Analistët thonë se si ;do herë deri tani edhe kësaj radhe nga manipulimet me listat zgjedhore do të përfitojnë maqedonasit.
Demografi Asllan Selmani thotë se duke pasur parasysh problematikat në listat zgjedhore, rreth dhjetë për qind e deputetëve do të kenë legjitimitet të dyshuar. “Do të ketë shumë manipulime, sepse në vend se të pastrohen listat, një numër i madh i banorëve të vdekur është shtuar në to. Po ashtu edhe banorët që janë jashtë vendit janë të regjistruar në listat zgjedhore në Maqedoni që po ashtu nuk është në rregull sepse ata duhet të jenë të regjistruar në diasporë dhe sipas kësaj situate të tanishme rreth dhjetë për qind e deputetëve të Parlamentit të ardhshëm do të jenë me legjitimitet të dyshimtë”, tha Selamni. Ai shtoi se problematika e listës zgjedhore gjithmonë ka qenë prezent në Maqedoni. Edhe për analistin Sasho Ordanovski nuk ka dyshim se gjatë këtyre zgjedhjeve pritet të që të krijohet një hapësirë e madhe për manipulime. “Ka hapësirë të madhe për manipulim dhe në bazë të kësaj nënkuptohet se do të ketë edhe deputet me legjitimitet të dyshimtë. Nuk mundem të jap ndonjë shifër të saktë se sa deputetë do të zgjedhen si rezultat i manipulimeve, mirëpo nuk ak dyshim se ekziston hapësirë e madhe për një gjë të tillë”, tha Ordanovski.
Sipas Naser Ziberit përfshirja e 16 mijë minoreneve në regjistrin zgjedhor është shumë e dyshimtë. “Kjo kategori e listës zgjedhore ku janë futur të votojnë edhe minorenet është shumë e dyshimtë sepse jo të gjithë ata më 5 qershor do të plotësojnë kushtet për të drejtë të votës. Gjithashtu ka edhe banorë të vdekur të cilët ende janë në listat zgjedhore, andaj mund të them se kjo problematikë është plagë e vjetër e cila asnjëherë nuk ka provuar që të shërohet në Maqedoni”, tha Ziberi.
Edhe në këto zgjedhje dhjetëra mijëra shqiptarë në Maqedoni do të kenë problem për të votuar pasi Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) vite me radhë me arsyetime të ndryshme refuzon kërkesat e tyre për nënshtetësi.