www.Zemra.Org

Arrestohet banda që përfitoi mbi 2 milionë euro nga borxhet me fajde

pol15 persona janë arrestuar gjatë aksionit policor “çekiçi”, mëngjesin e sotëm, pas bastisjes së 19 objekteve në Gostivar dhe rrethinë.

Aksioni policor kishte pasur si qëllim shpërbërjen e një grupi kriminal prej 19 anëtarësh që funksiononte që nga viti 2008. Në mesin e të arrestuarve janë edhe 4 avokatë dhe 1 përmbarues.

Gjatë arrestimit, policia ka hasur në rezistencë nga njëri prej të dyshuarve, i cili ka hapur zjarr drejt policisë. Pas pak minutash konfrontime, policia ka arritur të neutralizonte dhe ta kapte të dyshuarin. Grupi ngarkohet për disa vepra penale, ndërsa veprimtaria kryesore ka qenë dhënia e parave me fajde, duke i ngarkuar shfrytëzuesit me kamatë mujore prej 8 deri 20%.

“Pasi i kanë prurë qytetarët në një gjendje që nuk mund t’i kthenin më kamatat e borxhit, iu janë vërsulur qytetarëve me kërcënime verbale por edhe me sulme fizike, e pastaj, i kanë detyruar me kontrata fiktive në avokat dhe noterë, të cilat janë përpiluar nga avokatët, që edhe ata i arrestuam. Me këto kontrata kanë marrë pronat apo veturat e disa personave në Gostivar dhe rrethinë, dhe me ndihmën e përmbaruesit kanë ngritur procedura për konfiskimin e pronave të të dëmtuarve”, tha Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Sipas informatave të policisë, përveç pronave të përvetësuara, grupi ka përfituar edhe rreth 2 milionë euro para, të cilat i ka futur në përdorim legal përmes llogarive personale dhe bizneseve. Dy prej të dyshuarve janë në arrati, mes tyre edhe i dyshuari kryesor, pronar i disa bizneseve në Gostivar dhe hotelit luksoz “Golden Pllejs” në Mavrovë. Dy të tjerë aktualisht janë jashtë vendit për shkak të obligimeve private dhe janë të pakapshëm për policinë. Nga Ministria e Brendshme thonë se kanë zgjedhur kohën e duhur për ndërmarrjen e aksionit, edhe pse kanë pasur informatat e plota se 2 prej të dyshuarve janë jashtë vendit.

Ndërkaq, gjatë bastisjeve të sotme janë konfiskuar disa mijëra euro në valuta të ndryshme si dhe rreth 20 vetura luksoze, mes të cilëve marka si “Hummer”, “Maseratti” e të tjera. Mes parregullsive që ka konstatuar policia gjatë bastisjes, ka qenë edhe vjedhja e rrymës nga njëri prej të dyshuarve.

Exit mobile version