur gjatë zgjedhjeve. Gjithkush që në të ardhmen do të marre në duar drejtimin e shtetit, do të mendojë para se të ndërmarre veprime të këtilla. Prandaj e them se zbulimi i kësaj afere e ndihmon Maqedoninë, e cila ka gjasa që pas këtij procesi të ecë drejtë një të ardhme më të mirë.
TCH: Si e shikoni rolin e dy partive kryesore të shqiptarëve në Maqedoni në këtë aferë.
Zoran Zaev: Sipas meje, e që mbase jam njeriu më i informuar për shkak se posedoj gjithë këto biseda të përgjuara, mund të them se incizimet tregojmë se dy partitë më të mëdha të shqiptarëve, siç është partneri i koalicionit të Gruevskit dhe ajo e ashtuquajtura parti opozitare PDSH e Menduh Thaçit, janë shërbëtore të pushtetit. Qeveria i kontrollon totalisht. I ka zënë dhe i kontrollin dhe ato janë të pafuqishme. Unë tani e kam të qartë pse qytetarët dhe elektorati shqiptar reagon kështu. Ata duket se nuk kanë pasur liderë dhe nuk kanë pasur kujt t’i drejtohen në betejën e tyre për drejtësi dhe demokraci. Sepse të dy partitë, për shkak të përfitimeve personale, janë vënë nën kontroll të qeverisë dhe nuk e kanë kryer detyrën e tyre. Shoqëria multietnike i ka përparësitë e veta dhe bashkësitë e ndryshme etnike mund të shërbejnë si korrektues për njëra-tjetrën. Kjo është e shëndetshme për shoqërinë, por fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu, pasi pushteti, përmes shantazheve i ka vënë nën kontroll të gjithë ata që duhej të jepnin kontributin e tyre për proceset që ndodhin në vend.
TCH: A posedoni dëshmi për këto pohime dhe a do t’i publikoni?
Zoran Zaev: Në procesin që kemi filluar, kemi përgatitur një pako me materiale të përgjuara që lidhet me punët kriminale dhe të paligjshme të partive shqiptare, që do të nxjerrin ne shesh fytyrën e dy partive shqiptare dhe sjelljen e tyre. Nuk është qëllimi im që të shkatërroj parti politike, sepse partitë i nevojiten shtetit, por dua të them se bëhet fjalë për disa persona brenda këtyre subjekteve që kanë bërë keqpërdorime. Të gjitha materialet që posedoj për punët e paligjshme, kriminale dhe të palejueshme për shtetin do ti publikoj. E kuptoj interesin tuaj, të gazetarëve dhe qytetarëve edhe në lidhje me rastin “Monstra” prandaj po e përsëris se gjithçka që posedoj do të publikoj dhe nuk do të kursej askënd. Madje nuk kursej askënd, as nga radhët tona të opozitës, ndonëse partia që drejtoj dhe partnerët tanë të koalicionit një kohë të gjatë ndodhen në opozitë dhe mundësia për keqpërdorime është e vogël. Megjithatë, ndryshe nga opozita maqedonase, kur flitet për partinë shqiptare të Menduh Thaçit, që shtiret se është në opozitë, më duhet të them se kjo parti tërësisht ka qenë e lidhur me pushtetin dhe këtë do ta shohin qytetarët.
TCH: Si e vlerësoni qëndrimin e partisë shqiptare BDI e cila edhe pse është pjesë e pushtetit bën thirrje për ndihmë ndërkombëtare në zgjidhjen e krizës?
Zoran Zaev: Unë nuk duhet ta vlerësoj, unë e di pafuqinë e kësaj partie. Ata njerëz të sinqertë që nuk janë pajtuar me qeverisjen diktatoriale të Gruevskit dhe që kanë dashur të ndryshojnë diçka, kanë qenë të pafuqishëm si partner të koalicionit. Por kjo nuk i amniston, sepse kanë pasur mundësi të dorëhiqen. Është e palogjikshme që BDI e cila drejton Ministrinë e Drejtësisë të kërkojë monitorim për sistemin gjyqësor. Jo vetëm për këtë proces, ata kërkojnë monitorim edhe për rastin ‘Monstra’. Duket se ka qenë të detyruar ta bëjnë këtë, pasi Ministri i Drejtësisë nuk ka as kontrollin që i garantohet me ligj në vendimmarrjen e organeve gjyqësore, sepse atë e kontrollon kryeministri Gruevski dhe kushëriri i tij që drejton policinë sekrete.
TCH: Në mesin e materialeve që posedoni, a ekzistojnë edhe biseda të përgjuara mes politikanëve shqiptarë në Maqedoni dhe zyrtarëve të Tiranës apo Prishtinës, dhe nëse posedoni materiale të tilla, a do t’i publikoni?
Zoran Zaev: Përgjigja ime është po. Ka. Së pari ministrat tanë kanë biseduar me ministra të Kosovës dhe Shqipërisë. Liderët e partive shqiptare këtu në Maqedoni kanë biseduar me zyrtarë të lartë dhe ministra, njerëz me ndikim në Tiranë dhe Prishtinë. Por nëse do të thosha se nuk kam materiale të tilla, nuk do të isha i sinqertë. Nuk do t’i publikoj, sepse nuk është etike për ministrat e vendeve tjera. Objekt i përgjimit kanë qenë ministrat tanë, por ata kanë biseduar me kolegët e tyre në Prishtinë dhe Tiranë. Janë përgjuar biseda që të bindin se edhe ata janë pjesë e kësaj historie dhe kjo është punë e keqe, së pari për vendin tim që ka lejuar një gjë të tillë.
TCH: Pushteti nuk tregon asnjë sinjal se mund të tërhiqet pas publikimit të aferave. A mund ta ndryshoni strategjinë?
Zoran Zaev: Unë jam njeri demokrat dhe gjithë njerëzit dhe anëtarësia që me rrethojnë janë të tillë. Unë nuk e përjashtoj mundësinë që njerëzit mund të dalin në rrugë. Në një konferencë për media publikova disa dëshmi për arrestimin e Lube Boshkovskit, liderit të një partie opozitare dhe njerëzit dolën vetë në rrugë, këtë askush nuk mund ta ndalojë. Por qëllimi jonë është që përmes publikimit të dëshmive që posedojmë, t’i largojmë këta njerëz nga pushteti. Disa më pyesin si do të vepro,j kur të harxhohen materialet komprometuese për pushtetin, por unë ju them se ato materiale nuk mund të harxhohen dhe se publikimi i tyre do të vazhdojë deri në largimin e kësaj qeverie. Jam i bindur se qeveria do të bjerë. Shpresoj që në një moment, do t’i thonë STOP kësaj që po ndodh dhe do të ikin. Materialet që kemi publikuar deri më tani, janë vetëm përgatitje e qytetarëve për ta pritur atë që vjen dhe që është shumë e rëndë. Së shpejti do të publikojmë rastet e mëdha, zgjedhjet dhe krimin që ka bërë ky pushtet. Keqpërdorimet e mëdha me buxhetin. Pritet të publikojmë raste që do të shkaktojnë debate të mëdha në opinion, tema tabu, përgjime të disa funksionarë të qeverisë që shpalosin krimet që janë bërë ndaj atyre që nuk mendojnë njësoj me pushtetin si dhe familjarëve të tyre. Edhe nëse largohet qeveria këto gjëra do të publikohen. Kështu që për një gjë jam i sigurt, kjo qeveri do të ikë dhe është vetëm çështje kohe kur do të ndodhë një gjë e tillë.
TCH: Akuzoheni nga pushteti për tentativë për marrjen e pushtetit me dhunë. A frikësoheni se do ju arrestojnë?
Zoran Zaev: Absolutisht jo. Paraardhësit e mi i kanë humbur jetët e tyre për lirinë dhe demokracinë e këtij vendi. A do të burgosem apo do të shkatërrohem politikisht, kjo nuk më intereson aspak. Madje, nuk më intereson edhe nëse do të humbas jetën. Në këtë që po bëj kam mbështetjen edhe të familjes dhe bashkëpunëtorëve. Qëllimi për të cilin luftojmë është shumë i rëndësishëm, liria dhe demokracia. Në shekullin e XXI ende flasin për liri, këtë qëllim do ta arrijmë, ne jemi të bindur në këtë gjë dhe kthim mbrapa nuk ka. Mund të tentojnë të bëjnë gjithçka për ta penguar procesin. Nëse unë pengohem në ndonjë mënyrë, dihet kush është i dyti, i treti, ku merren materialet e përgjuara, kush i nxjerr. E vërteta do të dalë.
***
Në pjesën e parë dhe të dytë të “Shqip” të ftuarit Dastid Pallaska, avokat nga Kosova, Spartak Ngjela, Kim Mehmeti nga Maqedonia dhe Bilal Kasemi i lëvizjes Besa po në Maqedoni dhanë mendimet e tyre mbi atë se çfarë po ndodh me shqiptarët në Maqedoni e përtej saj, në mbarë rajonin.
I pari që mori fjalën ishte analisti Kim Mehmeti. Ai tha se shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm ata, janë në duart e banditëve dhe ka ardhur koha që të fortët në politikë e biznes të ndahen nga njëri-tjetri.
Spartak Ngjela vuri theksin tek roli i Tiranës në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në Maqedoni e rajon. Ai tha se politikanët shqiptarë pas viteve 1990 janë politikanë ‘ahistorikë’. “ Jo se ka pasur një tendencë, por ka pasur një ndihmë të dobët për shqiptarët e Maqedonisë për shkak të botëkuptimit historik”, tha ai.
Të ftuarit debatuan mbi gjendjen e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, sistemin e drejtësisë, aftësitë e shtetformuese të politikanëve shqiptarë dhe reformat për proceset integruese.